UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 9 korrik 1993-1998?

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Tetova

9 korrik 1993

Në Prishtinë policia serbe pengoi mbajtjen e provimeve pranuese në Fakultetin Filologjik

Sot paradite, policia serbe ndaloi mbajtjen e provimeve pranuese në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Policia ishte kërcënuar se nuk do të lejonte mbajtjen e provimeve në lokalet e shkollës fillore “Nazim Gafurri” në Prishtinë.

Mbi 650 kandidatë që duhej të hynin në provim u njoftuan nga përgjegjësit e Fakultetit Filologjik se provimet shtyhen për muajin shtator.

Policia serbe arrestoi të dy prodekanët e Fakultetit Folologjik, dr. Murat Blakun dhe mr.Sedat Kuçin. Ata policia i mori në pyetje rreth mbajtjes së provimeve pranuese dhe i liroi pas dy orësh.

Policia arrestoi edhe Ibrahim Rukovcin, shërbëtor i shkollës fillore “Nazim Gafurri”.

Gjithashtu sot paradite rreth orës 10, në një punkt të Fakultetit të Mjekësisë në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, policia serbe pengoi mbajtjen e ushtrimeve të studentëve të këtij fakulteti. Policia të gjithë studentët dhe profesorët i largoi me dhunë nga ky punkt.

 

9 korrik 1994

 Në Jetimoren e Mitrovicës u plaçkitën ndihmat e UNICEF-it

Udhëheqësit e dhunshëm serbë të Jetimores në Mitrovicë, po plaçkisin ndihmat që vijnë për fëmijët e kësaj jetimoreje, shkruan gazeta “Bujku” dhe shton se këto ditë në këtë jetimore u plaçkitën mëse 230 pako me shenjën e Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës. Këto ndihma, që u sollën nga UNICEF-i, u vodhën dhe u shitën. Bëhet me dije se në këtë jetimore u shitën edhe 500 palë pelena, 2 ton qumësht dhe 2 ton detergjente, shkruan “Bujku”.

Nga jetimorja në Mitrovicë, siç dihet, fëmijët shqiptarë u dëbuan me kërcënim se ata do të dërgohen nëpër jetimore të Serbisë. Pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve, u morën në përkujdesje nga familjet shqiptare në Kosovë.

 

9 korrik 1997

Policia maqedonase hoqi flamurin shqiptar në Tetovë dhe në Gostivar

Sot në mëngjes njësitë e policisë së Maqedonisë hoqën flamurin shqiptar para kuvendit komunal në Tetovë dhe në Gostivar. Këtë lajm e dha Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, duke e cilësuar flamurin shqiptar si “flamur të vendit të huaj”. Në njoftim thuhet se këtë akt policia e mori duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë.

Korrespondentët e Televizionit të Maqedonisë (TVM) nga Gostivari dhe Tetova njoftojnë se në Gostivar sot në orën 3,10 minuta të mëngjesit njësitë speciale të policisë maqedonase hoqën nga shtyllat flamurin shqiptar dhe turk të vendosur para Kuvendit të Komunës së Gostivarit. Njoftohet se në orën pesë të mëngjesit u morën në të ashtuquajtura biseda informative kryetari i Kuvendit të Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani dhe kryetari i Këshillit të kësaj komune.

Të revoltuar për këtë akt të shëmtuar, rreth orës 7 të mëngjesit u tubuan për të protestuar shumë qytetarë shqiptarë para Kuvendit, mirëpo kundër tyre intervenoi policia. Reporteri i TVM-së nga vendi i ngjarjes nuk njofton nëse pati të lënduar në mesin e qytetarëve, megjithatë ai konfirmoi se në përleshjet midis policisë dhe qytetarëve janë lënduar tre policë.

Poashtu reporteri i TVM-së nga Tetova njofton se sot në orët e hershme të mëngjesit njësitë speciale të policisë kanë hequr me dhunë nga shtyllat flamurin shqiptar, me pretekst se ai qenka flamur i një shteti të huaj, përkatësisht i Republikës së Shqipërisë. Flamuri kombëtar shqiptar ishte vendosur para këtij kuvendi para dy muajve.

Njëjti burim bën të ditur se të gjitha hyrje-daljet në Tetovë kontrollohen rreptësisht nga policia maqedonase. Tash për tash Kuvendit të Komunës nuk mund t’i afrohet asnjë qytetar, sepse ai edhe më tej kontrollohet nga policia.

Burime të QIK-ut nga Tetova njoftojnë se sot në bisedë informative është marrë zëdhënësi i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe disa veprimtarë të tjerë të kësaj partie. Rrugët e Tetovës edhe më tej i kontrollojnë njësitë e policisë. Nga Tetova bëhet me dije se udhëheqja PDSH-së ka konvokuar për sot një konferencë me gazetarë.

Thuhet se janë demoluar dyert dhe dritaret e Kuvendit të Komunës së Tetovës dhe se në këtë objekt është hedhur një koktej “mollotovi”. Mirëpo ende nuk ka konfirmim të këtyre pohimeve as hollësi të tjera lidhur me të.

 

 9 korrik 1998

Gjakovë: U varrosën pesë të vrarë të paidentifikuar

Sot, paradite, me urdhërin e pushtetit të instaluar serb, në varrezat e Gjakovës u varrosën trupat e pajetë të pesë shqiptarëve, të cilët dje policia i solli në morgun e spitalit të këtij qyteti.

Identiteti i të vrarëve nuk është bërë i ditur, por vetëm dieht se ata janë sjellë nga fshatrat e Rekës së Keqe.

 

Vdiq një qytetar i plagosur para një muaji nga forcat serbe

Brahim Zeka nga Skivjani i Gjakovës, i cili u plagos para një muaji nga forcat serbe, vdiq në spitalin e Prishtinës, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

 

 

 

Exit mobile version