UBT News

Drejtori i ATK-së në takim me përfaqësues të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni, priti sot në takim përfaqësues të Projektit për Ekipet e Përbashkëta Hetimore (EPH) të Ambasadës Britanike, në kuadër të një vizite njoftuese me z. Alan Edwards, mentor për EPH.

Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit institucional për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e efikasitetit në luftimin e krimit të organizuar dhe evazionit tatimor.

Z. Edwards ka një përvojë të gjatë profesionale në këtë fushë. Në rolin e tij të ri, ai do të mbështesë institucionet e zbatimit të ligjit përfshirë Administratën Tatimore të Kosovës në themelimin dhe funksionimin e EPH, duke kontribuar në krijimin e një precedenti të suksesshëm që do të lehtësojë trajtimin e rasteve të tjera në mënyrë më efektive.

Drejtori Hyseni vlerësoi lart këtë mbështetje, duke potencuar gatishmërinë e ATK-së për të qenë pjesë aktive në proceset e përbashkëta të bashkëpunimit ndërinstitucional që synojnë forcimin e integritetit dhe transparencës.

Exit mobile version