Ekspertja e politikës së jashtme, Donika Emini, ka kritikuar interpretimin e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në mbrëmjen hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke e cilësuar të papranueshme përzgjedhjen e një kënge që përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës.
Gjatë fjalimit të mbajtur më 16 nëntor, Emini tha se ngjarja e kishte detyruar ta ndryshonte tërësisht fjalimin e përgatitur. Ajo e nisi paraqitjen duke cituar disa vargje të këngës, të interpretuar një natë më parë.
“Popull serb, thërrit fort. Kosovë, nuk do të të dorëzojmë. Ti gjithmonë ke qenë e jona. Kështu ka qenë që nga kohët e lashta”, citoi Emini, duke theksuar se teksti përmban pretendime të drejtpërdrejta territoriale ndaj Kosovës.
Ajo ngriti pikëpyetje nëse institucionet evropiane i kuptojnë kompleksitetet politike dhe ndjeshmëritë historike të Ballkanit Perëndimor.
“Pas asaj që ndodhi mbrëmë, vërtet pyes veten nëse ata i kuptojnë kompleksitetet e rajonit, edhe pse po flasim për një Komision Evropian që është mjaft afër këtij rajoni”, deklaroi ajo.
Emini tregoi se kishte vendosur të merrte pjesë në forum pasi kishte vërejtur mungesën e përfaqësuesve nga Kosova në listën e folësve. Megjithatë, ajo theksoi se prania e saj si përfaqësuese e shoqërisë civile nuk mund ta zëvendësonte përfaqësimin institucional të vendit.
Ajo tha se nuk do të befasohej nëse një këngë e tillë do të interpretohej në tubime nacionaliste apo në një tubim të ish-presidentit serb Slobodan Millosheviq, por u shpreh e befasuar që ajo u dëgjua në një aktivitet të Komisionit Evropian.
“U befasova shumë kur e dëgjova në Komisionin Evropian, një projekt paqeje, një projekt që po e udhëheq rajonin drejt demokracisë”, u shpreh Emini.
Ekspertja sqaroi se kundërshtimi i saj nuk kishte të bënte me gjuhën apo muzikën serbe, duke theksuar se do ta mirëpriste interpretimin e këngëve shqipe dhe serbe që promovojnë bashkëjetesën dhe tejkalimin e ndarjeve.
Në përfundim të fjalimit, Emini i bëri thirrje Bashkimit Evropian të mos riprodhojë narrativa nacionaliste dhe revizioniste që, sipas saj, kanë penguar procesin e pajtimit në Ballkan.
“A mundeni të paktën të mos i riprodhoni narrativat revizioniste dhe propagandistike të një regjimi që e përçau rajonin dhe që e bëri pajtimin kaq të vështirë deri më sot?”, pyeti ajo.
Fjalimi u mbajt në kuadër të forumit “Përmes pajtimit drejt zgjerimit të Bashkimit Evropian”, më 16 nëntor, një ditë pas interpretimit të këngës në mbrëmjen hapëse të aktivitetit në Bruksel./A.K/
