Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
9 tetor 1993
Gjatë tre muajve të fundit në Kosovë 83 shqiptarë të arrestuar
Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë, lëshoi një raport lidhur me numrin e shqiptarëve të arrestuar gjatë tre muajve të fundit në Kosovë. Në këtë raport janë përfshirë emrat e 83 shqiptarëve të arrestuar gjatë tre muajve të fundit (korrik – fillim i tetorit) në Kosovë, numri më i madh i të cilëve akuzohen për gjoja pregatitje të luftës së armatosur.
Në raportin e KMDLNJ thuhet se në shënjestër të policisë dhe organeve gjyqësore serbe gjatë këtyre muajve ishin ish-të burgosurit politikë, ish-oficërët e armatës ish-jugosllave dhe punëtorët e Mbrojtjes Territoriale, si dhe aktivistët e partive politike shqiptare dhe të shoqatave të ndryshme. Gjatë kësaj periudhe, Gjyqi i Qarkut në Prishtinë ka filluar hetimet kundër 23 personave; në Prizren, Gjyqi i Qarkut ka filluar hetimet kundër 11 shqiptarëve; në Gjilan, hetimet kanë filluar kundër 8 personave.
Më 16 e 17 shtator, policia serbe ka burgosur 22 shqiptarë, të cilët akuzohen për gjoja përgatitjen e kryengritjes së armatosur në Kosovë. Shumica prej këtyre të akuzuarve janë ish-oficerë të armatës ish-jugosllave dhe punëtorë të Mbrojtjes Territoriale të Kosovës.
Këshilli po ashtu njofton se gjatë javëve të fundit, shumë udhëheqës të partive politike dhe veprimtarë shqiptarë janë burgosur. Në këtë listë KMDLNJ i jepë emrat edhe të 19 shqiptarëve të tjerë që janë burgosur nëpër qytete të ndryshme të Kosovës.
Në mesin e të arrestuarve ka edhe persona, të cilët janë mbajtur në paraburgim pa iu caktuar vendimet, siç është rasti me Bajrush Xhemajlin, ose raste kur të burgosurit janë maltretuar dhe torturuar gjatë paraburgimit. KMDLNJ i quan si absurde pohimet e regjimit serb që përdoren kundër të akuzuarve. Kjo më së miri ilustrohet me shembullin kur disa prej të arrestuarve akuzohen për “rrezikimin e integritetit territorial të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë”, shtet i cili më nuk ekziston dhe pohimet e shtypit serb se gjoja të arrestuarit janë terroristë, edhe pse për këtë nuk ekziston asnjë dëshmi.
9 tetor 1995
Sport: Sulmet e shikuesve kundër gjyqtarëve pretekst për ndërprerjen e tri ndeshjeve
Tri takime të javës vijuese të kampionatit të Republikës së Kosovës në futboll u ndërprenë, për shkak se në të tri rastet shikuesit sulmuan gjyqtarët.
Takimi Llapi-Flamurtari u ndërpre në minutën 44, kur rezultati ishte 1:0 për Llapin, pasi shikuesit sulmuan gjyqtarin Afrim Spahiu, ndërsa takimi 2 Korriku-Kosova, pas sulmit kundër gjyqtarit Basri Muçolli, u ndëpre në minutën e fundit, kur rezultati ishte 1:0.
Përveç këtyre dy takimeve të Grupit të Prishtinës, ndërprerje pati edhe në Grupin e Ferizajt, ku, pas sulmit kundër gjyqtarit Xhafer Zeqiri, në minutën e 80-të, kur rezultati ishte 3:2, u ndëpre takimi Ferizaj-Drita.
Rezultatet e javës së katër janë këto:
Grupi i Prishtinës: Besiana-Besëlidhja 1:2, Prishtina-Hajvalia 4:0, Shkëndija-Ramiz Sadiku 1:0, Kosova-Elektroeknomia 2:0, Llapi-Flamurtari 1:0 (u ndërpre), 2 Korriku-Kosova 1:0 ( u ndërpre).
Në grupin e Prishtinës, kryeson Prishtina me 12 pikë, Besëlidhja ka 10, Llapi 9 (-1), Kosova 9, Flamurtari 7(-1), Shkëndija 7 pikë, e kështu me radhë.
Në grupin e Ferizajt:
Ulpiana-Studenti 3:1, Vjosa-Gjilani ’95 0:5, Vëllaznia-Lepenci 0:2, Ferizaj-Drita 3:2 (u ndërpre), ndeshja Kitka-Tefik Çanka nuk u zhvillua, kurse Uniteti-Çeliku luhet më vonë. Kryeson Gjilani’95 me 12 pikë, Ulpiana ka 9, Studenti 7 pikë, e kështu me radhë.
Grupi i Gjakovës: Dukagjini-Liria (derbi i kësaj jave) 2:1, Suhareka-Vëllaznimi 3:3 dhe Besa-Gjakova 3:1, Opoja-Rahoveci nuk u zhvillua.
Në grupin e Gjakovës, Dukagjini është i pari me 9 pikë, Suhareka ka 8, Liria 7, Besa 6, Vëllaznimi 5 pikë, e kështu me radhë.
Në Grupin e Mitrovicës, ku u zhvilluan të gjitha ndeshjet, u arritën këto rezultate: Feronikeli-Kosova 1:2, Minatori’89-Drenica e Komoranit 4:3, Skënderaj-Trepça 2:1 dhe Bashkimi-Drenica e Skënderajt 1:2.
Në grupin e Mitrovicës renditjes tabelare i prin Skënderaj me 12 pikë, Drenica e Skënderajt dhe Minatori’89 kanë 9 pikë, e kështu me radhë.
9 tetor 1997
Arbën Xhaferit iu mor mandati i deputetit
Prishtinë, 9 tetor (QIK)
Parlamenti i Maqedonisë dje, në një seancë të mbetur të mbledhjes së 74-të, me 81 vota për dhe 7 kundër, ia mori mandatin deputetit të PDSH-së Arbër Xhaferit, i cili njëherësh është edhe kryetar i kësaj partie politike të shqiptarëve në Maqedoni.
Duke kundërshtuar këtë vendim të parlamentit, deputeti Sali Ramadani theksoi se është e drejtë e deputetit Xhaferi që të abstenojë politikisht në punimet e Parlamentit dhe atij në kurrfarë mënyre nuk mund t’i merret mandati që ia ka dhënë populli.
9 tetor 1998
Toni Bler: “Millosheviqi duhet t’i dëgjojë zemërimet tona”
Kryeministri britanik Toni Bler, i cili ndodhet në Pekin për një vizitë zyrtare, tha se Milosheviqi duhet t’i përmbahet Rezolutës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, e cila kërkon nga Jugosllavia që të tërheqë trupat nga Kosova dhe të ndërpresë sulmet kundër civilëve, njoftoi sot “Zëri i Amerikës”.
Bler ka thënë para biznismenëve britanikë në Pekin se Këshilli i Sigurimit është shprehur qartë se ç’duhet të bëjë Milosheviqi për t’i dhënë fund krizës në Kosovë.
– Presidenti Milosheviq mund të mendojë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të veprojë, por më në fund ai do të veprojë dhe ky moment ka ardhur. Ai duhet të dëgjojë zemërimet tona, përndryshe do t’i vuajë pasojat, tha Bleri.
Kryeministri britanik tha se gjatë 24 orëve të fundit kishte biseduar rreth krizës me presidentin Klinton dhe me presidentin rus Jelcin se koha për veprim po kalon.
Foto: Toni Bler
