UBT News

“Don Kishoti”, përsëri në shqip 100 vjet pas përkthimit të Nolit

Përkthimi i dytë në shqip i romanit të njohur të Miguel de Cervantesit, Don Kishoti i Mançës, është realizuar nga Bajram Karabolli, pas 100 vjetësh nga përkthimi i parë i njohur i Fan Nolit. Ky ripërkthim i veprës, i cili u prezantua në një takim letrar të organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL), sjell një shqipe më të pasur dhe përmban fragmente të reja që nuk ishin përkthyer më parë.

Romani, që u botua për herë të parë në 1605 (pjesa e dytë në 1615), ka mbetur një nga veprat më të lexuara dhe të dashura edhe në ditët e sotme. Figura e Don Kishotit dhe aventura e tij janë përdorur shpesh për të ilustruar fenomenet dhe karakteristikat të cilat i referohen dëshirës për të luftuar drejt idealeve, përballë realitetit.

Në këtë aktivitet letrar, Bajram Karabolli shpjegoi procesin e përkthimit dhe sfidat që lidhen me përshtatjen e veprës në gjuhën shqipe. Ai gjithashtu ndau me audiencën e rinjve informacion mbi jetën dhe veprën e Cervantesit, përkthimet e tjera ndërkombëtare të Don Kishotit dhe ndryshimet që ka përjetuar ky roman gjatë historisë së tij të përkthimit, përfshirë ato të Fan Nolit dhe Viktor Zhejit.

Përkthimi i Karabollit ofron një mundësi të re për lexuesit shqiptarë për të kuptuar më thellë veprën e madhështore të Servantesit, duke i afruar atyre një shqipe të freskët dhe më të pasur, që mundëson një lexim dhe interpretim më të gjerë të kësaj krijimtarie të paharrueshme./UBTNews/

 

Exit mobile version