Dogana e Kosovës ka zbuluar një sasi të konsiderueshme të mallrave të padeklaruara gjatë një kontrolli të detajuar të realizuar të enjten në Prishtinë. Përmes mekanizmave të menaxhimit të riskut, zyrtarët doganorë kishin përzgjedhur për kontroll një kamion që transportonte mallra të deklaruara nga një operator ekonomik, ku më pas hasën në artikuj të fshehur që u nënshtrohen kërkesave për leje importi dhe autorizimeve për tregtimin e mallrave të akcizës.
Gjatë inspektimit të dërgesës, në kamion janë gjetur 11 mijë e 520 paketime me prezervativë, secila me nga tri copë, si dhe 400 copë cigare elektronike. Sipas vlerësimeve të Doganës, vlera e përgjithshme e këtyre mallrave të zbuluara, pa llogaritur detyrimet doganore dhe tatimore, kap shumën e rreth 4 mijë e 400 eurove.
Nga Dogana e Kosovës kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë me zbatimin e mekanizmave të kontrollit për të identifikuar dhe parandaluar rastet e mosdeklarimit të mallrave, me synim mbrojtjen e interesave financiare të shtetit, sigurimin e konkurrencës së drejtë në treg dhe respektimin e kërkesave ligjore për qarkullimin e mallrave në vend. /E.A/
