Sot kanë nisur zyrtarisht Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Kortina 2026, të cilat do të zgjasin deri më 22 shkurt, duke rikthyer Olimpiadën Dimërore në Evropë me një program rekord dhe theks të veçantë te barazia gjinore dhe qëndrueshmëria.
Shqipëria përfaqësohet në këto Lojëra Olimpike nga katër sportistë: Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti. Në qendër të vëmendjes është skiatorja Lara Colturi, e renditur e pesta në botë, e cila konsiderohet si shpresa kryesore për një medalje olimpike për Shqipërinë. Garat kryesore të saj do të zhvillohen më 15 dhe 18 shkurt.
Olimpiada e 25-të Dimërore përfshin një rekord prej 116 eventesh medaljesh dhe shënon përparim të madh në barazinë gjinore, me gratë që garojnë në mbi 53 për qind të eventeve. Këto Lojëra shënojnë gjithashtu një moment historik për barazinë gjinore, pasi për herë të parë drejtohen nga një presidente grua e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Kirsty Coventry.
Shqipëria shpreson që pjesëmarrja në Milano–Kortina 2026 të përfaqësojë një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sporteve dimërore në vend dhe, pse jo, të sjellë një sukses historik në arenën olimpike.
