Superliga e futbollit kosovar do të vazhdojë sot me dy ndeshjet e fundit të xhiros së 29-të. Padyshim, dueli kryesor i ditës, por edhe i krejt kësaj xhiroje do të jetë ai mes Dritës dhe Prishtinës.
Gjilanasit vijnë nga gabimi kundër Malishevës, me ç’rast distanca me Ballkanin u ngushtua në 10 pikë, Prandaj, “Intelektualët” kanë nevojë për fitore në shtëpi për ta ruajtur këtë diferencë dhe për të qenë kështu më të qetë.
Kryeqytetasit e mposhtën në mesjavën e kaluar Dritën në Kupën e Kosovës, ndërsa vazhduan më pas me një tjetër performancë spektakolare kundër Suharekës në Superligë, për ta konfirmuar këndelljen me trajnerin e ri, Arsim Thaqi.
Për këtë, dueli i sotëm mes rivalëve të moçëm pritet të jetë “i zjarrtë”.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të ditës, Ballkani do ta ketë të obligueshme fitoren ndaj Gjilanit në shtëpi dhe të shpresojë më pas në një gabim eventual të lideres Drita, me shpresën që ta ngushtojë disavantazhin në pikë.
Dy ndeshjet e sotme të Superligës do të nisin prej orës 15:00.