Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
7 tetor 1993
Shtypi gjerman rreth çështjes së Kosovës
Duke komentuar marrëveshjen kroato-serbe për ndarjen e Bosnjës në kurriz të muslimanëve, “Zydojçe Cajtung” e Bavarisë, shkruan se kjo marrëveshje jo e drejtë ndaj muslimanëve, Kroacisë ia ka dobësuar kërkesat për ruajtjen e Krajinës, e cila kontrollohet nga serbët, kurse Serbisë i janë dobësuar kërkesat për ruajtjen e Kosovës. Sipas kësaj gazete, serbët e Krajinës kurrë me dëshirë nuk do të kthehen nën kontrollin e Zagrebit, ndërsa prania e forcave të OKB-së në atë pjesë të pushtuar të Kroacisë, veçse e çimenton okupimin serb.
Kosova në vështrimet e komentatorëve gjermanë vazhdimisht është cilësuar si vatër potenciale e luftës, pasojat e së cilës do të kenë dimensione ndërkombëtare. Për problemin e Kosovës në forma të komentimit të statusit të Kosovës, më së shumti është marrë Viktor Majer. Por jo rrallë edhe ekspertë të ndryshëm të çështjeve të Ballkanit. Eksperti për çështje të Evropës Lindore dhe Jugore, profesori i Universitetit të Esenit, dr.Othmar Nikolla Haberl, duke folur për procesin e ndryshimeve në Ballkan, pasi thekson se Perëndimi de facto e ka njohur ndarjen e serbëve nga Kroacia, është e qartë se në vitet e ardhshme nuk do të ekzistojë më as Bosnja dhe as Maqedonia. Maqedonia, sipas këtij eksperti gjerman, do të ndahet në katër pjesë, ku automatikisht do të zgjidhet edhe çështja e shqiptarëve. Ndarjen dhe pamundësinë e ekzistimit të Maqedonisë si shtet, thekson profesori Haberl, e ka kuptuar që nga takimi me presidentin e Bullgarisë gjatë vizitës së tij të parë në Gjermani, kur në pyetjen e tij se a e pranon kombin maqedonas, Zhelev është përgjigjur negativisht dhe kjo ka bërë të qartë se edhe Bullgaria ka ambicje ndaj Maqedonisë. Ndarja e Maqedonisë, nga ana e Beogradit, Sofjes, Athinës dhe Tiranës, do të jetë ide gjeniale për t’i dhënë shkas të drejtpërdrejtë Tiranës për të kërkuar edhe ndarjen e Kosovës nga Serbia, vlerëson profesori i lartëpërmendur i Esenit, i cili thotë se nuk e dinë se kush do të fillon i pari në shkatërrimin e Maqedonisë por e dinë se ky shtet nuk do të ekzistojë.
Kur është fjala te Maqedonia, analitikët gjermanë që nga fillimi i njohjes së sovranitetit të kësaj republike, kanë shprehur rezerva në ardhmërinë e saj. Kështu, në kohën e pranimit të Maqedonisë si shtet në një koment të shkurtër në “Frankfurter Allgemaine”, thuhej: “Njohja e sovranitetit do të duhej të jetë diçka me të cilën do të identifikoheshin të gjithë, si shqiptarët, grekët, maqedonët sllavë, serbët dhe bullgarët”. Në rast se nuk ndodh kështu, atëherë kjo njohje vetëvetiu pak do të ndihmon, ashtu siç nuk ndihmoi edhe njohja e shtetit të Bosnjës, përfundon komenti në “Frankfurter Allgemaine”.
Fakti se zgjidhja e një problemi në ish-Jugosllavi është e pamundshme pa zgjidhjen edhe të problemeve të tjera të ngjashme, është një qëndrim i cili shpesh është potencuar nga komentatorët gjermanë. Ky fakt më në fund u pranua edhe nga politika zyrtare gjermane, që u konfirmua edhe në fjalimin e Klaus Kinkelit në mbledhjen e Bundestagut Gjerman, ku u fol edhe për Kosovën. Në këtë mbledhje, Kinkeli në mënyrë shumë precize theksoi se nuk ka zgjidhje për ish-Jugosllavinë pa respektimin e barabartë të të drjetave të të gjitha bashkësive kombëtare dhe etnike të ish-Jugosllavisë dhe se serbët nuk kanë të drejtë t’ua mohojnë shqiptarëve ato të drejta që i kërkon për serbët në Bosnjë dhe në Kroaci. Më në fund, siç po vërehet mbi këtë bazë, është edhe qëndrimi i lordi Ouenit, i shprehur në mbledhjen e fundit të Bashkësisë Evropiane, të mbajtur në Luksemburg, ku ai shprehu nevojën e angazhimit të ardhshëm për zgjidhjen globale të problemeve në ish-Jugosllavi duke e radhitur këtu edhe çështjen e Kosovës.
Duke folur për ardhmërinë e Ballkanit, profesori i Esenit, eksperti për çështje të Evropës Lindore dhe Jugore, dr.Othmar Haberl, thekson se tash është e qartë se në vitet e ardhshme nuk do të ekzistoj jo vetëm Bosnja, por edhe Maqedonia, kështu që edhe Tirana do të ketë të drejtë të kërkojë shkëputjen e Kosovës nga Serbia.
7 tetor 1994
Policia serbe vazhdon të pengojë mësimin shqip
Dje, një ekspeditë e policisë serbe ndërpreu mësimin shqip në punktin e shkollës së mesme ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë dhe me vete mori profesorët, Tehvid Azemin, Ilaz Rexhën e Safet Vocën, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së
në Mitrovicë.
Ata u mbajtën në stacionin e policisë rreth një orë dhe u morën në pyetje. Inspektorët serbë nga ata u interesuan të dinë rreth mënyrës së financimit të arsimtarëve shqiptarë, organizimit të procesit mësimor etj. Profesorët u liruan me kusht që të paraqiten sërish sot në orën 8:00 në stacionin e policisë në Mitrovicë.
Ndërkaq më 3 tetor, në postkomandën e policisë në Babush u mor në pyetje Shashivar Krasniqi, drejtor i shkollës fillore “Abetarja” në fshatin Softaj, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Ferizaj.
Nga postkomanda e Babushit, ai u dërgua në stacionin e policisë në Ferizaj dhe u lirua me kusht që të paraqitet sërish të nesërmen në polici. Shashivar Krasniqi u paraqit sërish në polici dhe u mor në pyetje nga inspektorët serbë. Kur u lirua, atij ia dhanë thirrjen për arsimtaren Naxhije Mahmuti nga Rahovica që të paraqitet të nesërmen në polici.
Naxhije Mahmuti u paraqit dje në polici, ndërsa inspektorët serbë nga ajo u interesuan të dinë rreth përmbajtjes së disa poezive, të cilat ishin botuar në gazetën e murit të kësaj shkolle.
Të hënën, policia nën pretekst të kërkimit të armëve mori në shtëpinë e tij edhe Nuhi Sadikun, mësues në shkollën fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj. Nuhi Rexhepi në stacionin e policisë në Ferizaj u keqtrajtua fizikisht.
Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Klinë njofton se sot rreth orës 12:00, policia serbe ndërhzri edhe në lokalet e gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë me ç’rast i dërgoi në stacionin e policisë Asllan Krasniqin, drejtor, si dhe Ndue Shabanin, Fadil Gashin, Ramë Mërlakun dhe Sakibe Racin, profesorë të kësaj shkolle.
Njoftohet se këta po mahen ende në polici.
7 tetor 1995
Në Obiliq janë punësuar 147 kolonë serbë
Nga 621 kolonë serbë, të cilët janë vendosur nëpër objekte të ndryshme në komunën e Obiliqit, deri tash, vetëm në Elektroekonominë e Kosovës, e cila administrohet nga serbët, janë punësuar 147 prej tyre, njofton KI i Degës së LDK-së në Obiliq.
Prej tyre, 64 kolonë janë punësuar në njësinë për mbrojtjen dhe sigurinë e objekteve, në Termoelektranat A dhe B dhe në Ngrohtore janë punësuar 70, në Fabrikën e pajimeve xehetare – 5, në Seperacion – 4 dhe në Autotransport – 4.
Në njoftim bëhet me dije se kolonët ushqehen ne kuzhinat e punëtorëve të EEK-së, ndërsa për nevojat e tyre deri tash janë shfrytëzuar 2050 litra naftë dhe 280 litra benzinë.
Në përgatitjet e objekteve për vendosjen e tyre, nga fondi i EEK-së, deri tash janë shfrytëzur rreth 30.000 dinarë.
7 tetor 1997
Kisha ortodokse dërgon peshkopë grekë, rumunë e serbë në Shqipëri
Në tubimin e kishave ortodokse në Selanik u vendos që në vend të tre peshkopve grekë të vijnë në Shqipëri një peshkop grek, një serb dhe një rumun. Nën udhëheqjen e patriarkut të Konstatinopojës Bartolomeut I, krerët e kishës serbe, rumune bullgare dhe të kishës ortodokse shqiptare janë tubuar gjatë kësaj jave në Selanik ku kanë biseduar çështjen e njohjes së kishës autoqevale maqedonase. Përfaqësuesit e fesë ortodokse të mbledhur në Selanik ishin unanim që edhe për një kohë të gjatë në parim të përgjithshëm të mbrohet pavarësia e kishës maqedonase.
Sipas të drejtës së Kishës ortodokse çdo kishë e çdo vendi që është e pavarur ka të drejtë të ushtrojë administrim të plotë. Në rastin e Maqedonisë duhet pritur në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rreth emrit të Maqedonisë. Bartolomeu I do të marrë postin e njeriut të parë të kishës ortodokse maqedonase. Mihail Gogov që deri me tash ka udhëhequr kishën ortodokse të Maqedonisë në vitin 1967 e ka shpallur pavarësinë e kishës maqedonase nga Beogaradi. Mirëpo, njohja e kishës ortodokse të Maqedonisë deri me tash nuk është bërë për shkak të mungesës së njohjes së mëvetësisë. Bullgaria ishte gjithashtu një pengesë, ngase ajo nuk ka pranuar njohjen e pavarësisë së kishës ortodokse maqedonase me arsye se i mungon identiteti shtetëror maqedonas.
Megjithatë njohja e kishës maqedonase u bë në Selanik përkundër kundërshtimit të përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Greke.
Ndërkaq kur është fjala për Shqipërinë në tubimin e Selanikut thuhet se u arrit një kompromis, mirëpo sipas tij, krerët e kishave ortodokse në Selanik janë marrë vesh se në vend të tre priftërinjëve grekë të cilët që nga viti 1992 janë kundërshtuar nga qeveria shqiptare, tash do të dërgohen një grek, një rumun dhe një serb.
Siç njofton gazeta gjermane “Frankfurter Allgemaine Cajtung”, të cilën e citonte dje “Dojçe Vele” këta tre pershkopë do tu përgjigjen nevojave të minoriteteve në Shqipëri siç janë minoriteti grek, rumunët ballkanas dhe shqiptarët ortodoks. Ndërsa nga ana e ortodoksve shqiptarë ende nuk ka ipeshkv. Ky propozim pritet të pranohet nga ana e qeverisë shqiptare.
7 tetor 1998
Në malet e Plloçicës e midis Rixhevës e Plloçicës u gjetën edhe 6 shqiptarë të vrarë
Burimet e Degës së LDK-së në Malishevë bëjnë të ditur se dje pasdite në malet e Plloçicës u gjetën trupat pa jetë edhe të dy viktimave të forcave ushtarake e policore serbe. Trupat e Ajet Milazim Malokut (49) dhe Bajram Xhemë Gashit (25), të dy të masakruar, u gjetën nga veprimtarët që po hulumtojnë terrenin në kërkim të njerëzve që konsiderohen të zhdukur.
Ndrsa, burimet e LDK-së në Gllarevë kanë njoftuar se në malet në mes fshatrave Rixhevë e Plloçicë u gjetën trupat pa jetë edhe të 4 shqiptarëve: Pajaz Veselajt, Bali Veselajt (65) e birit të tij (tash për tash nuk dihet emri) dhe Remzi Sokol Veselajt (41). Ky i fundit, si bëjnë të ditur të njëjtat burime, është masakruar nga forcat serbe.
Supozohet se në këto male, ku kishin kërkuar shpëtim banorët e fshatrave përreth, ka edhe shumë të vrarë, prandaj po bëhen gjurmime për gjetjen e tyre.
Mirëpo, lëvizja e njerëzve në këtë zonë është shumë e vështirë, për shkak të rrezikut që u kanoset nga snajperistët serbë. Forcat serbe janë vendosur afër minierës së boksitit në Volljakë, te vendi i quajtur Zabeli i Hoxhës dhe te Ujvara e Mirushës.
Burimet e LDK-së bëjnë të ditur se në malet e Domanekut gjendet një numër mjaft i madh i njerëzve pa strehë, kurse në fshatin Ponorc kanë gjetur disi strehim shumë banorë të fshatrave përreth. Gjendja humanitare e shëndetësore e tyre është mjaft e rëndë.
Suharekë: U gjetën edhe dy të vrarë
Hasan Sherif Kokollari (83) Budakova u gjet i vrarë në oborrin e shtëpisë së tij, ku edhe u varros, ndërsa pardje u gjet kufoma e masakruar e më pastaj e djegur në stog të sanës e Mursel Buqaj (60) nga Budakova.
KI i Degës së LDK-së në Suharekë njofton se gjendja në këtë komunë edhe më tej vazhdon të jetë shumë e rëndë dhe forcat serbe vazhdojnë edhe më tej të jenë të përqendruara në shumë fshatra, të cilat mbahen të bllokuara.
Sipas shënimeve nga Prizreni, 108 banorë të komunës se Suharekës, të arrestuar nga forcat serbe, mbahen në burgun e këtij qyteti dhe atyre u është caktuar paraburgimi.
Malishevë: U gjet i vdekur Sherif Hoti
Në vreshtat e Carrallukës së Malishevës mbrëmë u gjet kufoma e Sherif Sahit Hotit (60), njoftojnë burime të LDK-së në këtë komunë.
Kufoma ishte në fazën e prishjes dhe identifikimi u bë në bazë të rrobave.
Deri tash ai ishte në listën e personave të zhdukur.
Skënderaj: Janë gjetur trupat e shtatë personave të masakruar e të pushkatuar të fshatit Shtuticë
Kryesia e nëndegës së LDK e fshatit Shtuticë duke analizuar gjendjen, pas ofensivës së forcave serbe, ka konstatuar se nga 11 personat e zënë robë, trupat e 7 prej tyre janë gjetur të masakruar dhe të pushkatuar. Janë identifikuar këta persona: Bajram Jashar Bajrami 40, Naim Ramadani, Selami Osman Shabani 15 vjeç, Naim Kadri Jusufi 25, Feriz Ramadani 23. (Dy emrat e tjerë nuk dëgjoheshin mirë në raportin telefonik).
Siç na deklaroi Rifat Bilalli, kryetar i nëndegës së LDK, fshati Shtuticë ka pësuar edhe dëme shumë të mëdha materaile. Prej 90 shtëpive sa ka fshati, 64 janë të djegura si dhe shumë objekte të tjera përcjellëse. Pastaj është djegur drithi, mielli dhe ushqimi i bagëtisë.
Banorët e këtij fshati apelojnë te shoqatat humanitare që të ndihmojnë këtë popullatë sa më parë me ushqime dhe ilaçe.
Foto: “Sueddeutsche Zeitung”
