Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Raport i KMDLNJ mbi dhunën policore-ushtarake serbe mbi shqiptarët për gjashtë muaj të këtij viti
7 korrik 1993
Vazhdon aksioni policor serb ndaj ish-punëtorëve shqiptarë të sigurimit
Organet policore serbe edhe më tej po vazhdojnë aksionin e tyre me ndjekje, keqtrajtime dhe bastisje të ish-punëtorëve shqiptarë të sigurimit.
Kështu dje, ky aksion i policisë serbe u ndërmor edhe në komunën e Gjakovës, me ç’rast policia serbe, në disa grupe të përbëra prej dhjetë vetash, bastisën shtëpitë e tetë ish-punëtorëve shqiptarë të sigurimit në Gjakovë dhe rrethinë. Dje, ky aksion u mor ndaj Zekë Bekës, kryetar i Sindikatës së Pavarur të punëtorëve të SPB në Gjakovë, të cilit policët serbë ia bastisën shtëpinë dhe e morën në bisedë informative.
Policia serbe ishte edhe në fshatin Cermjan të Gjakovës dhe bastisën shtëpinë e Nezir Hoxës, punëtor i pensionuar i SPB-së në Gjakovë. Po këtë ditë u bastis edhe shtëpia e Zyber Morinës, gjithashtu ish-punëtor i sigurimit, Tahir Bezhanit, ish-punëtor i sigurimit i është bastisur shtëpia dhe është ftuar që të lajmërohet sot në organet e policisë në Gjakovë. Gëzim Elshanit, ish-punëtor i sigurimit i është bastisur dyçani, Bibë Biblekajt, i është bastisur banesa në Gjakovë, Muhamet Nimanit iu bastis shtëpia si dhe Zenel Ramës iu bastis banesa në Gjakovë.
Merret vesh se në Gjakovë, janë shtuar lëvizjet e mëdha të policisë serbe dhe ky aksion pritet të vazhdojë edhe mëtej kundër ish-punëtorëve të tjerë shqiptarë të sigurimit.
Dje, rreth orës 13.30, në Pejë, policia serbe bastisi shtëpinë e Jusuf Lajçit, ish-punëtor i sigurimit. Në shtëpi ishte vetëm Kune Lajçi, e cila gjatë bastisjes së policëve serbë e humbi vetëdijen. Në këtë shtëpi, policia serbe thyejti dhe demoloi të gjitha orenditë, ndërsa në oborr dogjën një tapiceri, në të cilën ishte punuar portreti i Skënderbeut. Gjithashtu dje në Pejë, policia serbe bastisi edhe shtëpinë e Ramiz R.Muriqit, ish-punëtor i sigurimit. Në shtëpi nuk ishte askush, ndërsa policët serbë thyen dyert. Dje në Pejë u bastis edhe shtëpia e ish-punëtorit të sigurimit, Skënder Krasniqit, me ç’rast policia serbe thyejti të gjitha mobilet në këtë shtëpi.
Pas aksionit të pardjeshën të policisë në Klinë, ekspedita ndëshkuese e policisë serbe vazhdoi edhe dje. Gjatë ditës së djeshme policia serbe ndërmori aksion të ri prej orës 12.45 minuta në fshatrat, Dush, Ujmir dhe Pogragjë. Së pari u bastis shtëpia e Rexhë Qupovës, ish-punëtor i sigurimit nga Pogragja. Në këtë fshat, policia serbe bastisi edhe shtëpinë e Abdyl Morinës.
Në fshatin Dush policia bastisi shtëpinë e Abdyl Marmullakut dhe rrahu rëndë djemtë e tij, Halitin, ish-punëtor i sigurimit dhe Qazimin, të cilëve u shkaktuan lëndime trupore.
Në fshatin Ujëmir u bastisën katër shtëpi në lagjen e Shalajve. Policia serbe bastisi shtëpinë e Kamber Shalës, ish-punëtor i sigurimit, atë të Zeqir Shalës, Selman Shalës dhe të Bekë Shalës. Policia me këtë rast rrahu disa anëtarë të këtyre familjeve si dhe demoloi orenditë.
Ndjekja dhe keqtrajtimi i ish-punëtorëve shqiptarë të sigurimit, po bëhet edhe në komunën e Istogut, ku u bastisën 46 familje. Gjatë ditës së djeshme u bastisën familjet e Isuf dhe Hysen Rugovës nga fshati Llukavc, ndërsa në fshatin Bullopojë u bastis familja e Gani Hajdarit dhe Enver Alushajt. Në fshatin Kovrragë u bastisën familjet e Ramadan, Ejup dhe Idriz Fetahut, kurse në Istog familjet e Zenun Bytyçit dhe Zenel Lokajt. Gjatë ditës së djeshme u bastis edhe familja e Rifat Ademajt nga Lubova, Mustafë Morinajt nga Baica, Hazer Magjarajt nga Cerrca, Qazim Jahajt nga Rakoshi, Shefqet Gjocajt nga Tomoci, Ismet Marajt nga Vrella, Xhafer Osmanajt nga Kovrraga dhe Muharrem Kurtajt nga Istogu i Ulët.
7 korrik 1994
Raport i KMDLNJ mbi dhunën policore-ushtarake serbe mbi shqiptarët për gjashtë muaj të këtij viti
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë shpalli dje një komunikatë pët dhunën dhe represionin e forcave serbe në Kosovë, në periudhën prej 1 janarit deri më 30 qershor.
Në raportin e nënshkruar nga kryetari i KMDLNJ thuhet se dhuna policore – ushtarake, që pushteti serb po e ushtron mbi popullin shqiptar të Kosovës, sa vjen e po bëhet më e vrazhdë e po merr shtrirje më të gjerë. Nuk mbetet ditë e të mos shënohen me dhjetra, Madje edhe qindra raste dhune, që policia e ushtria serbe, të specializuara për të ushtruar dhunë, ndërmarrin kundër popullsisë së pambrojtur shqiptare, thuhet në fillim të raportit. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë me rrjetin e vet, të shtrirë, pothuajse, në të gijtha vendbanimet e Kosovës, mundohet të regjistrojë çdo rast dhune. Mirëpo, megjithë vullnetin për ta kryer këtë punë sa më mirë, për arsye të ndryshme, nuk po arrin t’i regjistrojë të gjitha rastet, tërheq vërejtjen KMDLNJ.
Në vazhdim po japim pjesët më të rëndësishme të këtij raporti.
“Dhuna më e vrazhdë u ushtrua gjatë të ashtuquajturave bastisje. Për të kryer ‘bastisjet’, të cilat, na merr mendja, më mirë do të ishte të quheshin sulme të armatosura kundër familjeve shqiptare e jo bastisje, policia, ndonjëherë e ndihmuar edhe nga ushtria, paraqitet në çdo kohë të mundshme. Mirëpo, si kohë më e përshtatshme për ta është mëngjesi i hershëm. Zakonisht, atëherë, të armatosur deri në dhëmbë e shpeshherë të shoqëruar me makina të ndryshme, madje edhe me aso të blinduara, ia mësyjnë shtëpisë që do të duhej të ‘bastiset’, e rrethojnë atë ose edhe tërë lagjen a fshatin dhe me vrull futen brenda. Në këtë mënyrë shaktojnë tmerr jo vetëm tek anëtarët e familjes që “bastiset”, por edhe te të tjerët përreth saj. Dhe këtë, për ironi, ne e shënojmë si një rast të vetëm dhune!
Gjatë këtij gjashtëmujori, sipas informatave që kemi marrë nga terreni, në Kosovë, nga policia e ushtria serbe dhunë në forma të ndryshme kanë pësuar 3.156 veta. Janë vrarë 4 e janë plagosur 5 veta, kanë ndodhur 2.661 bastisje të shqiptarëve, janë shënuar 3.493 raste të kërkimit të armëve, ndërsa janë marrë 426 sosh, kryesisht revole e pushkë gjuetie, të cilat, në të shumtën e rasteve, pronarët i kanë bartur me leje. Pastaj, janë arrestuar a paraqitur në të ashtuquajturat ‘biseda informative’ 2.068, janë dënuar 77, ndërsa janë urdhëruar që të paraqiten në polici 1.324 veta. Tortura fizike kanë pësuar 1.378, kurse janë maltretuar 341 individë. Në lidhje me të ashtuquajturën armatë jugosllave janë kërkuar, arrestuar apo edhe dënuar 665 të rinj shqiptarë, ndërsa dhunë është ushtruar edhe kundër 525 veprimtarëve të partive e shoqatave të ndryshme, 94 fëmijëve (të miturve) dhe 135 femrave. Shkenca, arsimi, kultura e sporti shqiptar, gjithashtu kanë qenë në shënjestër të shovinistëve serbë, ku, sipas informatave që kemi, janë bërë, së paku 420 ndërhyrje të ndryshme. Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur edhe forma të tjera të shkeljes së të drejtave të njeriut: 89 vetave u janë marrë pasaportat, 32 veta janë marrë peng, ndërsa 59 familje janë dëbuar nga banesat e veta”.
Në fund të raportit bëhet një krahasim për përdormin e dhunës gjatë vitit 1993 dhe dhunës gjatë kësaj periudhe të vitit 1994, e cila sa po bjen po bëhet më e ashpër. Derisa gjatë gjithë vitit të shkuar (1993), kanë ndodhur “vetëm” 1994 “bastisje”, 2.305 arrestime e 3.396 raste të ndërhyrjes për armë, gjatë këtij gjysmëviti, pra vetëm për gjashtë muaj, kanë ndodhur, siç u tha më lart, 2.261 “bastisje”, 2.068 arrestime dhe 3.493 raste në lidhje me “aksionin e armëve”, thuhet në fund të raportit të nënshkruar nga kryetari Adem Demaçi.
7 korrik 1995
Në komunën e Ferizajt për gjashtë muaj policia serbe keqtrajtoi 351 qytetarë
Dhuna e policisë serbe gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti, në komunën e Ferizajt u shkallëzua në format e saj më të ashpra, njofton KI i Degës së LDK-së në Feriyaj.
Gjatë kësaj periudhe, policia keqtrajtoi 351 qytetarë, nga të cilët në pyetje u morën 194 veta, u arrestuan 60 veta, u keqtrajtuan fizikisht 85 veta, 7 veta u dënuan për kundërvajtje, ndërsa me pretekst të kërkimit të armëve u bastisën 43 shtëpi.
Gjëtë kësaj periudhe, policia serbe vrau të riun Ejup Kosumi nga fshati Burrnik, kurse Ismail Salihu (68) nga fshati Balaj, vdiq pas lëndimeve të rënda që iu shkaktuan atij gjatë rrahjes në polici.
Gjatë kësaj periudhe, policia serbe ndërmori aksione të shpeshta në fshatrat Rahovicë, Mirash, Greme, Gaçkë, Zaskok, Nerodime, Koshare, Pleshinë etj.
Gjatë kësaj kohe, në shënjestër të policisë serbe ishin në veçanti veprimtarët politikë, ata të arsimit, financimit, shëndetësisë etj.
Gjatë kësaj kohe u evidencuan edhe 12 ndërhyrje të policisë në institucionet arsimore; 11 në shkollat fillore, kurse një ndërhyrje në një shkollë të mesme të qytetit. Në disa shkolla pos konfiskimit të vulave, policia ka konfiskuar edhe mjetet didaktike për lëndët e Mbrojtjes dhe atë të Biologjisë.
Gjatë kësaj periudhe, policia ka plaçkitur sasi të konsiderueshme të mallit, por edhe sasi të mëdha mjetesh devizore, të cilat kapin shumën prej 16 mijë markash gjermane, 6 mijë frankash zvicerane dhe 6 mijë dinarë, ndërkaq rreth plaçkitjeve të mëdha të policisë financiare mungojnë të dhënat, ndryshe mjetet e plaçkitura kapin shumën prej disa mija markash gjermane.
Bëhet me dije se KI i Degës së LDK-së së Ferizajt dhe KMDLNJ nuk kanë shënime të plota, kur të kihet parasysh se qytetarët shqiptarë të shumtën e herave i kanë heshtur rastet, nga frika se policia do të ushtrojë trysni edhe më të madhe kundër tyre.
7 korrik 1998 (Ora 14:00)
Gllogoc: Policia dogji objektin e një shkolle
Sot në orën 5 të mëngjesit policia serbe dogji objektin e shkollës në lagjen e Feronikelit, njofton KI i Degës së LDK-së në Gllogoc.
Kjo shkollë, në të cilën mësimi u zhvillua deri më fund të majit, kur në objektin e Feronikelit u stacionuan forca të mëdha policore, ishte tetëklasëshe dhe paralele e ndarë e shkollës fillore “Bashkimi” të Gllogocit.
Mësohet se është djegur edhe i tërë dokumentacioni i shkollës.
Po sot po digjet edhe diç në afërsi të bazeneve të Feronikelit, por tash për tash po duket vetëm tymi dhe flaka dhe nuk dihet për çka është fjala.
Ndërkohë, tash tri ditë me radhë nuk kanë të pushuar të shtënat në drejtime të ndryshme nga forcat serbe të stacionuara në Feronikel.
Gjatë tri ditëve të fundit nga Kosova në Mal të Zi shkuan 926 refugjatë
Gjatë tri vjetëve të fundit në Mal të Zi nga Kosova kanë shkuar 926 refugjatë. Në mesin e tyre ka pasur 550 gra e fëmijë. Numri i përgjithshëm i refugjatëve të evidentuar nga Kosova në Mal të Zi është rritur në mbi 30 mijë, kurse vlerësohet se nja 2-3 mijë të tjerë nuk është paraqitur. Në mesin e refugjatëve më së shumti ka shqiptarë, por edhe myslimanë, serbë, malazezë dhe romë.
Në Kosovë, 11 të vrarë gjatë javës së fundit
Gjatë javës së fundit, që nga 30 qershori deri më 6 korrik, në Kosovë u vranë së paku 11 shqiptarë dhe u plagosën shumë të tjerë. Këtu nuk është marrë parasysh një njoftim i mediave serbe për vrasjen e tetë shqiptarëve në kufirin Shqipëri-Kosovë më 30 qershor të këtij viti, pasi ky njoftim nuk është konfirmuar nga burimet shqiptare.
Më poshtë po japim një kronologji të vrasjeve që ndodhën gjatë kësaj periudhe.
Më 30 qershor, në Drenoc të Klinës, nga forcat ushtarako-policore serbe u vra Jakup Agushi (rreth 35 vjeç) nga Drenoci. Më 2 korrik, në Cerovik të Klinës, u varros Haxhi Sylë Ukaj (61) nga Ceroviku, i plagosur nga një helikopter serb më 25 qershor. Më 3 korrik u vra Kadri Sadri Kokollari (30) nga Budakova e Suharekës, kur forcat ushtarako-policore serbe e sulmuan me tanke, autoblinda e automjete të tjera dhe qëlluan me mortaja e mitralozë fshatin Krushicë e Poshtme.
Më 4 korrik, në hyrje të Hereçit, u gjet trupi i pajetë i plakut 75-vjeçar Ali Miftar Hasanit nga Prejlepi, i vrarë ditë më parë nga snajperistët serbë.
Më 5 korrik nga granatimet e forcave ushtarako-policore serbe në Bardh të Madh, u vra Daut Islam Pllana (25), po nga ky fshat dhe u plagos Metë Pllana.
Në Hade, forcat serbe kanë ekzekutuar plakun e paralizuar Jahir Shala, i cili nuk kishte qenë në gjendje të ikte pas sulmit të forcave serbe në këtë fshat më 29 qershor.
Po më 5 korrik, në Loxhë të Pejës policia serbe vrau Tahir S. Shalën (35) nga ky fshat dhe plagosi së paku tre të tjerë.
Më 6 korrik, me urdhërin e policisë, në varrezat e Pejës u varros Muhamet Sefer Haxha (38) nga Gllareva e Klinës, i cili u vra të premten e kaluar, gjatë operacionit ushtarako-policor për zhbllokimin e Kijevës.
Më 6 korrik, në një arë në Piranë të Prizrenit u gjetën të vrarë Muhamet Elshani (56), djali i tij, Afrimi, rreth 25 vjeç, dhe Salih Gashit, rreth 20 vjeç, të tre nga Pirana.
Nga të plagosurit po përmendim edhe fëmijën 8-vjeç Arjeton Mustafë Gashi, i cili u plagos rëndë nga granatimet e lagjes së Buzhalëve në Grykën e Llapushnikut.
