Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka pritur në takim ushtruesin e detyrës së drejtorit të Doganës së Kosovës, Ibrahim Xhaka me bashkëpunëtorët e tij.
Sipas njoftimit të ATK-së, deri më tani ka rënie të theksuar të pagesës së detyrimeve tatimore dhe doganore si pasojë e pandemisë COVID-19.
“Gjatë këtij takimi drejtorët e dy institucioneve kryesore të të hyrave, folën edhe për ndikimin e deritanishëm të pandemisë COVID-19 në efektshmërinë e këtyre dy institucioneve, e cila në masë të madhe ka goditur ekonomin e vendit tonë, e si rrjedhojë deri më tani ka rënie të theksuar të qarkullimit të bizneseve, si dhe pagesës së detyrimeve tatimore e doganore”, njofton ATK-ja.
Drejtorët e dy institucioneve theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit, si dhe koordinimin e aktiviteteve mes dy institucioneve kryesore për mbushjen e buxhetit të shtetit. /Telegrafi/