Në njoftimin e ndarë online edhe prej ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, thuhet se shtëpitë kinematografike që do të paraqesin projekte ‘Ditësh, Javësh dhe Festivalesh Filmi’, duhet të jenë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë për vitin 2024.
Projektet e ngjarjeve që do të kremtojnë artin dhe pasionin për kinemanë botërore, evropiane dhe shqiptare, do të duhet të aplikojnë pranë QKK deri më datën 12 qershor, që është edhe afati i fundi, mësohet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) është krijuar në vitin 1997 dhe është institucioni më i rëndësishëm kombëtar që inkurajon, financon dhe promovon prodhimin kinematografik në Shqipëri. Përmes administrimit të fondit publik, QKK mundëson zhvillimin e industrisë së filmit në vendin tonë.
QKK përkrah kineastët shqiptarë, veçanërisht për bashkëprodhime ndërkombëtare. Kjo është një strategji efikase për të siguruar distribucion dhe një audiencë më të gjerë jashtë kufijve. QKK financon filma me metrazh të shkurtër të regjisorëve të rinj, si dhe ndihmon studentët kineastë në produksionet e tyre të para kinematografike./UBTNews/