Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
8 tetor 1993
Turqia angazhohet për parandalimin e konfliktit në Kosovë
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Aleksandër Meksi po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë dhe me këtë rast pati takime me zyrtarë të lartë të këtij vendi.
Dje pasdite Aleksandër Meksi dhe delegacioni i Shqipërisë u prit edhe nga presidenti i Republikës së Turqisë Sulejman Demirel në rezidencën e tij në Stamboll.
Sulejman Demireli, pasi i bëri një vështrim rezultateve që arriti Shqipëria muajve të fundit, u ndal edhe në situatën në rajon, me ç’rast dënoi politikën agresive serbe në Bosnjë-Hercegovinë dhe ritheksoi mundësinë e angazhimit për parandalimin e shtrirjes së konfliktit në Kosovë, Sanxhak dhe Maqedoni. Ai po ashtu foli për rreziqet që paraqet konflikti i mundshëm në këto vende për rajonin dhe për Evropën.
Gjatë takimit, ndër të tjera, kryeministri Meksi shprehu qëndrimin e Qeverisë Shqiptare ndaj çështjes së Kosovës dhe situatës në rajon, duke theksuar se për parandalimin e shtrirjes së konfliktit në Kosovë, është e nevojshme vendosja e trupave të OKB-së, njofton Televizioni Shqiptar.
8 tetor 1994
Në komunën e Gjakovës – për nëntë muaj u keqtrajtuan 2789 shqiptarë
Vetëm gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, në komunën e Gjakovës, policia serbe kryesisht nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi 214 familje shqiptare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë.
Bëhet me dije se veç bastisjeve të shpeshta, policia serbe rrahu fizikisht 387 shqiptarë, keqtrajtoi 550, plaçkiti 46, thirrje nën pretekst të dorëzimit të armëve morën 1.070 shqiptarë, si dhe u arrestuan 71 qytetarë shqiptarë.
Vlen të theksohet se gjatë muajit korrik të këtij viti, ndodhën edhe dy vrasje në kufi nga ana e ushtrisë serbe, me ç’rast u vranë dy qytetarë shqiptarë të Republikës së Kosovës.
Nga të dhënat që i theksuam më lartë, shihet se represionin serb e përjetuan 2.789 qytetarë shqiptarë.
Gjatë nëntë muajve të fundit, autoritetet ushtarake serbe thirrën 89 ish-eprorë ushtarak rezerv shqiptarë, të cilët po ashtu u keqtrajtuan nga ana e autoriteteve ushtarake serbe.
Vlen të theksohet se shifra e qytretarëve shqiptarë të komunës së Gjakovës mund të jetë edhe disa herë më e madhe, mirëpo qytetarët e keqtrajtuar rastet e bastisjeve të shtëpive dhe keqtrajtimeve të tyre nga ana e policisë serbe i kanë heshtur nga frika se represioni kundër tyre do të vazhdojë edhe më tej.
8 tetor 1997
Rufi Osmani u lirua nga burgu
Prefekti i komunës së Gostivarit Rufi Osmani u lirua dje nga burgu, ku u mbajt plot 90 ditë.
Siç dihet, ai qe burgosur pas ngjarjeve tragjike të 9 korrikut në
Gostivar e Tetovë, kur shqiptarët u ngritën në mbrojtje të flamurit të tyre, ndërsa ndaj tyre ndërhyri me brutalitet të paparë policia maqedone.
Gjykata e Gostivarit, siç dihet, z. Osmani e dënoi me burg prej 13 vjet e tetë muaj.
Ndaj këtij dënimi pati reagime të ashpra të opinionit të jashtëm dhe të brendshëm.
- Osmani do të mbrohet në liri derisa fjalën e fundit për të ta thotë Gjykata e Apelit në Shkup.
8 tetor 1998
Enver Maloku u mbajt tri orë në polici, u kërcënua
Enver Maloku, përgjegjës i QIK-ut dhe i gazetës “Informatori”, u ndalua të mërkurën mbrëma, më 7 tetor, nga policë të armatosur serbë në Prishtinë, rreth orës 20:30. Ai dhe bashkudhëtari i vet u ndaluan përballë Teatrit Popullor të Prishtinës deri sa po shkonin me veturë në shtëpi, u dërguan në stacionin e policisë “Qendra” dhe u mbajtën në arrest deri në orën 23:45.
Gjatë kësaj kohe z. Maloku u pyet për punën e tij dhe për shkresa, fotografi, kaseta e dokumente të ndryshme që i kishte me vete dhe që lidheshin me punën profesionale në gazetari.
Duke shikuar materiale në disa kaseta audiovizuele, të xhiruara nga amatorë të ndryshëm në terren si edhe fotografi të shtëpive të rrënuara, fotografi të refugjatëve, pastaj fotografi të tre shqiptarëve të vrarë, gjithashtu filmuar nga autorë amatorë, si dhe duke shfletuar tekste autoriale, policët hetonin më së shumti bashkëpunimin eventual të zotit Maloku dhe të QIK-ut me media perëndimore.
Gjatë mbajtjes në stacion, në dhomën ku mirreshin shënimet e përgjithshme, hynin e dilnin vazhdimisht policë me uniforma dhe me rroba civile, disa prej të cilëve kërcënoheshin me fjalë e me gjeste. Një person me rroba civile, që duket se ishte nga sigurimi shtetëror serb, iu kërcënua Enver Malokut dhe familjes së tij.
Rreth orës 23:45 përgjegjësi i QIK-ut dhe bashkudhëtari i tij u liruan, mirëpo Enver Malokut iu ndalën vula e QIK-ut, telefon kompjutori mobil, 46 fotografi për gazetë, kontrata për reklama për gazetën “Informatori”, shkrime të ndryshme të bashkëpunëtorëve dhe pesë kaseta audiovizuele të xhiruara nga kameramanë amatorë në terren për nevoja të KMDLNJ-së.
Polici që i kishte dërguar në stacion i tha z. Maloku dhe bashkudhëtarit të tij që të shkonin të nesërmen (e enjte) në sigurimim serb për të kërkuar pajisjet dhe gjësendet tjera. Të enjten në mëngjes, telefoni mobil i z. Maloku ishte ende i kyçur dhe në përdorim nga policia serbe. Z. Maloku do të kërkojë kthimin e gjësendeve të bllokuara përmes avokatit.
Ndonëse në dukje një ndalim rutinor nga një patrullë policie, ndalimi, marrja në pyetje, presioni psikologjik deri në kërcënim i zotit Enver Maloku s’ka si të shihet jashtë kornizës së politikës së deklaruar e praktikave represive serbe kundër veprimtarisë profesionale, gazetareske e politike, që bëjnë shqiptarët në Kosovë.
Më 18 korrik 1998, një person i panjohur shtiu me revole drejt Enver Malokut, po nuk e qëlloi, në hyrje të banesës së tij. Kjo përpjekje për atentat mbi Malokun u dënua si akt nga qarqe profesionale e politike shqiptare, por nuk u hetua nga organe përgjegjëse për këtë fushë.
Foto: Enver Maloku
