DokuFest 2026 ka shpallur filmat fitues të edicionit të sivjetmë, duke kurorëzuar një javë të mbushur me dokumentarë, histori njerëzore dhe rrëfime që trajtojnë tema të rëndësishme shoqërore, politike dhe mjedisore.
Në garën kombëtare, çmimi kryesor Best in National Competition iu dha filmit Searching for Poetry, me regji të Lorin Terezit. Çmimi e vendos filmin në qendër të vëmendjes së edicionit të sivjetmë dhe shënon një vlerësim të rëndësishëm për kinemanë dokumentare vendore.
Në kategorinë Best Balkan Feature Dox, fitues u shpall As the Spring Arrives, Water Recalls the Nomads, me regji të Dilşad Aladağ. Ndërsa The Thing to Be Done, nga Srdan Kovačević, mori një Special Mention.
Çmimi për Best Balkan Short Dox shkoi për Towards Where to Breathe, me regji të Stefan Pavlović.
Edhe gara ndërkombëtare solli një listë të larmishme fituesish. From Dawn to Dawn, me regji të Xisi Sofia Ye Chen, u shpall Best International Feature Dox, ndërsa Normal Planet, nga Ekiem Barbier, Guilhem Causse dhe Quentin L’helgoualc, fitoi çmimin Best International Short Dox.
Në kategorinë International Shorts, juria vlerësoi me çmimin kryesor Kleptomania, nga Qu Jingkai. Venezia Diorama, me regji të Nicolas Piret, mori Special Mention.
Kinemaja që trajton çështjet mjedisore u vlerësua përmes kategorisë Best Green Dox, ku çmimi shkoi për Krakatoa, me regji të Carlos Casas.
Në kategorinë Human Rights Dox, çmimi kryesor iu dha The Clearing, nga Sabine Groenewegen, ndërsa A City in the Forest, me regji të Lev Omelchenko dhe Nolan Huber, u nderua me Special Mention.
Publiku i DokuFestit dha gjithashtu verdiktin e tij. Audience Award iu dha filmit The Beauty of the Donkey, me regji të Dea Gjinovcit, ndërsa Distribution Award shkoi për Dance nga Hana Bucalija.
Një nga momentet e rëndësishme të edicionit ishte edhe nominimi për European Film Academy. Si festival partner i akademisë, DokuFest përzgjedh çdo vit një film nga programi i tij për nominim. Për edicionin e vitit 2026, ky vlerësim i është dhënë filmit Tarik, me regji të Adem Tutiq.
Me këta fitues, DokuFest 2026 mbyll një tjetër edicion të rëndësishëm për filmin dokumentar, duke sjellë në Prizren krijues nga Kosova, Ballkani dhe skena ndërkombëtare. Çmimet e këtij viti pasqyrojnë një program ku dokumentari nuk shërben vetëm si mënyrë për të rrëfyer realitetin, por edhe si hapësirë për të ngritur pyetje mbi shoqërinë, identitetin, të drejtat e njeriut dhe marrëdhënien tonë me botën përreth./A.K/
