Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, fitoi më shumë se 1 miliard dollarë vitin e kaluar nga bizneset e tij me kriptomonedha, sipas raportit të tij të detyrueshëm financiar për vitin 2025.
Në deklaratën prej 927 faqesh, ai raportoi 635 milionë dollarë fitime nga një “meme coin” (monedhë virtuale) me emrin e Trump-it, vlera e së cilës ka rënë ndjeshëm që nga periudha kur ai e lansoi atë, vetëm pak ditë para se të merrte detyrën.
Ai gjithashtu raportoi mbi 500 milionë dollarë të ardhura nga “World Liberty Financial”, një kompani kriptomonedhash e themeluar nga djemtë e tij dhe fëmijët e të dërguarit të tij të posaçëm, Steve Witkoff.
Trump fitoi miliona të tjerë nga pasuritë e paluajtshme dhe produktet me brendin e tij. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka mohuar që ai po përfiton financiarisht nga pozita e presidentit.
Fitimet nga deklarimi i tij i fundit financiar i kalojnë dukshëm ato të vitit 2024, kur Trump kishte deklaruar mbi 600 milionë dollarë të ardhura.
Shtëpia e Bardhë, e cila ka theksuar vazhdimisht se Trump i ka kaluar bizneset e tij në një fond të menaxhuar nga djemtë e tij, përsëri mohoi të ketë ndonjë konflikt interesi.
Zëvendëspressekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha se presidenti e ka bërë me krenari SHBA-në “kryeqytetin e kriptomonedhave në botë”.
“As Presidenti dhe as familja e tij nuk janë përfshirë kurrë – dhe nuk do të përfshihen – në konflikte interesi”, tha ajo në një deklaratë, duke shtuar: “Të gjitha veprimet e Presidentit Trump dhe administratës së tij ndërmerren në interesin më të mirë të popullit amerikan – dhe çdo i ashtuquajtur ‘gazetar’ që pretendon të kundërtën, thjesht po riciklon të njëjtën narrativë të vjetër dhe të rreme që demokratët dhe mediat tradicionale po e shtyjnë tash e një dekadë.”
Vetë presidenti gjithashtu ka potencuar se ai nuk i nënshtrohet ligjeve federale për konfliktin e interesit.
Trump dikur i kishte kritikuar kriptomonedhat, duke e quajtur Bitcoin-in një “mashtrim” dhe “një katastrofë që pret të ndodhë”.
Mirëpo, deklarimi i së martës tregon se fitimet e tij nga kriptomonedhat lanë plotësisht në hije të ardhurat nga biznesi i tij i pasurive të paluajtshme, i cili e bëri atë të famshëm fillimisht.
Ai fitoi rreth 77 milionë dollarë nga klubi i tij Mar-a-Lago dhe 122 milionë dollarë nga klubi i tij i golfit në Doral të Floridës. Ai gjithashtu fitoi mbi 30 milionë dollarë nga secili prej klubeve të golfit në Bedminster (New Jersey), Jupiter (Florida) dhe Turnberry (Skoci).
Sipas deklaratës financiare, Trump fitoi miliona edhe nga sipërmarrje të tjera biznesi. Këtu përfshihen 4.7 milionë dollarë nga markat e orëve me emrin Trump, krahas Biblave, atletet, parfumet dhe kitarat e brenduara me emrin e tij. /BBC/ /E.A/
