UBT News

Dorëzohet kërkesa për shkarkimin e ministres serbe Snezhana Paunoviq pas deklaratave për “spastrim etnik”

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se është dorëzuar zyrtarisht kërkesa për shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj skandaloze me të cilat arsyetoi spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë viteve të nëntëdhjeta.

Kësaj iniciative të nisur nga grupi parlamentar “Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik” i janë bashkuar edhe 47 deputetë të tjerë, duke bërë që gjithsej 53 deputetë të opozitës t’i dorëzojnë kryeministrit Gjuro Macut kërkesën zyrtare për shkarkim të menjëhershëm.

Kamberi ka theksuar se kryeministri ka përgjegjësi politike dhe institucionale për të dëshmuar se në qeveri nuk ka vend për njerëz që mbrojnë dëbimin e qytetarëve mbi baza kombëtare, duke shtuar se në rast refuzimi, vetë kryeministri do të mbajë përgjegjësinë për normalizimin e kësaj politike brenda kabinetit të tij.

Megjithatë, deputeti shqiptar ka shprehur keqardhje që kjo nismë nuk mori mbështetjen e partive të tjera të pakicave nacionale që janë pjesë e koalicionit qeverisës në Serbi. Sipas Kamberit, shkarkimin e ministres Paunoviq nuk e kanë përkrahur as partia boshnjake e Zukorliqit, as ajo e Lajiqit dhe as partia hungareze e Pastorit.

Nga ana tjetër, pas reagimeve të ashpra brenda dhe jashtë vendit, vetë ministrja Snezhana Paunoviq ka kërkuar falje publike ndaj presidentit Vuçiq, kryeministrit Macut dhe qeverisë, duke u arsyetuar se deklarata e saj ishte nxjerrë krejtësisht jashtë kontekstit dhe se nga intervista ishte shkëputur vetëm një sekuencë prej shtatë sekondash për t’u shndërruar në një sulm politik.

Ndërkaq, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, gjatë qëndrimit të tij në Kiev, u distancua hapur nga këto komente, duke i cilësuar ato si të pamenduara dhe të papërgjegjshme, dhe duke deklaruar se politika zyrtare e shtetit mbetet dialogu dhe kurrë spastrimi etnik. /E.A/

 

Exit mobile version