Kryemjeshtri Driton Kuka është nderuar me çmimin prestigjioz “Pllaka e Artë” nga Akademia Sportive e Malit të Zi, në kuadër të Konferencës së 24-t Ndërkombëtare të mbajtur në Budva, duke marrë kështu një tjetër vlerësim të rëndësishëm për kontributin e tij në sportin e xhudos dhe sukseset në arenën ndërkombëtare.
Ky çmim i është dhënë për rezultatet e jashtëzakonshme që ka arritur ndër vite si trajner, si dhe për rolin e tij në promovimin e sportit të xhudos në nivel global. Nën udhëheqjen e tij, Kosova ka shënuar suksese historike, duke fituar pesë medalje olimpike (tre të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë), 10 medalje botërore dhe mbi 30 medalje evropiane, duke u renditur ndër vendet më të suksesshme në këtë sport.
Vlerësimi nga Akademia Sportive e Malit të Zi përbën një dëshmi të rëndësishme të ndikimit dhe përkushtimit të Kukës në zhvillimin e sportit, si dhe të punës së tij të palodhshme për ngritjen e xhudos kosovare në majat botërore.
Në të njëjtën kohë, Driton Kuka është pjesë e stafit akademik në Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe Lëvizjes në UBT, ku sjell për studentët përvojën e tij unike nga niveli më i lartë i sportit profesionist. Përfshirja e ekspertëve të tillë në procesin mësimor dëshmon përkushtimin e UBT-së për të ofruar edukim cilësor, të ndërlidhur ngushtë me praktikën dhe suksesin real në arenën ndërkombëtare.

