UBT News

Dronët ukrainas godasin Shën Petersburgun para nisjes së forumit ekonomik ku pritet të flasë Putini

Dronët ukrainas goditën objektiva energjetike dhe ushtarake në Shën Petersburg të Rusisë në orët e para të së mërkurës, vetëm pak orë para hapjes së forumit ekonomik ndërkombëtar të qytetit, ku presidenti rus, Vladimir Putin, pritet të mbajë fjalimin kryesor të premten, raporton The Guardian.

Sipas autoriteteve ruse, sulmet shënjestruan depot e naftës në distriktet Kirovsky dhe Krasnoselsky, ndërsa u raportuan shpërthime të fuqishme dhe shtëllunga të dendura tymi mbi qytet. Gjithashtu, u godit edhe baza detare e Kronstadtit, ku ndodhet Flota Baltike e Rusisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se sulmet janë pjesë e strategjisë së Ukrainës për të goditur objektiva me rëndësi strategjike brenda territorit rus. Ai deklaroi se dronët goditën terminalin e naftës në Shën Petersburg, bazën detare të Kronstadtit dhe një fabrikë armësh në rajonin e Tambovit.

Sulmet ndodhën në prag të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, një ngjarje që shpesh cilësohet si “Davosi rus”. Organizatorët presin rreth 20 mijë pjesëmarrës nga mbi 130 vende të botës.

Ndërkohë, lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon të përshkallëzohet. Vetëm një ditë më parë, sulmet ruse me raketa dhe dronë në Ukrainë lanë të vrarë të paktën 23 persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë, duke nxitur Kievin të kërkojë sërish mbështetje shtesë ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./The Guardian/

Exit mobile version