UBT News

Dogana zbulon 150 mijë euro të padeklaruara në Vërmicë

Zyrtarët e Sektorit të Antikontrabandës të Doganës së Kosovës kanë parandaluar një rast të mosdeklarimit të mjeteve monetare në Pikëkalimin Kufitar të Vërmicës, duke zbuluar 150,000 euro të fshehura në një veturë.

Rasti ka ndodhur mbrëmjen e 12 nëntorit, rreth orës 19:00, në hyrje të Republikës së Kosovës. Ndonëse drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk posedonte asgjë për të paraqitur te doganierët, gjatë kontrollit të detajuar të veturës u gjetën paratë e padeklaruara. Fillimisht, shoferi kishte thënë verbalisht se shuma ishte 120,000 euro, por pas numërimit zyrtar rezultoi se ishin 150,000 euro, të gjitha në kartëmonedha prej 50 eurosh.

Në përputhje me procedurat ligjore për mosdeklarimin e mjeteve monetare, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë këto masa:

37,500 euro (25% e shumës) janë konfiskuar menjëherë për mosdeklarim.

112,500 euro (75% e shumës) janë ndalur për deponim dhe ruajtje deri në përfundimin e procedurave hetimore.

Në vendngjarje kanë dalë zyrtarët e Sektorit të Hetimeve të Doganës në koordinim me Prokurorinë kompetente në Prizren. Me udhëzim të prokurorit kujdestar, drejtuesi dhe automjeti janë liruar, ndërsa ai është obliguar të paraqesë dokumentacionin përkatës për të dëshmuar prejardhjen e parave.

Dogana e Kosovës u rikujton udhëtarëve se deklarimi i mjeteve monetare në vlerë prej 10,000 euro ose më shumë është detyrim ligjor gjatë hyrjes apo daljes nga vendi.

Exit mobile version