UBT News

Driton Kuka: Sporti kosovar ka nevojë për gjeneratë të re elitare dhe më shumë fokus te rezultatet

Trajneri i mirënjohur i xhudos kosovare, Driton Kuka, ka ngritur shqetësime për gjendjen aktuale të sportit në Kosovë, duke theksuar nevojën për krijimin e një gjenerate të re sportistësh elitarë dhe përqendrimin e institucioneve te rezultatet konkrete sportive.

Përmes një reagimi publik, Kuka bëri të ditur se prioritet i ekipit të tij është përgatitja e gjeneratës së re të xhudistëve, e cila sipas tij pritet të jetë konkurruese në ciklet olimpike 2028-2032. Në kuadër të këtij projekti, sportistët e rinj po zhvillojnë kampe stërvitore në Austri, Slloveni dhe Kroaci.

“Prioritet i yni tashmë është kjo gjeneratë që realisht do të jetë e gatshme në ciklin olimpik 2028-2032”, ka shkruar Kuka, duke shtuar se po punohet më shumë se kurrë për ndërtimin e garuesve të rinj që mund të arrijnë rezultate elitare në arenën ndërkombëtare.

Ai vlerësoi se sporti kosovar po përballet me sfidën e ndërrimit të gjeneratave, ndërsa sukseset në xhudo vazhdojnë të mbështeten kryesisht te kampionët aktualë. Sipas Kukës, fakti që Distria Krasniqi ishte e vetmja medaliste e Kosovës në Kampionatin Evropian tregon qartë nevojën për krijimin e emrave të rinj.

“Kur një sportiste e madhe si Distria Krasniqi vazhdon ta mbajë primatin dhe në Kampionatin Evropian ishte e vetmja që fitoi medalje, kjo flet shumë për gjendjen në federatën tonë”, theksoi ai.

Kuka nuk i kurseu kritikat as ndaj institucioneve sportive, duke kërkuar më shumë përgjegjësi dhe fokus te rezultatet e prekshme. Sipas tij, vëmendja nuk duhet të përqendrohet te aktivitetet formale apo promovimet personale, por te arritjet sportive dhe sportistët që kanë potencial për të konkurruar në nivelet më të larta.

“Në qendër të të gjitha institucioneve duhet të jetë rezultati sportiv. Duhet të flitet për të arriturat dhe për sportistët me vlera. Vlera janë normat olimpike, medaljet olimpike, botërore dhe evropiane”, u shpreh trajneri kosovar.

Në fund, ai theksoi se Kosova aktualisht ka shumë pak rezultate të nivelit më të lartë në sportet olimpike gjatë këtij viti, duke shprehur shpresën se pjesa e dytë e vitit do të sjellë më shumë medalje dhe suksese për sportistët kosovarë.

Exit mobile version