Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
4 nëntor 1992
Bill Klinton president i ri i SHBAve
Demokrati nga Arkanzasi, Bill Klinton u zgjodh dje president i 42të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke mundur në vota presidentin e deritashëm, republikanin Xhorxh Bush duke i dhënë fund kështu udhëheqjes 12vjeçare të republikanëve në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas rezultateve të para Bill Klinton fitoi 53 për qind të votave kundruall Xhorxh Bushit i cili fitoi 46 për qind. Sipas gjasave përkundër përvojës së pakontestueshme të Xhorxh Bushit në planin e jashtëm të politikës amerikane, votuesit amerikanë edhe një herë i kushtuan parësi aspektit të brendshëm ekonomik të programit presidencial të Bill Klintonit, programi ekonomik i të cilit në shtetin e vogël Arkanzas u tregua i suksesshëm. Sllogani kryesor i Klintonit në fushatën zgjedhore ishte: “Tash kur e kemi ndryshuar botën, është koha ta ndryshojmë Amerikën”.
Në planin e jashtëm Bill Klinton do të ballafaqohet me një sërë problemesh dhe vatrash të krizave që paraqesin testim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si lider botëror. Në fushatën e tij parazgjedhore Bill Klinton kritikoi administratën e Bushit për paaftësi për t’u marrë energjikisht me krizat e jashtme, posaçërisht me luftën në BosnjëHercegovinë. Ai ishte për një reagim dhe angazhim shumë më të ashpër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajonet e ishJugosllavisë. Komentatorët politikë amerikanë pohojnë se Klintoni mund të kompensojë mospërvojën e tij në politikën e jashtme me krijimin e një ekipi të fortë ekspertësh në këtë fushë.
Gazeta shqiptaroamerikane “Illyria”, e cila i pasqyron pikëpamjet e pjesës më të madhe të opinionit shqiptar në Amerikë, i dha përkrahje Klintonit. Shqiptarët në Amerikë ndihmuan fushatën parazgjedhore të Klintonit dhe përkrahën programin e tij të jashtëm dhe të brendshëm politik.
4 nëntor 1993
Ekspeditë plaçkitëse e policisë në tregun e devizave në Prishtinë
Sot në Prishtinë, rreth orës 15, policia serbe ndërmori edhe një ekspeditë plaçkitëse kundër qytetarëve dhe kalimtarëve që gjendeshin në vendin ku bëhet shitblerja e devizave.
Dëshmitarët thonë se policia plaçkiti shumë qytetarë e kalimtarë. Një ekspeditë të tillë plaçkitëse policia serbe ndërmori edhe të martën e kaluar në tregun e plaçkave dhe në atë të devizave.
4 nëntor 1994
Për arsim edhe stolitë e arit
Aksioni “Për shkollën shqipe”, i cili në komunën e Gjilanit po vazhdon ende, po jep rezultate mjaft të mira.
Kështu, për këtë dedikim Isa Veliu nga fshati Sllubicë, në Këshillin komunal për financim, solli 100 DM, si dhe stolitë e arit të grave të kësaj familjeje – dy lira e gjysmë, që është shembull unikat në këtë komunë, e që dëshmon se arsimi kombëtar shqiptar s’do të shuhet kurrmë.
Vlen të theksohet edhe me këtë rast se Isa Veliu, në një aksion të ngjashëm të vitit të kaluar të kësaj komune, e pat shitur të vetmen lopë qumështore që kishte, e tërë të hollat i pat dhënë për shkollën shqipe, shkruan “Bujku” i sotëm.
4 nëntor 1995
Vdiq Anton Çetta
Mbrëmë vdiq në moshën 75-vjeçare Anton Çetta, studiues i njohur i folklorit dhe veprimtar i shquar e deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Anton Çetta u lind më 3 janar 1920 në Gjakovë. Shkollën e mesme e kreu në Tiranë dhe Korçë, ndërsa tri vjetët e fundit të liceut i kreu në Milano të Italisë. Studimet i mbaroi në Universitetin e Beogradit më 1950, ku u emërua asistent në katedrën e albanologjisë në Beograd.
Me hapjen e Fakultetit Filozofik në Prishtinë (më 1960) Anton Çetta u emërua ligjërues për Letërsinë e vjetër shqipe. Këtë lëndë e ligjëroi deri në vitin 1968. Prej vitit 1967, kur u rihap Instituti Albanologjik, ai punoi në Degën e folklorit deri më 1985, kur u pensionua. Një kohë ishte edhe kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike -foklor e etnologji” dhe shef i Degës së folklorit në Institutin Albanologjik.
Anton Çetta është marrë intensivisht me mbledhjen e letërsisë gojore shqiptare në terren dhe me krijimin e rrjetit të bashkëpunëtorëve në vjeljen e folklorit dhe në studimin e tij. Mbledhjen e folklorit ai e filloi më 1954 në Drenicë, ndërsa e vazhdoi me hulumtimin dhe tubimin e materialit folklorik në të gjitha trevat shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.
Prej vitit 1953 Anton Çetta, vetëm ose si bashkautor botoi këto vëllime nga folklori: “Këngë popullore shqiptare të Kosovës-Metohisë”,(1953), “Tregime popullore” (Drenicë) (1963), dy vëllime me titull “Nga proza popullore e Drenicës” (1972), “Përralla I” (1979) dhe “Përralla II” (1982), ku përfshiheshin mbi 230 përralla, “Anekdota I” (1987) dhe “Anekdota II” (1988), “Balada dhe legjenda” (1973), “Këngë kreshnike I” (1974), “Këngë dasme I” (1980), “Këngë dasme II” (1984), “Vajtime, gjamë dhe elegji” (1987), “Këngë kreshnike III”, “Kashelashe shqipe” (1981), “Nga folklori ynë I” (1980), “Nga folklori ynë II” (1990), “Kërkime folklorike” (1981) dhe nga “Folklori ynë III-Pleqni dhe tregime etnografike” (1995).
Anton Çetta është marrë edhe me krijime letrare për fëmijë dhe është autor i njohur i librit të poezive “Në prehën të gjyshes” (1958) dhe i teksteve shkollore të letërsisë shqipe për shkollat fillore që nga viti 1954.
Anton Çetta ishte përkthyes i disa veprave të njohura letrare nga gjuha frenge, italiane, serbe e kroate.
Anton Çetta ishte edhe njëri prej themeluesve të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Prishtinë më 1989.
Në vitin 1990, kur filloi lëvizja e pajtimit të gjaqeve dhe ngatërresave në Kosovë, Anton Çetta u vu në krye të kësaj lëvizjeje, e cila u shndërrua në një aksion të madh gjithëpopullor dhe me rëndësi të madhe kombëtare.
Gjatë dy viteve (2 shkurt 1990 – 17 maj 1992) kjo lëvizje bëri 2461 pajtime: 1117 gjaqe, 466 plagë dhe 878 ngatërresa, pra u pajtuan rreth 5000 familje.
Në një deklaratë që e pat dhënë Anton Çetta lidhur me këtë aksion, pat thënë se aksioni i pajtimit dhe i zhdukjes së gjakmarrjes lindi nga nevoja dhe nga rreziqet e mëdha që e rrethonin popullin shqiptar: segregacioni, agresiviteti, masat ndëshkimore të llojllojshme dhe trajtimet jonjerëzore që i bëheshin popullit shqiptar nga qarqet zyrtare represive serbe.
Për hir të autorietetit të madh të Anton Çettës, njerëzit thonin në atë kohë se Kosova po ia fal gjaqet profesor Antonit, mirëpo, ai thoshte Kosova po ia fal gjaqet rinisë që di të çelë udhë.
Anton Çetta ishte edhe një studiues dhe analitik i çështjeve të ndryshme kulturore dhe letrare.
Në zgjedhjet e para presidenciale dhe shumëpartiake parlamentare, Anton Çetta u zgjodh deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës.
Me rastin e vdekjes së Anton Çettës, në Institutin Albanologjik të Prishtinës (rruga “Dubrovniku”) sot në orën 16:00 mbahet një mbledhje komemorative, ku do të flasë drejtori i Institutit dr. Sadri Fetiu.
Nesër në orën 11:00, në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës mbahet mbledhje komemorative e institucioneve shtetërore e kulturore të Kosovës.
Në orën 12:00, nga shtëpia e të ndjerit në rrugën “Dubrovniku”, bëhet nisja e kortezhit funeral për në Prizren, ku do të bëhet varrimi në orën 14:00.
4 nëntor 1996
The Times: 2 milionë shqiptarët e Kosovës i bojkotuan zgjedhjet serbe
Në një artikull rreth zgjedhjeve në Jugosllavinë e vetëshpallur, gazeta londineze The Times shkruan se 2 milionë shqiptarët e Kosovës i bojkotuan prapë këto zgjedhje.
Gazeta përkujton se prej vitit 1989, kur Milosheviqi hoqi autonominë e Kosovës dhe zbatoi regjimin ushtarak në Kosovë, shqiptarët e Kosovës kanë zgjedhur qeverinë dhe parlamentin e tyre, të udhëhequr nga presidenti i tyre dr. Ibrahim Rugova.
Ata janë të vendosur dhe të durueshëm për pavarësinë e tyre, të bindur se një ditë Milosheviqi përfundimisht do të pajtohet me atë çka i thotë Perëndimi.
Duke përshkruar atmosferën e zgjedhjeve në Beograd gazeta thotë se në mëngjes kishin dalë për të votuar kryesisht njerëz të moshuar, të cilët shumë pak dinin për njerëzit për të cilët duhej të votonin.
Pleqtë janë votuesit më besnikë të regjimit, sepse ata druajnë se mund të mbeten edhe pa atë që kanë, apo, siç thuhet në artikull, pa “pagat e vogla, të cilat nuk i marrin rregullisht”.
Pasi përshkruan gjendjen kaotike në Serbi, gazeta citon qytetarët serbë të kenë thënë se nuk kanë shumë mundësi të zgjedhin mes pozitës dhe opozitës, sepse të dy palët janë njësoj.
The Times thekson se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për Milosheviqin, i cili nuk ka të drejtë të zgjedhet edhe njëherë kryetar i Serbisë, por qëllimi i tij është që të zgjedhet kryetar i Jugosllavisë vitin e ardhshëm. Sipas kushtetutës, edhe me vetëm gjysmën e votave të parlamentit jugosllav ai mund të zgjedhet kryetar i Jugosllavisë.
Një indikacion që dëshmon se Milosheviqi do të bëhet gjithsesi kryetar i Jugosllavisë, është fakti se rezidenca presidenciale e Titos po rikonstruktohet, ndoshta pikërisht për të, thuhet në artikull.
4 nëntor 1997
Gjatë tetorit u keqtrajtuan mbi 30 studentë e qytetarë nga Malisheva
Gjatë protestave paqësore të studentëve shqiptarë më 29 tetor të këtij viti, policia serbe ka keqtrajtuar 25 studentë e qytetarë shqiptarë të komunës së Malishevës, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.
Bëhet e ditur se policia serbe gjatë këtij muaji bastisi 2 familje shqiptare, ndërsa i maltretoi edhe 6 qytetarë. Njoftohet se 10 qytetarë shqiptarë nga keqtrajtimet fizike të policisë serbe kanë pësuar lëndime trupore.
Ndërkaq, dje policia serbe për të katërt kërkoi në shtëpinë e tij Enver Z. Morinën (1967) nga Ostrozubi. Policia urdhëroi familjen e tij që Enveri të paraqitet në polici, me pretekst se kohë më parë atij i është konfiskuar një armë pa leje.
4 nëntor 1998
Shtime: Forcat serbe granatojnë Petrovën dhe fshatrat e Grykës së Devetakut
Sot rreth orës 12.50 forcat serbe filluan të granatojnë dhe të shtijnë me armë të tjera në drejtim të fshatit Petrovë dhe fshatrave të tjera të Grykës së Devetakut, njoftoi Dega e LDK-së në Shtime.
Në njoftim thuhet se forcat serbe po shtijnë nga dy autoblinda dhe dy pizgauerë, me të cilët shkuan nga Shtimja në drejtim të Petrovës, duke kaluar më parë nëpër fshatin Reçak.
Dega e LDK-së thekson se ditëve të fundit në Reçak janë kthyer më shumë se gjysma e banorëve, ndërsa shumë banorë janë kthyer edhe në Petrovë dhe ata sot rrezikohen nga të shtënat e forcave serbe.
