UBT News

Driton Kuka kujton 10-vjetorin e arit olimpik të Majlinda Kelmendit: Ajo ditë e madhe në Rio de Janeiro

Sot bëhen 10 vjet nga triumfi historik i Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, ku ajo i solli Kosovës medaljen e parë të artë olimpike.

Me këtë rast, trajneri i saj, Driton Kuka, ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale, duke rikujtuar rrugëtimin drejt suksesit më të madh në historinë e sportit kosovar.

Kuka theksoi se para triumfit olimpik, Majlinda kishte fituar katër tituj të kampiones evropiane dhe dy tituj të kampiones botërore, por gjithmonë ekzistonte një pyetje.

“Gjithmonë kishte një ‘por’ nga njerëzit kudo që takonim. ‘Por Olimpiada’, ishte komenti dhe kishin të drejtë, megjithatë Olimpiada është e veçanta”, ka shkruar ai.

Sipas Kukës, më 7 gusht 2016 u plotësua edhe hallka që mungonte në koleksionin e medaljeve.

“Sot 10 vjet erdhi e arta olimpike, ajo që mungonte dhe tashmë i kishim të gjitha medaljet e arta që mund të fitohen në sport. Ne s’jemi ndal me kaq, pas të artës së parë i kemi edhe dy tjera të arta”, u shpreh ai.

Në fund të mesazhit, trajneri i xhudos kujtoi se ajo fitore në Rio ishte një moment historik jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë shqiptarët.

“Ajo ditë e madhe në Rio de Janeiro! E madhe për Kosovën e shqiptarët anembanë botës! U nis në Rio, vazhdoi në Tokio, dashtë Zoti tutje me tjera medalje olimpike”, përfundoi Kuka në postimin e tij.

D.L

Exit mobile version