Ajo ishte faraonesha e fundit e Egjiptit, një lidere legjendare e cila sipas besimit popullor i dha fund jetës duke lejuar që një kobër vdekjeprurëse t’ia kafshonte gjoksin. Por mbi 2 mijë vjet nga vdekja e saj, gruaja e cila kishte aferë dashurie me Jul Cezarin dhe Mark Antonin, ka ndezur polemika mbi racën dhe përfaqësimin.
Në dokumentarin katër pjesësh të Netflixit, “Mbretëresha Kleopatra”, roli i saj luhet nga aktorja Adele James, me racë të përzier. Kjo ka zemëruar ekspertët egjiptianë të cilët këmbëngulën se ajo kishte “ngjyrë lëkure të bardhë dhe karakteristika helenistike”.
Këtë javë, ministria egjiptiane e antikiteteve publikoi një deklaratë të gjatë, ku ekspertë të shumtë ranë dakord mbi ngjyrën e lëkurës dhe tiparet e fytyrës së Kleopatrës.
“Relivet dhe statujat e mbretëreshës Kleopatra janë dëshmia më e mirë”, thuhet në deklaratë.
Mostafa Waziri, kreu i Këshillit të Lartë të Antikiteteve, përshkrimi që iu bë mbretëreshës në dokumentarin e Netflixit, nuk ishte asgjë më pak se “falsifikim i historisë egjiptiane”.
Ai tha se nuk kishte asgjë raciste në këtë drejtim, që u nxit nga “mbrojtja e historisë së Mbretëreshës Kleopatra, si një pjesë e rëndësishme e historisë së Egjiptit në antikitet”.
Në mes të polemikave mbi këtë çështje në Twitter, James tha se: “Nëse nuk ju pëlqen aktrimi, mos e shikoni shfaqjen”.
Tudum, faqja zyrtare shoqëruese e Netflix, në fillim të kësaj jave citoi producentët e serialit të kenë thënë: “Etnia e saj nuk është fokusi i [serialit] mbretëresha Kleopatra, por ne vendosëm qëllimisht ta përshkruajmë atë me etni të përzier për të pasqyruar teoritë rreth prejardhjes së mundshme egjiptiane të Kleopatrës dhe natyrës multikulturore të Egjiptit të lashtë”./UBTNews/