Rrugëtimi evropian i FC Drita ka marrë fund, por krenaria për paraqitjen historike mbetet e madhe. Pas një gare dinjitoze dhe me karakter deri në minutat e fundit, skuadra gjilanase u eliminua në plejofin e fazës nokaut të UEFA Europa Conference League, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare.
Drita shënoi dy gola edhe në ndeshjen kthyese ndaj NK Celje, por humbja 3:2 në Slloveni, e njëjta si në Prishtinë një javë më parë, nuk i mjaftoi për të siguruar kualifikimin në një të tetën e finales.
Skuadra vendase kaloi në epërsi në minutën e 18-të me golin e Svit Seshlar, ndërsa vetëm pesë minuta më vonë Darko Hrka realizoi për 2:0. Drita reagoi shpejt: Blerim Krasniqi ngushtoi shifrat në 2:1 në minutën e 26-të, duke rikthyer shpresat për mysafirët. Megjithatë, në momentet më të mira të tyre, gjilanasit pësuan sërish, me Seshlar që realizoi nga penalltia për 3:1.
Në pjesën e dytë, Drita u hodh në sulm dhe Albert Dabiqaj shënoi për 3:2 në minutën e 52-të. Pavarësisht përpjekjeve dhe rasteve të krijuara, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.
Ky eliminim i jep fund një rruge të gjatë evropiane për Dritën, e cila u bë skuadra e parë nga Kosova që arriti në fazën e plejofit të kësaj gare. Në fazën e ligës, Drita përfundoi e 20-ta me tetë pikë, duke siguruar fitore të rëndësishme dhe barazime që i mundësuan avancimin historik.
Ramadani: “Jam krenar për këta futbollistë”
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, pas ndeshjes e cilësoi takimin si “të çmendur” dhe shprehu krenarinë për skuadrën e tij.
“Jam krenar që jam trajner i Dritës dhe i këtyre futbollistëve me karakter kampioni. Me punë, angazhim dhe besim kemi arritur deri këtu. Futbollistët janë më meritorët për historinë që kemi shkruar në futbollin kosovar”, deklaroi Ramadani.
Ai theksoi se rrugëtimi që nisi në korrik ka qenë maratonik, me pak pushim dhe shumë emocione, ndërsa përvojën e kundërshtarit e cilësoi si faktor vendimtar në eliminim. Sipas tij, elementet e forta të Celjes, veçanërisht goditjet standarde, u shfrytëzuan maksimalisht në të dyja ndeshjet.
Ramadani e bëri të qartë se ambicia e klubit mbetet e madhe: synimi është rikthimi në këtë fazë, por në UEFA Europa League.
“Ky sukses nuk duhet të mbahet mend gjatë, por të na shërbejë si motiv për të arritur edhe më shumë. Nëse vijmë sërish deri këtu, synimi është të jemi në Ligën e Evropës”, theksoi ai.
Tashmë, fokusi i Dritës rikthehet në garat vendore, me synimin për titullin kampion. Evropa mbyllet për këtë edicion, por emri i Dritës tashmë është shkruar me respekt në arenën ndërkombëtare.
