Mosmarrëveshjet në mes koalicionit qeverisës Alternativa për Ndryshim (APN), Lëvizja për Reforma (LR) dhe Lista Srpska (LS) kanë bërë që në kohë pandemie të ketë zgjedhje të parakohshme komunale në Preshevë. Zgjedhjet nxorën fituesin, ndërsa ende është e paqartë se kush nga partitë politike do të arrijë të krijoj shumicën e re në Kuvendin Komunal të Preshevës.
Lirigzona Nuredini
Preshevë, 17 prill – Më 28 mars, qytetarët në komunën e Preshevës u janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur pushtetin e ri komunal. Këto zgjedhje janë organizuar për të tretën herë me radhë brenda 5 vitesh, për arsye të mosmarrëveshjeve në mes partive politike, për qeverisje komunale.
Në gusht të vitit të kaluar, partitë opozitare Partia Demokratike Shqiptare dhe Partia për Veprim Demokratik, pas dorëheqjes së Sami Saliut, Kryetarit të Kuvendit Komunal nga radhët e partisë Lëvizja për Reforma, kishin mbledhur nënshkrime nga këshilltarët për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme
komunale për shkarkimin edhe të kryetarit të Komunës, Shqiprim Arifi. Ata nuk i arritën votat e nevojshme, kjo pasi vota e një këshilltari doli të jetë e pavlefshme. E gjithë kjo, dyshohet të ketë qenë një “kurth” i organizuar nga partia Alternativa për Ndryshim e kryesuar nga Shqiprim Arifi.
Mustafë Shaqiri, nënkryetar i opozitares Partia Demokratike Shqiptare, këto zgjedhje i sheh si një mundësi që qeverisja e ardhshme të bëhet më mirë.
“Partia Demokratike Shqiptare i ka mirëpritur këto zgjedhje. Që nga viti 2016 ishim në opozitë dhe duke pasur parasysh keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e buxhetit komunal nga ana e pushtetit në ikje, PDSH vazhdimisht trumbetoi në opozitë dhe e bëri opozitën për të shkuar në zgjedhje që Presheva të qeveriset më mirë”, deklaroi ai.
Koalicioni në mes partive politike, Alternativa për Ndryshim, Lëvizja për Reforma dhe Lista Srpska, ka qeverisur komunën tre vite, dhe nga viti 2016 del të jetë koalicioni i pestë që u shpërbë e që ndodhi në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar.
Hasan Hasani, kandidat për këshilltar nga radhët e partisë Lëvizja për Reforma, paraqet qëndrimet e partisë që i takon.
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Preshevë pasuan si rezultat i shkëputjes së marrëveshjes me partnerin e koalicionit Alternativa për Ndryshim (APN), pasi më u shteruan të gjitha mundësitë e bashkëpunimit për qeverisje. Lëvizja për Reforma (LR), gjatë kohës që ishte në qeverisje ka qenë konstruktive, por Alternativa për Ndryshim (APN), ishte treguar mospërfillëse, dhe duke e parë Lëvizjen për Reforma numra në Kuvend”, deklaroi Hasani për UBTNews.
Me shpresë për një të ardhme më të mirë për të rinjtë, zhvillim ekonomik e siguri të shtuar, qytetarët kanë përdorur të drejtën për votim. Kështu thotë për UBTNews, 40-vjeçari B.N, që doli nga qendra e votimit.
“Unë votova duke shpresuar për një të ardhme më të mirë fillimisht për rininë tonë dhe për mbarë vendin”, deklaroi ai.
Mirëpo Shkodran Ismaili, njohës i çështjeve politike, thotë se këto zgjedhje paraqesin jo stabilitet politik, pasi që është e vështirë të qeveriset një komunë kur nuk ka kompromis.
“Mendoj se jemi në një situatë jostabile i cili buron nga numri i këshilltarëve në Kuvendin Komunal,
sepse në çfarëdo situate dhe pozicioni që ta vështirësosh, edhe po të ketë një kompromis, e që do të
jetë vështirë i arritshëm, ai përsëri pas një kohe të shkurtër do të prodhojë zgjidhje të parakohshme ose
ndonjë situatë të palakmueshme. Stabilitet jam i bindur se nuk do të ketë edhe për një kohë të gjatë në
Komunë të Preshevës”, thotë ai.
Në këto zgjedhje kanë marrë pjesë gjashtë parti politike, Alternativa për Ndryshim, Lëvizja për Reforma, Partia Demokratike Shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar, dhe një parti e serbëve e cila është koordinuar në një listë të përbashkët në mes tetë partive politike të serbëve.
Nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve të çertifikuara tashmë, Alternativa për Ndryshim renditet fituese me 6 mijë e 21 vota, e dyta doli Partia Demokratike Shqiptare me 4 mijë e 173 vota, partia e tretë rezultoi të jetë Partia për Veprim Demokratik me 3 mijë e 368 vota, partia Lëvizja për Reforma si e katërta me 2 mijë e 545 vota, Lista Srpska ka marrë 1 mijë e 222 vota, ndërsa partitë Unioni Demokratik Shqiptar si dhe Alternativa Demokratike Shqiptare morën 483 respektivisht 441 vota. Tani opsioni mbetet i hapur se kush nga partitë politike do të arrijë të krijojë shumicën e re në Kuvendin Komunal të Preshevës./UBTNews