Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrollit në një subjekt ekonomik në Prishtinë, në një nga bodrumet e objektit është gjetur një kasafortë e mbuluar me pako, e cila pas hapjes ka rezultuar të përmbajë një sasi të konsiderueshme telefonash të rinj të padeklaruar.
Pala nuk ka ofruar asnjë dokumentacion për origjinën e mallit, transmeton KosovaPress.
Sasia e gjetur dhe sekuestruar është si vijon:
19 copë telefona mobil të mençur SAMSUNG GALAXY A26 5G
21 copë telefona mobil të mençur SAMSUNG GALAXY A16
1 copë tablet SAMSUNG GALAXY TAB A9+ 5G
Në total janë sekuestruar 41 pajisje të reja elektronike. Sekuestrimi është kryer në përputhje me procedurat ligjore, duke u plotësuar dokumentacioni përkatës.
Dogana e Kosovës thotë se do të vazhdojë me procedurat administrative dhe hetimore lidhur me këtë rast. Kontrolli i tregtisë ilegale dhe mbrojtja e tregut të brendshëm nga mallrat e padeklaruara mbeten ndër prioritetet kryesore të institucionit./D.B/KP