Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Ilustrim
9 gusht 1993
Bastisjet dhe arrestimet e policisë serbe në Kosovë s’kanë të ndalur
Ekspeditat ndëshkuese të policisë serbe, bastisjet dhe arrstimet e shqiptarëve në Kosovë kohët e fundit kanë marrë përmasa të gjëra dhe janë shtrirë në gjithë Kosovën.
Dje, rreth orës 5 të mëngjesit, një ekspeditë e policisë serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, bastisi familjen e Beqir H.Krasniqit nga Ostrozubi i Malishevës. Me të njëjtin pretekst e njëjta ekspeditë, bastisi edhe dyqanin e djalit të të tij Ymerit, me ç’rast u provokua Hamiti tetëmbëdhjetë vjeçar.
Ndërsa pardje rreth orës 13 në Prizren, policët serbë arrestuan myezinin e xhamisë “Çoroga”, Sylejman Sylejmanin (53). Shkaku i arrestimit të këtij predikuesi të fesë nuk dihet.
Parmbrëmë, në fshatin Hade të Obiliqit, një ekspeditë e policisë serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, gjatë tërë natës bëri lëvizje në këtë fshat, ndërsa pikërisht në orën 5 të mëngjesit, rrethoi dhe bastisi shtëpinë e Isa Mirenës dhe njëkohësisht bllokoi të gjitha hurje-daljet në këtë fshat.
Gjatë bastisjes, policët kërkuan djalin e Isa Mirenës, Fadilin.
Pas bastisjes dhe arrestimeve që bëri pardje policia serbe në familjen Pllana në fshatin Shtitaricë të Vushtrrisë, dje u liruan vëllezërit Besim, Rexhep, Hasim dhe Selim Pllana, si dhe Selmanin, djalin e Hasimit dhe Fatmirin, djalin e Rexhep Pllanës, ndërsa Ramadan Pllanën, anëtar i Kryesisë së LDK-së, Dega në Vushtrri dhe ish- i burgosur politik i ndërgjegjës vazhdojnë ta mbajnë në paraburgim dhe sipas deklaratës që dhanë vëllezërit e tij, Ramadani është dërguar në burgun e Mitrovicës.
Merret vesh se të se të liruarit që u mbajtën pardje në stacionin u policisë në Vushtrri nga ora 7.30 deri në orën 22, u rrahën fizikisht gjatë tërë kohës sa qëndruan aty. Si pretekst për rrahjen e këtyre personave, policia përdori akuzën se gjoja ata kanë ndërtuar një strehimore në të cilën kanë fshehur armët.
Gjatë kohës sa qëndruan të lidhur në stacionin e policisë në Vushtrri personat në fjalë, policët serbë në ballë ua vizatuan simbolet e ustashëve duke u thënë se “këto simbole u qëndrojnë më mirë” etj.
9 gusht 1994
Shtatë shqiptarë në Prishtinë u dënuan me 21 vjet burg
Pas tembëdhjetë ditësh (20 korrik), përkatësisht shtatë seancave, dje në gjyqin serb të qarkut të Prishtinës u shpall aktgjykimi kundër shtatë shqiptarëve të akuzuar se kinse kanë bërë ushtrime ushtarake në Shqipëri (strehimoren e Fushës së Labinotit). Trupi gjykues i të treve, që të githë të akuzuarit i shpalli fajtorë, i dënoi me gjithsej 21 vjet burg.
Pra, shtatë të akuzuarve iu shqiptuan dënimet, serike, dy të akuzuarve nga 4, tre të tjerëve nga 3 e dyve nga 2 vjet burg. Fehmi Lestrani e Nexhmedin Sadriu u dënuan me nga 4 vjet burg, Shkëlzen Bajrami, Luan Heta dhe Beqir Muleci me nga 3, ndërsa me nga 2 vjet burg u dënuan Hysni Franca e Bajram Gallapeni, njofton sot “Bujku”.
9 gusht 1995
Paralajmërohet vendosja në Kosovë e mijëra refugjatësh serbë nga Kroacia
Deri tash në Serbi janë vendosur më se 15 mijë refugjatë serbë nga Kraina, një numër i konsiderueshëm i të cilëve është vendosur te të afërmit dhe miqtë, i deklaroi shtypit serb Tomica Raiçeviq shef i shtabit të “qeverisë federale” për ndihmë refugjatëve.
Mediumet serbe njoftojnë se regjimi i Beogradit ka organizuar edhe dofarë shtabesh për vendosjen e refugjatëve serbë të Krainës edhe në Kosovë.
Sipas njoftimeve të shtypit serb tashmë janë caktuar objektet për strehimin e këtyre refugjatëve në Vushtrri e Mitrovicë.
Urosh Stojanoviq, kryetar i instaluar i këshillit ekzekutiv të komunës së Vushtrrisë i deklaroi gazetës “Politika” se një numër refugjatësh do të vendosen në ndërtesat shkollore, konkretisht në Qendrën e Shkollore dhe në fshatrat përreth.
Në të ashtuquajturin “qark të Mitrovicës” , sipas parashikimeve serbe do të vendosen 2000 refugjatë.
Në një emision të Radio Beogradit dje thuhej se në Kosovë mund të vendosen deri në 6 000 refugjatë.
TV Beogradi njoftoi sot në mëngjes se në Gjakovë do të vendosen 2.000 refugjatë serbë dhe se janë bërë përgatitjet për pranimin e shumë refugjatëve edhe në Prizren, Suharekë, Rahovec etj.
Në Prizren është paraparë që refugjatët serbë të vendosen në internatin e shkollave të mesme dhe në objektet e okupuara shkollore, nga të cilat janë dëbuar nxënësit shqiptarë.
Në këtë mënyrë Beogradi synon sendërtimin e planit për kolonizimin e Kosovës dhe ndryshimin e dhunshëm të strukturës etnike të Kosovës.
Në një konferencë me gazetarët Novak Kilibarda, lider i Partisë Popullore të Malit të Zi (parti kjo proserbe), deklaroi se popullsinë serbe të Krainës, e cila tash po “bredh nëpër rrugë e uritur dhe etur” duhet urgjentisht vendosur në Kosovë. Sipas tij, Jugosllavia e vetëshpallur duhet të krijojë ligje në bazë të të cilave kësaj popullsie do t’u jepej tokë dhe çdo gjë tjetër që nënkuptohet.
Ai tha se propozimi ka të bëjë me tokën, që në Kosovë ka me bollëk, e ndaj të cilës qytetarët nuk kanë tapia të ligjshme.
Kjo do të thotë se shqiptarëve duhet t’u mirret toka dhe t’u jipet refugjatëve serbë të Krainës.
9 gusht 1997
Gjakovë: Një shqiptar u plaçkit dhe u rrah nga policia
Në Gjakovë, policia serbe dje ia konfiskoi 12 metra kub dru Bislim Ademit nga Miroci i Podujevës dhe e keqtrajtoi atë fizikisht.
- Ademi i tha QIK-ut se policët ia konfiskuan atij drutë pa shpjegim, e mbajtën tri orë në polici dhe e keqtrajtuan, edhe pse ai kishte dokumentacionin në rregull.
Pas keqtrajtimit, policët e detyruan atë që t’i dërgojë drutë në ndërmarrjen pyjore të administruar nga serbët dhe e detyruan t’i shkarkojë ato vetë.
9 gusht 1998
Dy gra e dy burra u vranë dje në Deçan
Pjesëtarët e forcave serbe vranë dje katër shqiptarë në Deçan. Tre u vranë në banesën e Zymer Zymerajt në rrugën “Car Dushani” nr. 53/6 në Deçan, kurse një në banesën e afërt.
Janë vrarë Shaban Osaj, Ajne Zymer Zymeraj dhe Çaush Arif Bajraktari, kurse në banesën tjetër është vrarë bashkëshortja e Çaushit, e moshës 70-vjeçare, njoftoi Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Pejë.
Disa qindra shqiptarë kanë mbetur peng në Deçan nga eskalimi i agresionit serb kundër qytetit dhe fshatrave në muajin qershor.
Shtatë të vrarë janë dërguar dje në morgun e Gjakovës
Në morgun e spitalit të Gjakovës janë dërguar dje trupat e pajetë të katër të vrarëve nga Deçani, dy të vrarëve nga fshati Vraniq i Gjakovës dhe të një të vrari nga Meqa, njoftoi mbrëmë vonë Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë.
Besohet se katër trupat e të vrarëve nga Deçani janë trupat e të vrarëve në banesën e Zymer Zymerajt.
Ndërkohë, trupat e katër të vrarëve nga Deçani, nga morgu u spitalit të Gjakovës janë dërguar në morgun e spitalit në Pejë.
Mbrëmë është varrosur me urdhër të policisë Nekë Pajaziti nga fshati Dobrish. Ai ishte vrarë para disa ditësh. Trupi i tij disa ditë kishte mbetur në rrugë.
Tre shqiptarë të vrarë gjatë sulmeve serbe kundër fshatrave rreth Zllakuçanit
Forcat serbe kanë sulmuar edhe tri fshatrat që gjendën në afërsi të Zllakuçanit të Klinës. Popullata shqiptare është larguar nga ky fshat për shkak të granatimeve.
Në fshatin Kërnicë janë djegur të gjitha shtëpitë.
Mirret vesh se nga operacionet e fundit të forcave serbe janë vrarë tre shqiptarë: Daut Bojaj (55), Musë Bojaj (56) dhe Ramë Sharka (65), njoftoi KI i Degës së LDK-së në Klinë.
