UBT News

Dua Lipa dëshiron të bëhet yll filmi

Këngëtarja e njohur botërore, Dua Lipa, do të dëshironte të bëhet aktore.

25-vjeçarja Lipa e cila me prejardhje është nga Kosova, është e intriguar dhe e emocionuar në lidhje me idenë e ndërtimit të një karriere në film, në bazë të përvojës që ajo e ka fituar nga aktrimi në videoklipet e saja muzikore, por nuk dëshiron që menjëherë të debutojë me një rol protagonist.

E pyetur rreth mundësisë për ta provuar veten në aktrim, Lipa tha: “Mendoj se do të më pëlqente kjo gjë. Aktrimi është definitivisht diçka që do të doja ta eksploroja dhe ta përjetoja, por fillimisht me ndonjë rol të vogël. Ndjej se tani kam vetëbesim më të lartë, ngaqë kam krijuar eksperienca të shumta dhe mendoj se anën kreative të aktrimit e kam zbuluar nga realizimi i videoklipeve muzikore. Prandaj ndihem e intriguar dhe mjaft e emocionuar rreth mundësisë që në një pikë të jetës ta provojë edhe këtë fushë të artit”.

Dua në veçanti e ka shijuar transformimin në videoklipin e saj të fundit, “Love Again”.

“Më ka pëlqyer shumë transformimi në këtë klip, dhe jam argëtuar shumë. Me këtë projekt doja të provoja gjëra të reja. Unë dhe stilisti im, Lorenzo, bashkëpunojmë shumë mirë me njëri-tjetrin dhe mendoj se kur e krijuam këtë ide, ajo vazhdoi të zhvillohej tutje dhe u shndërrua në diçka që të dyve na pëlqente shumë. Jemi argëtuar shumë gjatë xhirimit të këtij klipi dhe e kam shijuar personazhin që e kam portretizuar”.

Edhe pse aktualisht, ajo po jeton në Los Angeles, Lipa e cila është në lidhje me modelin Anwar Hadid, thotë se nuk përmallohet për vendlindje deri në momentin që prishet moti.

“Është qesharake, sepse kur bie shi në L.A., atëherë unë kam mall për Londrën. Kështu që është në rregull tani, dielli po shkëlqen dhe gjithçka është mire”.

Dhe ylli i hitit “Levitating” gjithmonë mund ta bëjë veten të ndihet më mire, duke u kënaqur me ushqimet e saj të preferuara.

“Rehatinë e preferuar e gjej tek ushqimi. Thjeshtë më pëlqen ta ngushëllojë veten përmes ushqimit. Më pëlqen shumë peshku dhe patatet e skuqura, dhe më pëlqen të ha çipsa. Në fakt më shumë më pëlqejnë produktet e njelmëta. Por, në raste të caktuara kam dëshirë të ha petulla me xhem të mjedrës. Mirëpo varet nga disponimi dhe fakti se çfarë dite kam kaluar”.

Lipa gjithmonë është karakterizuar për zërin e saj unik dhe të shterur, por këngëtarja insiston se kjo nuk ka të bëjë asgjë me shprehitë e këqija.

“Unë gjithnjë e kam pasur një zë paksa të shterur, qysh në moshë të re, nuk vjen si rezultat i pirjes së duhanit, unë e kam lënë duhanin tash e sa kohë”.

Ylli i hitit “One Kiss” ka deklaruar që mezi prej të kthehet me turne, tani që i është dashur t’i shtyjë sërish datat e koncerteve si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

“Vonesa një vjeçare e turneut e ka bërë atë edhe më emocionues për mua. Jam shumë e gatshme të kthehem dhe mezi pres të performoj live para publikut”.

Para pak ditësh, bukuroshja me prejardhje kosovare i informoi fansat për shtyrjen e datave të koncerteve, dhe njëkohësisht u kërkoi atyre t’i ruajnë biletat e blera tashmë, si dhe u premtoi që do të mundohet t’i shtoj edhe disa koncerte në kuadër të turneut të ardhshëm. / Koha.net 

Exit mobile version