Është paralajmëruar që në ditët në vijim do të ndalohet qarkullimi i kombi-busëve nga Mitrovica dhe Vushtrria. Kjo u diskua në takimin që patën drejtorët e Komunës së Mitrovicës me zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës.
“Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Valon Brahimi, dhe Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Granit Tmava, sot kanë pritur në takim këshilltarë të ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës, zyrtarë policor të Trafikut Rrugor, si dhe drejtoreshën e Inspekcionit në Komunën e Vushtrrisë, Shqiponje Hajdari Mikushnica. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, dhe përfaqësues nga transporti rrugor ndër urban të udhëtarëve në Mitrovicë. Arsyeja e këtij takimi ishte ndërmarrja e masave për ndalimin e qarkullimit të kombi-busëve në relacionin Mitrovicë- Prishtinë dhe Vushtrri- Prishtinë, si dhe anasjelltas”, thuhet në komunikatën e Komunës së Mitrovicës.
Tutje thuhet se “Nga ky takim akterët relevant u dakorduan për fillimin e zbatimit të masave për ndalimin e qarkullimit të kombi- busëve dhe u pajtuan që takimi i tyre i radhës i cili do të mbahet pas një muaji të ketë rezultate konkrete në këtë drejtim”.