UBT News

Djali i Michael Schumacher i futet garës së Formula 1

Tashmë zyrtarisht Mick Schumacher do t’i futet garës së Formula 1 në sezonin e ardhshëm dhe ai do pilotoj makinën amerikane Haas.

Mick është djali i shtatë herë kampionit të botës në Formula 1, Michael Schumacher dhe aktualisht është duke garuar me Prema në Formula 2. Gjithashtu, ai është pjesë e Akademisë Ferrari, gjë që është duke ndjekur hapat e babait të tij, që është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

Makina me të cilën do të pilotoj 21 vjeçari, përdor motor Ferrari, ndaj edhe ky kalim në Formula 1 ishte i pritshëm, kësisoj Mick Schumacher, pritet të ambientohet shpejtë në Formula 1, marrë parasysh makinën me të cilën do të debutoj.

Më 29 dhjetor 2013, babai i Mick, Michael Schumacher pësoi aksident të rëndë me ski. Rrëzimi në Meribel të Francës i shkaktoi lëndim të rëndë në kokë, për të cilin u operua 2 herë. Ai mbeti në gjendje kritike me muaj dhe iu deshtën 254 ditë për të lënë spitalin. Familja vendosi ta zhvendoste dhe ta linte shërbimin mjekësor spitalor për në shtëpi, në Lozanë të Zvicrës.

Nuk dihet shumë për gjendjen e tij, dhe nga atëherë e deri më sot nuk ka asnjë lajm të sigurt. Shtatë herë kampioni i Formulës 1 ka qenë gjithmonë tip i mbyllur kur vinte puna te jeta private, kështu që familja Schumacher vendosi të mbante një qasje të rezervuar dhe shumë strikte me mediat.

Edhe pse pa komunikime zyrtare në gjashtë vitet e fundit, gjendja shëndetësore e Schumacher, i cili mbush 52 vjeç vitin e ardhshëm, konsiderohet si lajmi më i mirëruajtur i botës sportive./UBTNews

Exit mobile version