Numri dy i botës në tenisin për meshkuj, Novak Djokovic nga Serbia, do të mungojë në turnetë amerikanë Indian Wells dhe Miami Open pasi rregullat e vaksinës ia pamundësojnë hyrjen atje.
“Ndërsa unë u rendita automatikisht në shortin e BNP Paribas Open dhe Miami Open, e dija se nuk do të kishte gjasa të mund të udhëtoja. CDC (Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve) ka konfirmuar se rregulloret nuk do të ndryshojnë kështu që unë nuk do të jem në gjendje të luaj në ShBA. Fat i mirë atyre që luajnë në këto turne të mrekullueshme”, shkroi Djokovic në Twitter të enjten.
20-herë kampioni i Grand Slam-it u përjashtua më parë nga Australia dhe iu ndalua të merrte pjesë në Australian Open 2022 për anashkalimin e vaksinimit për COVID-19.
Në fund të shkurtit, ylli rus i tenisit Daniil Medvedev u bë numri një në renditjen e ATP me 8615 pikë, duke kaluar Djokovicin. Pasi Djokovic, 34-vjeçar, humbi nga Jiri Vesely në çerekfinalet e kampionatit të tenisit në Dubai Duty Free, Medvedev garantoi vendin e tij në renditjen e lartë.
Indian Wells Masters filloi më 7 mars në Kaliforni dhe do të vazhdojë deri më 20 mars. Do të pasohet nga Miami Open nga 21 mars deri më 3 prill./UBTNews/