Si mund të shndërrohet kinemaja në një hapësirë ku krijohen miqësi të vërteta? Dhe a mund të ndikojë filmi në mënyrën se si njerëzit lidhen me njëri-tjetrin dhe me realitetin shoqëror? Këto janë disa nga pyetjet që trajton numri i gjashtë i DOKUDAILY, në kuadër të edicionit të 25-të të DokuFest.
Në këtë numër rrëfehet edhe historia e Michèle Firk, një figurë që e lidhi jetën e saj ngushtë me kinemanë dhe revolucionin. Ajo iu bashkua përpjekjeve të Frontit Nacional Çlirimtar të Algjerisë, jetoi për një kohë në ilegalitet, organizoi shfaqje të filmave të censuruar dhe udhëtoi drejt Kubës revolucionare.
Historia e saj është në qendër të filmit “A Life, A Manifesto”, të regjisorit Jean-Gabriel Périot, i cili ndjek rrugëtimin e Firk dhe mënyrën se si kinemaja u bë pjesë e angazhimit të saj politik.
Firk kishte ëndërruar edhe të realizonte një film në Guatemalë, me protagonist popullin, por jeta e saj përfundoi tragjikisht në moshën 31-vjeçare, kur u përball me arrestimin nga policia guatemalase.
Përmes kësaj historie, DOKUDAILY hap diskutimin mbi rolin e kinemasë përtej ekranit: si një hapësirë ku njerëzit takohen, krijojnë lidhje, shprehin ide dhe përballen me realitetin.
Numri i gjashtë publikohet gjatë DokuFest 2026, që po mbahet nga 7 deri më 15 gusht në Prizren, duke sjellë histori dhe reflektime mbi fuqinë e filmit për të ndikuar në shoqëri./A.K/
