Në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit 2026, një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike dhe kulturore në kuadër të 25-vjetorit të UBT-së, Fakulteti i Artit dhe Dizajnit, në bashkëpunim me Gran Fest, do të mirëpresë në UBT artistin e njohur francez Dominique Bertail, një prej emrave më të rëndësishëm ndërkombëtarë në fushën e ilustrimit, storytelling-ut vizual dhe romanit grafik.
Ky aktivitet i veçantë do të mbahet sot, më 8 maj, në Bibliotekën e UBT-së në Kampusin Inovativ në Lipjan, duke sjellë për studentët dhe komunitetin krijues një mundësi të rrallë për të bashkëbiseduar dhe mësuar drejtpërdrejt nga një artist me përvojë të gjerë ndërkombëtare.
Dominique Bertail, i njohur për kontributin e tij të shquar në ilustrim dhe roman grafik, do të ndajë me pjesëmarrësit procesin e tij krijues, eksperiencat profesionale në skenën ndërkombëtare dhe qasjet bashkëkohore në zhvillimin e narrativës vizuale, duke ofruar një perspektivë të avancuar mbi ndërthurjen e artit, tregimit dhe dizajnit modern.
Përmes kësaj punëtorie ekskluzive, studentët e Fakultetit të Artit dhe Dizajnit, si dhe të gjithë të interesuarit, do të kenë mundësinë të eksplorojnë dimensione të reja të ilustrimit bashkëkohor, të zhvillojnë inspirim të ri artistik dhe të angazhohen në shkëmbim idesh me një nga figurat më të rëndësishme të industrisë kreative evropiane.
Ky organizim dëshmon përkushtimin e UBT-së për të sjellë në Kosovë përvoja ndërkombëtare të nivelit të lartë dhe për të krijuar ura të fuqishme bashkëpunimi ndërmjet studentëve dhe profesionistëve globalë të artit dhe dizajnit.
