UBT News

Dogana zbulon deklarim të pasaktë të mallrave në Vërmicë

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë ndaluar në terminalin doganor të Vërmicës një sasi mallrash me vlerë rreth 3,400 euro, pasi gjatë kontrollit janë konstatuar parregullsi në deklarimin tarifor.

Dyshimet fillestare për klasifikim të pasaktë tarifor u ngritën gjatë verifikimit të dokumentacionit të dorëzuar nga operatori ekonomik, çka bëri që ngarkesa të ndalohej për kontroll të detajuar fizik. Pas ekzaminimit, doganierët vërtetuan se mallrat i përkisnin një kodi tjetër tarifor, i cili ligjërisht kërkon pajisjen me licencë të veçantë importi.

Sipas Kodit Doganor dhe të Akcizave, ky veprim cilësohet si kundërvajtje doganore për deklarim të pasaktë të mallrave, ndaj të cilit do të pasojnë masat e parapara ligjore.

Me këtë rast, Dogana e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që nëse kanë paqartësi rreth klasifikimit tarifor të mallrave që planifikojnë t’i importojnë, të kërkojnë paraprakisht sqarime zyrtare nga institucioni, në mënyrë që të shmangen shkeljet dhe vonesat gjatë procedurave doganore. /E.A/

Exit mobile version