Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për të ofruar një edukim bashkëkohor dhe të ndërlidhur me praktikën profesionale, Fakulteti i Psikologjisë në UBT organizoi një ligjëratë të veçantë për studentët e programit Master, në kuadër të lëndës “Psikologji e Avancuar Zhvillimore”, të udhëhequr nga prof. Fatbardha Qehaja Osmani.
E ftuar ishte Dr. Xhida Lumi, psikiatre dhe psikoterapiste me veprimtari profesionale në Zvicër, e cila ndau me studentët përvojën e saj shumëvjeçare në fushën e shëndetit mendor, psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve, si dhe në edukimin dhe trajnimin profesional të specialistëve të rinj.
Përmes ligjëratës me temën “Zhvillimi, Shëndeti dhe Rezilienca tek Fëmijët (Si t’i njohim, forcojmë dhe shoqërojmë fuqitë e brendshme)”, Dr. Lumi trajtoi aspekte të rëndësishme të zhvillimit psikologjik të fëmijëve, faktorët që ndikojnë në mirëqenien e tyre emocionale dhe mënyrat për të nxitur reziliencën dhe potencialin e tyre individual.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe fenomenit të migrimit dhe ndikimit që ai mund të ketë në zhvillimin emocional, social dhe psikologjik të fëmijëve, duke ofruar perspektiva profesionale dhe raste konkrete nga praktika klinike ndërkombëtare.
Studentët patën mundësinë të angazhohen në diskutime interaktive, të shtrojnë pyetje dhe të njihen nga afër me qasje moderne terapeutike dhe klinike, duke përfituar njohuri të vlefshme që ndërlidhin teorinë akademike me realitetin profesional.
Aktivitete të tilla dëshmojnë përkushtimin e Fakultetit të Psikologjisë në UBT për të krijuar një mjedis studimi dinamik, ku studentët kanë mundësi të mësojnë nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të zhvillojnë kompetenca profesionale të avancuara dhe të përgatiten për sfidat e profesionit në një kontekst global.

