Dollari amerikan u stabilizua sot në prag të publikimit të shumëpritur të procesverbalit të mbledhjes së fundit të Rezervës Federale (FED) për politikën monetare, ndërsa euro u forcua lehtë.
Indeksi i dollarit, i cili mat vlerën e monedhës amerikane kundrejt një shporte prej gjashtë rivalësh, mbeti kryesisht i pandryshuar në 107.1 pikë, pasi ra me 0.65 për qind të martën për shkak të rritjes së ndjenjës së investitorëve për investime në monedha më të rrezikshme.
Dollari është forcuar ndjeshëm këtë vit kundrejt të gjitha monedhave kryesore botërore, i nxitur nga një rritje e madhe e normës bazë të interesit të FED me synimin për të frenuar rritjen e çmimeve të konsumit.
Megjithatë, të dhënat e fundit që tregojnë se inflacioni në SHBA është ftohur më shumë se sa pritej, kanë bërë që investitorët të reduktojnë bastet e tyre për rritjen e ardhshme të normave të interesit.
Procesverbali i mbledhjes së fundit të FED-it, të cilin investitorët do ta analizojnë për të marrë disa sugjerime për lëvizjet e mëtejshme të bankës qendrore në lidhje me normat e interesit, duhet të publikohet sonte në orën 19:00.
Euro u rrit me 0.1 për qind në 1.03090 dollarë, pasi të dhënat e reja treguan një rënie të aktivitetit të biznesit të eurozonës të moderuar në nëntor.
Funta britanike ishte kryesisht e ndryshueshme në 1.18915 dollarë, pavarësisht një sondazhi që tregon se aktiviteti ekonomik britanik ra me ritmin më të shpejtë në gati dy vjet këtë muaj.
Situata në tregun e kriptomonedhave është ende e trazuar. Bitcoin luhatet mes humbjeve dhe fitimeve dhe sipas të dhënave më të fundit nga shkëmbimi i kriptove, ai u forcua me 2 për qind, në 16.520 dollarë.