UBT News

“Drejtësi për Arbnorin”, protestohet në Prishtinë për ish-policin që po mbahet në Serbi

Familjarët e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili tash e katër muaj po mbahet në paraburgim në Serbi, kërkuan drejtësi dhe lirimin e tij të menjëhershëm.

Në protestën e organizuar sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku morën pjesë familjarë, miq dhe qytetarë, u bë thirrje që institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare të ngrisin zërin kundër asaj që u quajt padrejtësi dhe të mbështesin familjen Spahiu.

Organizatorja e protestës, Erza Zeqiri tha se Arbnori është një ish-polic i ndershëm që po mbahet padrejtësisht në burg në Serbi dhe se prania e qytetarëve në protestë është dëshmi kundër padrejtësisë. Ajo i bëri thirrje institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare që të angazhohen për lirimin e tij.

Arbnori, një ish-polic i ndershëm dhe i përkushtuar ndaj shërbimit të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve, sot ndodhet padrejtësisht në burg në Serbi, i privuar nga liria dhe i ndarë nga familja e tij. Prania jonë këtu është më shumë se një mbështetje simbolike. Ajo është dëshmi se padrejtësia nuk mund të mbulohet me heshtje. Ne jemi këtu për të ngritur zërin e Arbnorit, për të thënë me vendosmëri se liria e tij është e drejtë themelore dhe se askush nuk duhet të mbahet peng i padrejtësisë. I bëjmë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që të angazhohen pa ndërprerje për lirimin e tij. Po ashtu, i bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të të drejtave të njeriut, që të marrin përgjegjësinë për të garantuar të drejtat themelore të një qytetari që padrejtësisht po mbahet i burgosur”, tha Zeqiri.

Babai i Arbnorit, Fatmir Spahiu u shpreh se djali i tij është mirë me shëndet fizik, por emocionalisht është i lodhur e i mërzitur nga padrejtësia. Ai shtoi se dokumentacioni është dorëzuar në prokurori dhe se kërkon angazhim më të madh nga institucionet.

Arbnori sa i përket gjendjes fizike është mirë për shkak gjendjes emocionale dihet se është i lodhur e i mërzitur nga padrejtësia që po i bëhet, ndërsa me u malltretu nuk është malltretuar (keqtrajtuar), sjellja ka qenë korrekte, mirëpo ai po e vuan atë pasi që është duke u mbajtur në mënyrë të padrejtë. Policinë e Kosovës e ka lënë me 1 nëntor në 2022, ndërsa ky akuzohet për rastin që ka ndodhur më 24 shtator 2023… ka udhëtuar më herët nuk është ndalë, dokumentacionet i kemi dorëzua avokatit dhe avokati i ka dorëzua në prokurori, institucionet janë angazhuar, mirëpo ne kërkojmë qe të angazhohen më tepër”, Tha Spahiu.

E një familjare tjetër e tij, Donjeta Spahiu shtoi se këta katër muaj paraburgim kanë qenë një periudhë e rëndë për familjen dhe për Arbnorin, duke e cilësuar si “një plagë shpirtërore”. Ajo kritikoi heshtjen e institucioneve, duke thënë se kjo është një padrejtësi e dyfishtë dhe se shteti ka detyrim të mbrojë qytetarët e vet.

Sot jemi në muajin e katërt të kësaj padrejtësie. Katër muaj janë shumë, janë të përjetuar si një përjetësi për familjen që zgjohet çdo ditë me ankth, me lot dhe me shpresën se kjo padrejtësi do të marrë fund. Janë katër muaj të rëndë edhe për Arbnorin, i cili dikur, me dinjitet dhe përkushtim, i shërbente këtij vendi, dhe sot është i mbajtur larg lirisë së tij. Ky nuk është vetëm një burg fizik, por edhe një plagë e thellë shpirtërore për familjen dhe për gjithë shoqërinë tonë. Ne i bëjmë thirrje institucioneve tona shtetërore që të mos heshtin, të mos vonojnë dhe të mos e neglizhojnë këtë rast. Heshtja e shtetit nuk është thjesht dështim, është një padrejtësi e dyfishtë. Është detyrë e shtetit të mbrojë çdo qytetar të tij, pavarësisht se ku gjendet ai”, u shpreh ajo.

Ish-zyrtari i Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu u arrestua nga autoritetet serbe më 7 qershor 2025 në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, ndërsa po udhëtonte nga Austria drejt Kosovës së bashku me familjen e tij.

Më 9 qershor 2025, Gjykata e Suboticës i caktoi Spahiut masën e paraburgimit për 30 ditë nga akuzat që Serbia i mbështet si “vrasje e rëndë” në lidhje me Banjskën./D.B/KP

Exit mobile version