Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Edhe shtatë shqiptarë të vrarë në komunën e Gjakovës
5 gusht 1993
U arrestuan edhe 10 shqiptarë në disa vende në Kosovë
Ekspeditat ndëshkuese të policisë serbe, të cilat filluan ditë më parë, vazhduan edhe dje e sot nëpër disa vendbanime dhe qytete të Kosovës. Si gjithnjë, pretekst i këtyre ekspeditave të egra, është kërkimi i armëve nga shqiptarët.
Dje, në fshatin Brojë të Skënderajt policia serbe bastisi shtëpinë e Gani Thaçit, kryetar i Nëndegës së LDK-së në këtë fshat. Bastisja u bë prej orës 11,30 deri rreth orës 13,00, kurse në këtë aksion morën pjesë rreth 40 policë me shumë automjete.
Gjatë bastisjes policia gjeti një pushkë të gjuetisë dhe një pushkë M-48, për të cilat pronari posedonte leje. Babai i Gani Thaçit – Haxhiu pushkën M-48 e kishte me leje, sepse dikur ishte rojtar fushe. Gjatë bastisjes policia u soll në mënyrë brutale, demobiloi inventarin dhe konfiskoi një sasi librash, kurse me vete mori Haxhi Thaçin.
Dje, policia serbe për herë të dytë bastisi shtëpinë e Hysen Gegajt nga Sallograzhda e Suharekës, i cili po mbahet në arrest që nga 2 gushti. Shkas për bastisjen e dytë ishte letra që policia solli me vete dhe të cilën e kishte shkruar Hysen Gegaj ku i rekomandohej familjes së tij që ta dorëzojë armën e caktuar. Gjatë kësaj bastisje policia mori një pushkë automatike me karikator dhe disa fishekë. Po ashtu sërish u bastis edhe shtëpia e Ilaz Kadollit nga fshati Bukosh i po kësaj komune, të cilin policia e arrestoi gjithashtu më 2 gusht. Gjatë bastisjes policia gjeti një pushkë automatike me karikator e fishekë. Me këtë rast policia serbe arrestoi dy vëllezërit e Ilazit, Veselin dhe Sadriun si dhe kushëririn e tij Hamdiun.
Dje në fshatin Gjinoc të Suharekës u arrestuan Fazli, Ismet, Zenun, Sylë dhe Brahim Muharremaj, të cilët në polici u mbajtën tetë orë. Merret vesh se edhe këta u mbajtën në polici me pretekst të kërkimit të armëve.
Pardje në Prizren u bastis familja e Kapllan Gashit dhe me këtë rast djalit të tij, Jakupit, policia ia mori një revole. Policia plaçkiti edhe pajisje teknike shtëpiake.
Sot në orën 5 të mëngjesit policia kërkoi në shtëpinë e tij sekretarin e Degës së LDK-së në Obiliq, Rexhep Kelanin. Meqë nuk gjendej në shtëpi, atij iu la shkresa që të paraqitet në stacionin e policisë në Obiliq.
Në Malishevë, rreth 15 policë serbë nga Kijeva dhe Klina bastisën sot në orën 7 shtëpinë e Adem Xh.Krasniqit nga Llashkadrenoci. Pretekst i bastisjes ishte kërkimi i Halit Krasniqit, ish-i burgosur i ndërgjegjes dhe veprimtar i LDK-së. Meqë nuk e gjetën në shtëpi, policët morën disa pasaporta të familjes Krasniqi, ndërsa arrestuan një mysafir nga Prishtina.
5 gusht 1994
Policia serbe plagosi Sabri Lumën në Prishtinë
Mbrëmë rreth orës 20,15, në stacionin e autobusëve urbanë afër Tregut të Gjelbër të Prishtinës, dy policë serbë rrahën e pastaj plagosën në këmbë Sabri Lumën (1954) nga Prishtina.
Bashkëshortja e Sabriut, Selvetja, në një deklaratë me shkrim, si dhe shumë dëshmitarë të tjerë, vërteton se dy policë serbë, pa kurrfarë shkasi, në prani të një numri të madh qytetarësh, rrahën e plagosën Sabri Lumën.
Bashkëshortja Selvetja tha se dy policët serbë kërkuan nga bashkëshorti i saj t’i voziste me veturën e tij “Zastava 101”. Mirëpo, ai u tha policëve se nuk mund ta bënte këtë, pasi kishte një punë të ngutshme familjare, për çka kishte ardhur ta kërkonte bashkëshortja e tij, me djalin gjashtëvjeçar Visarin. Pas kësaj, njëri polic e goditi me shuplakë Sabriun dhe derisa policët shtyheshin me të, gruaja me fëmijën arriti të hynte në mes tyre, duke kërkuar ndihmë për ta shpëtuar bashkëshortin. Njëri prej policëve e nxorri revolen dhe iu kërcënua Selvetes. – Ma ofroi tytën në gojë dhe më kërcënohej se do të më vriste! – tha ajo. Pastaj policët e morën Sabriun me vete, e skajuan aty afër, e mbështetën pas një kiosku dhe e goditën me grushta e me kondakë revolesh barkut e nëpër pjesë të tjera të trupit. Polici i quajtur Zllatko, nga Fushë Kosova, e plagosi Sabriun në këmbë. Policët serbë, që dukeshin të dehur, përpiqeshin t’ia lidhnin duart Sabriut dhe pas disa përpjekjeve ata u futën në veturën e Sabriut e u nisën rrugës kah qendra e Prishtinës, ndërsa bashkëshortja e tij, e dërguar me veturë nga një kalimtar, e kishte paraqitur rastin në policinë serbe. Pas disa orësh Selvetja shkoi në spital, ku ishte dërguar bashkëshorti i saj i plagosur. Sabriu kishte treguar se ishte keqtrajtuar nga ata dy policë. E kishin detyruar të shëtitej një kohë nëpër oborrin e spitalit dhe në spital, nën kërcënim me revole se do ta vrisnin.
Selvete Gjyshinca – Luma tha se jeta e bashkëshortit të saj nuk është në rrezik. Pos plagës mbi zogun e këmbës, ai ka lëndime nga goditjet në shpinë, në bark dhe në fytyrë.
Ajo tha se familja Luma, sidomos fëmijtë e vegjël dhe Visari që ishte dëshmitar, përjetuan një natë tmerrësisht të rëndë për shkak të veprimeve kriminale të policëve serbë.
Pohimet e zonjës Luma i vërtetoi edhe Ymer Neziri (54), pedagog nga Prishtina, njëri prej dhjetëra dëshmitarëve të këtij akti kriminal.
Ai tha se dy policët serbë arritën në vendin e ngjarjes rrugës prej tregut, ku gjenden dy pijetore të pronarëve serbë. Ai dëshmoi se policët pa kurrëfarë shkasi kishin rrahur Sabriun dhe pastaj e kishin plagosur, pasi që e kishin skajuar pas një kiosku. Zmer Nezir tha se dëshmitarët ishin tmerruar nga sjelljet kriminale të policisë ndaj të plagosurit dhe ndaj gruas e fëmijës së tij.
5 gusht 1995
Në Gjenevë u mbajt një konferencë me gazetarë për gjendjen në Kosovë
Organizata e Popujve dhe Kombeve të Papërfaqësuar, në bashkëpunim me Pax Christi International dhe me Shoqatën e Popujve të rrezikuar, në selinë e OKB-së në Gjenevë, organizoi një konferencë shtypi, kushtuar gjendjes së të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë.
Brifingun në Gjenevë e hapi Jose Ramos Horta, ekspert i Komisionit të OKB-së për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore, kurse për situtën në Kosovë foli Besim Rexhaj, anëtar i Sektorit të LDK-së për marrëdhënie me jashtë.
Ai po ashtu iu përgjigj pyetjeve të shumta të gazetarëve dhe përfaqësuesve të organizatave të ndryshme, që po marrin pjesë në punimet e sesionit të 47 të Nënkomisionit të OKB-së për të drejtat e njeriut në Gjenevë, njofton “Bujku”.
5 gusht 1997
U rrahën dhe u maltretuan shumë qytetarë në Skënderaj
Dje, në orët e paraditës, në vendin e quajtur Përroi i Keq, që ndodhet në mes të Skënderajt e Runikut, me armë zjarri është shtënë në një automjet të policisë “Niva”.
“Bujku”, duke iu referuar Nënkëshillit për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në Skënderaj, njofton se shumë qytetarë kanë njoftuar se në rrugë kishin parë këtë një veturë me xhama të thyer, si dhe shumë policë e punëtorë të tjerë të sigurimit duke hulumtuar përreth.
Menjëherë pas kësaj, janë vënë postblloqe të policisë, si në Klinë të Epërme e të Poshtme, që ndodhet në hyrje të Skënderajt, ku janë legjitimuar qytetarët dhe u janë kontrolluar automjetet.
Njoftohet se disa qytetarë janë keqtrajtuar rëndë dhe janë dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Mitrovicës.
5 gusht 1998
Gjakovë: Edhe shtatë shqiptarë të vrarë në komunën e Gjakovës
Gjatë ditëve të fundit, forcat serbe kanë vrarë Haxhi Adem Brahimaj (80) nga fshati Krelan, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.
Njoftohet se dje në Jabllanicë, ushtria serbe ka vrarë edhe 5 shqiptarë, përkatësisht 3 pleqë e dy plaka, ndërsa ende nuk dihet për identitetin e tyre.
Bëhet e ditur se në pjesën e rrugës në mes të fshatrave Meje e Madanaj, përkatësisht në afërsi të një trafostacioni, që nga 2 gushti i këtij viti, gjendet trupi i pajetë i një shqiptari rreth 50 vjeç, i vrarë nga policia serbe. Popullata e këtushme shqiptare, nuk ka mundësi që ta tërheq kufomën dhe ta varrosë atë, meqë në afërsi të kufomës janë të vendosur disa snajperistë serbë.
