Donjeta Sadiku ka shkruar historinë e boksit kosovar për femra pasi ka siguruar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të Boksit që u mbajt në Turqi.
Sadiku arriti deri në gjysmëfinale të këtij turneu duke fituar tri luftëra dhe më pastaj u ndal nga boksierja amerikane Shakiyla Rashida Ellis.
Suksesi i saj u vlerësua lartë nga drejtuesit e institucioneve sportive në vend, duke e cilësuar atë si një ndër sukseset më të mëdha të boksit kosovar që pas viteve ’70-ta e të ’80-ta.
Tani, Donjeta Sadiku do të kthehet në Kosovë në mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 23:00, ndërsa të dielën do të ketë një pritje të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës për të.
Pritja do të bëhet në sallën “1 Tetori”, duke filluar nga ora 12:00, ku do të jenë të pranishëm përfaqësues të Komitetit Olimpik të Kosovës si dhe ata të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport. I ftuar në këtë pritje për Sadikun është gjithashtu edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.