Boksierja kosovare Donjeta Sadiku e ka nisur me fitore bindëse paraqitjen në turneun prestigjioz ndërkombëtar Strandja Tournament, që po mbahet në Sofia.
Në kuadër të xhiros së dytë në kategorinë deri në 60 kilogramë, Sadiku mposhti me vendim unanim 5:0 boksieren nga Çekia, Barbora Maxova, duke dominuar plotësisht në të tri raundet. Të pesë gjyqtarët e vlerësuan boksieren kosovare dukshëm më të mirë, me pikë 30:26, 30:26, 29:27, 30:26 dhe 30:27.
Sadiku u shfaq e sigurt në ring, me teknikë të pastër, lëvizje të shpejta dhe goditje precize, duke mos i lënë hapësirë kundërshtares. Me këtë fitore ajo ka siguruar kalimin në çerekfinale, duke vazhduar rrugëtimin drejt medaljes në edicionin e 77-të të turneut, që konsiderohet më i vjetri i boksit amator në Evropë.
Vlen të theksohet se Sadiku është kampione në fuqi e këtij turneu, pasi vitin e kaluar fitoi medaljen e artë në “Strandja”, ndërsa në kategorinë deri 60 kilogramë këtë vit po garojnë 10 boksiere.
Në Sofje po garojnë edhe boksierët kosovarë Shpëtim Bajoku dhe Taulant Jakupi, por të dy u mposhtën në duelet e para. Bajoku, në kategorinë deri 70 kilogramë, u ndal nga gjermani Randy Botikali, ndërsa Jakupi, në kategorinë deri 90 kilogramë, u mposht nga italiani Dean Nwokedi.
Në këtë edicion të “Strandja” po marrin pjesë mbi 300 boksierë nga vende të ndryshme të botës.
