Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë, ku gjatë kontrollit të një kamioni janë zbuluar sasi të konsiderueshme të produkteve të padeklaruara me vlerë rreth 72,600 euro, pa përfshirë taksat e importit.
Rasti është identifikuar gjatë procedurës së zhdoganimit, pasi zyrtari doganor ka ngritur dyshime për përputhshmërinë mes peshës së paraqitur në dokumentacion dhe ngarkesës faktike.
Pas peshimit të automjetit ka rezultuar se kamioni ishte më i rëndë se sa ishte deklaruar. Me këtë rast, zyrtarët kanë ushtruar kontroll të hollësishëm, me ç’rast kanë zbuluar mallra të padeklaruara:
- 1,036 palë këpucë;
- 2,980 copë veshmbathje (pothuajse të gjitha me marka tregtare të mbrojtura).
Lidhur me këtë rast janë iniciuar procedurat përkatëse administrative dhe janë njoftuar organet kompetente për trajtim të mëtejmë ligjor.
Dogana e Kosovës i ka kujtuar të gjithë operatorëve ekonomikë se sipas Kodit Doganor dhe të Akcizave, çdo mall duhet të deklarohet saktësisht, ndërsa ka konfirmuar përkushtimin e saj për luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e konkurrencës së drejtë në treg. /E.A/
