Në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit, që po zhvillohen në UBT me mbi 30 aktivitete të ndryshme artistike, kreative dhe akademike, u organizua webinari ndërkombëtar me temën “Design, Memory and Identity in Contemporary Culture”, i udhëhequr nga Prof. Cennet Lika.
Ky aktivitet bëri bashkë në formatin online profesorë, artistë, dizajnerë dhe studentë nga vende të ndryshme, duke krijuar një platformë bashkëkohore diskutimi mbi rolin e dizajnit, kujtesës dhe identitetit në kulturën moderne. Përmes një qasjeje ndërdisiplinore, webinari trajtoi mënyrën se si moda, arti, kultura vizuale dhe identiteti kulturor ndërthuren në realitetin bashkëkohor dhe ndikojnë në formësimin e shoqërisë moderne.
Në panel morën pjesë emra të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, si: Elisa Poli – Program Leader Senior në NABA, Itali, Phlox Van Oppen – dizajnere tekstili nga Holanda, Tiina Burton – artiste dhe Senior Digital Fashion Lecturer në Cambridge, si dhe ligjëruesit e UBT-së, Dukagjin Muhaxheri dhe Dardan Luta.
Diskutimet sollën perspektiva të ndryshme mbi zhvillimet më të fundit në art, dizajn, modë dhe kulturë digjitale, duke i njohur studentët me praktikat dhe trendet bashkëkohore ndërkombëtare në industrinë kreative.
Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin në avancimin e programeve të artit dhe dizajnit, duke u ofruar studentëve mundësi të drejtpërdrejta bashkëpunimi me profesionistë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe qasje në tema aktuale që ndërlidhen me kreativitetin, inovacionin dhe industrinë moderne kreative.
Ditët e Artit dhe Dizajnit në UBT po vazhdojnë me ekspozita, punëtori, ligjërata, diskutime dhe aktivitete të shumta interaktive, duke e shndërruar kampusin në një qendër të rëndësishme të artit, dizajnit dhe inovacionit kulturor.

