UBT News

Drama e re në Spanjë: Reali në shënjestër për sulmet ndaj arbitrimit!

La Liga ka ndërmarrë një hap të pazakontë duke paraqitur një padi kundër Real Madridit pranë Komitetit të Disiplinës së Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit. Sipas raportimeve të “El Partidazo de Cope”, arsyeja e këtij veprimi lidhet me ankesën zyrtare të Realit pas ndeshjes kundër Espanyolit, ku klubi madrilen kritikoi ashpër arbitrimin, veçanërisht për mosndëshkimin me karton të kuq të Romeros pas një ndërhyrjeje ndaj Kylian Mbappé.

Sipas La Ligës, letra e dërguar nga Real Madridi vë në dyshim integritetin e garës dhe ushtron presion mbi gjyqtarët, duke cënuar imazhin e kampionatit. Pas pranimit të padisë, Komiteti i Disiplinës do të kërkojë shpjegime nga klubi madrilen dhe mund të hapë një procedurë hetimore, e cila në rast të shkeljeve të konstatuara, mund të rezultojë në sanksione për “Los Blancos”.

Ndërkohë, presidenti i La Ligës ka bërë deklarata të forta në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”, ku kritikoi mënyrën se si UEFA shpërndan të ardhurat nga Champions League dhe Botërori i Klubeve. Sipas tij, ky sistem po ndihmon një numër të vogël klubesh të pasurohen edhe më shumë, duke krijuar një oligarki në futbollin evropian dhe duke thelluar pabarazinë mes skuadrave.

Ky tension i ri mes La Ligës dhe Real Madridit vetëm sa shton përplasjet mes palëve, duke rritur temperaturat në futbollin spanjoll. Mbetet për t’u parë nëse klubi madrilen do të përballet me ndëshkime disiplinore apo nëse ky konflikt do të marrë përmasa edhe më të mëdha./UBTNews/

Exit mobile version