Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
3 tetor 1994
Filloi viti i ri akademik në Universitetin e Prishtinës
Sot filloi viti i ri akademik në Universitetin e Prishtinës. Rreth 20.000 studentë, prej tyre reth 6.000 brucoshë, edhe këtë vit do të ndjekin procesin mësimor nëpër objekte private.
Ky është viti i katërt prej se Universiteti i Prishtinës vazhdon me këtë mënyrë të organizimit të procesit mësimor.
Në një intervistë që i dha gazetës “Bujku”, rektori i UP-së Ejup Statovci tha se disa fakultete janë gjetur më mirë në sigurimin e lokalit dhe të kushteve për punë, ndërsa disa fakultete të tjera kanë vështirësi më të mëdha për ta bërë këtë.
3 tetor 1995
Në një akt terroristik u plagos kryetari i Maqedonisë Kiro Gligorov
Sot në orën 9:35 në një akt terroristik në Shkup u plagos kryetari i Maqedonisë Kiro Gligorov.
Akti terrortsik kundër kryetarit të Maqedonisë u bë afër hotelit “Bristol”, që gjendet jo larg ndërtesës së Kuvendit të Maqedonisë në Shkup, ku gjendet edhe selia e kryetarit.
Një autonomil -bombë, i ndalur, i tipit “Citroën – Spaçek” eksplodoi me teledirigjim në momentin kur afër tij arriti vetura me të cilën po udhëtonte nga shtëpia për në selinë e tij zoti Gligorov.
Dëshmitarët thanë se para veturës së presidentit Gligorov ecte një veturë e tipit “Zastave 750”, e cila me siguri ka ndikuar që të zvogëlohej shpejtësia e veturës së presidentit.
Dëshmitarët thanë dy persona me mjekrra dhe me kostume blu dhe mjekrra pas eksplodimit të automobilit – bombë me shpejtësi rrufeje kanë ikur me një makinë të tipit “Reno 25”, me targë të Titov Velesit.
Thuhet se shpërthimi u shkaktua me teledirigjim, ndërsa nga eksplodimi vdiq vozitësi i presidentti Gligorov, Aleksandër Spirovski.
Kryetari Gligorov, sipas njoftimeve zyrtare, mori lëndime të rëndë në kokë dhe në pjesën e përparme të trupit.
Janë lënduar edhe katër truprojet e kryetarit, të cilët gjenden në rrezik jete.
U lënduan edhe kalimtarë të rastit.
Pas atentatit kryetarit Gligorov menjëherë iu dha ndihma e parë në spitalin e qytetit. Pastaj, ai me makinë speciale u dërgua në spitalin e poliklinikave të Fakultetit të Mjekësisë në Shkup. Mjekët që i dhanë ndihmën e parë thanë se kryetari Gligorov gjatë kësaj kohe nuk kishte humbur vetëdijen dhe se ai kishte komunikuar me mjekët, duke u ankuar në dhimbje të forta në trup.
Në Shkup janë bllokuar të gjitha rrugët. Njoftohet se janë bllokuar edhe pjesë të tjera të Republikës së Maqedonisë dhe janë përforcuar pikat kufitare në kufirin në përgjithësi të Maqedonisë.
Sipas të gjitha gjasave, supozohet se atentati mbi Kiro Gligorovin është përgatitur shumë më parë.
Një gazetar i “Flakës”, i cili qëlloi jo shumë larg vendit të ngjarjes, i tha QIK-ut se shpërthimi ishte jashtëzakonisht i fuqishëm.
Ndërkohë nga Shkupi ka njoftime se është zënë vetura me regjistrim të Velesit dhe se janë kapur dy personat që gjendeshin në të. Ata janë të moshës 25-vjeçare dhe policia ka arritur t’i identifikojë ata.
Kundër këtij akti terroristik kanë reaguar ashpër partitë politike dhe institucionet në Maqedoni.
Poashtu kanë reaguar edhe shumë qeveri të vendeve të ndryshme, në mesin e tyre edhe Qeveria e Greqisë.
Deri më tash nuk ka spekulime se kush mund të jetë përgjegjës për këtë akt terrorist.
Mbi përmendoren e rrënuar shqiptare ajo e Vuk Karaxhiqit
Dje para Fakultetit Filologjik të Prishtinës u zbulua përmendorja kushtuar Vuk Karaxhiqit.
Përmendorja u përurua mu në vendin ku ishte më parë përmendorja kushtuar patriotëve të pushkatuar nga Shqipëria në vitin 1994, të cilën me vandalizëm të paparë e rrënuan uzurpatorët serbë, të nxitur nga rektori Radivoje Papoviq.
Në “inaugurimin ” e përmendores së V. Karaxhiqit foli edhe sekretari i Akademisë serbe të shkencave, Mirosllav Pantiq.
Njëri nga kreatorët e politikës serbomadhe dhe nacionalshoveniste në Kosovë, rektori serb i Prishtinës R. Papoviq, duke u shfryer me plot fraza boshe nacionaliste paralajmëroi serbizimin e mëtejshëm të Kosovës dhe të hapësirave të Universitetit të uzurpuar të Prishtinës edhe me përmendore të figurave të tjera serbe, si të Njegoshit dhe Nikolla Tesllës.
3 tetor 1997
Tridhjetë e dy kongresistë dënojnë reagimin barbar ndaj protestave në Kosovë
Tridhjetë e dy kongresistë amerikanë në një letër që i dërguan dje Administratës Amerikane, kërkuan dënimin më të ashpër dhe të menjëhershëm ndaj presidentit Sllobodan Millosheviq për trajtimin, siç shprehen, barbar ndaj 20 mijë studentëve protestues paqësorë në Prishtinë, kryeqytet i Kosovës së okupuar nga Serbia.
‘Siç e dini i shkruajnë kongresistët Sekretares së Shtetit, Madeline Albright sot në mëngjes policia serbe me gas lotsjellës dhe me shkopinj gome rrahu 20 mijë protestues shqiptarë që po kërkojnë të drejtën për arsimim në gjuhën shqipe në Universitetin e Prishtinës. Demonstruesit u sulmuan,
përkundër premtimeve të zyrtarëve të SHBA dhe diplomatëve të Evropës Perëndimore se forca nuk do të përdorej’.
Letrën drejtuar kryediplomates amerikane e nënshkruan kongresistët Engel, Gilman, Payne, Berman, Bonior, Slaughter, Lowey, Pallone, Kennedy, Smith (Texas), McGovern, Shays, Paxon, Miller, Olver, Rothman, King, Rochrabacher, Smith (New Jersey), Lewis, Schumer, Hinchey, Weygand, Kelly, Watt, Tauscher,
Pascrell, Lantos, Wolf, Levin, Moran dhe Porter. Ndër nënshkruesit e letrës ishin edhe kongresistë me ndikim në politikën e jashtme amerikane me në krye kongresistin Benjamin Gilman, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve
për Marrdhënie Ndërkombëtare. Iniciator për këtë letër ishte kongresisti Eliot Engel, i cili bashkë kongresistin tjetër, Peter King, janë bashkëkryetarë të Këshillit për Cështje Shqiptare në Kongres.
Më tej kongresistët në letrën e tyre sqarojnë se Universiteti i Prishtinës ishte një institucion shkollor i shqiptarëve deri sa Beogradi në mënyrë të njëanshme revokoi autonominë e Kosovës më 1989. Pas kësaj instruksionet mësimore dhe planprogrami u ndryshua për t’u lejuar vetëm në gjuhën serbe, duke lënë mijëra shqiptarë pa mundësi shkollimi akademik. Ata (studentët
shqiptarë) vazhduan leksionet në shtëpitë e ‘studentëve’ dhe ‘mësimdhënësve’.
“Kërkesa e vetme e tyre sot ishte që t’u lejohet të përdorin shkollat e tyre”, thuhet në letrën e 32 kongresistëve amerikanë. Ligjëdhënësit amerikanë, përfaqësues të pothuaj shumicës së shteteve të SHBA, në vazhdim përkujtojnë se demonstratat e djeshme në Prishtinë dhe në qytetet e tjera të Kosovës, janë të parat më masive paqësore që nga viti 1989. “Qeveria jonë
duhet të mbështesë demonstratat paqësore. Duhet fuqimisht të kërkojmë që Millosheviqi t’i japë fund reagimit barbar mbi protestën. Njëkohësisht duhet t’i tregojmë popullit të Kosovës se Shtetet e Bashkuara do t’i konsiderojnë përgjegjës serbët për veprimet e tyre,” thuhet në letër.
Letra thekson më tej se Shtetet e Bashkuara janë duke e aplikuar murin e jashtëm të sanksioneve ndaj Beogradit, sanksione këto që ‘në një pjesë të madhe janë të kushtëzuara me zgjidhjen e çështjes së Kosovës. ‘ “Kërkojmë nga ju i thonë kongresistët sekretares Albright që t’i tërhiqni vërejtjen Millosheviqit se këto ndëshkime nuk do të hiqen nën kushtet e sotme dhe se
Shtetet e Bashkuara do ta shqyrtojnë mundësinë e shtimit të sanksioneve po qe se do të vazhdojë represioni i dhunshëm mbi demonstruesit paqësorë”.
Duke e ritheksuar për të satën herë kërkesën drejtuar Administratës amerikane për t’u inkuadruar drejtpërdrejtë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, kongresistët e ripërsërisin bindjen e tyre për domosdoshmërinë e emërimit të një zyrtari amerikan si ndërmjetësues në dialogun e mundshëm shqiptaroserb.
“Tani është koha që të emërohet një i dërguar i posa&ëm për Kosovën, ashtu siç është kërkuar në mënyrë unanime nga Dhoma e Përfaqësueve vitin e kaluar”, shkruajnë kongresistës dhe i bëjnë thirrje z. Albright që ‘të kërkojë lirimin e menjëhershëm të të gjithë mësimdhënësve dhe studentëve shqiptarë të arrestuar nga policia serbe’.
3 tetor 1998 (Ora 13:00)
Gllogoc: U gjetën trupat e pajetë edhe të 20 shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga forcat serbe
Veprimtarët e Nënkëshillit të KMDLNJ-së në Gllogoc identifikuan trupat e pajetë edhe të 20 civilë shqiptarë të vrarë dhe të masakruar nga forcat serbe gjatë ofensivës së fundit në komunën e Gllogocit, njofton Shërbimi për Informim i KMDLNJ-së.
Bëhet e ditur se janë gjetur trupat e pajetë të Sadri Malokut e Naim Qazim Klunës nga Pokleku i Vjetër, Zeqir Brahim Fazliut e Skënder Emin Bardiqit nga Gradica, pastaj të Bilall Demakut, Vesel Mursel Demakut, Xhevdet Isë Demiqit dhe Driton Hysenjat, të masakruar dhe të prerë me thikë në fyt.
I njëjti burim bën të ditur se janë gjetur trupat e pajetë e të masakruar edhe të Valdet Xhemajlit, Afrim Hajdarajt, Menduhije Ymer Deliut, Habit Deliut dhe Hysen Deliut nga Obria e Epërme, të Fatos Sherif Krasniqit e Skënder Liman Shalës nga Negroci, të Fejzë Ramadan Ramadanit e Naim Salihut nga Shtutica, të Afrim Kliçinës nga Baica, Mursel Sefedinit nga Shtrubullova dhe të Islam Ali Shalës nga Krojkova.
Ferizaj: Në Jezerc forcat serbe kanë vrarë 7 shqiptarë
Gjatë ofensivës së fundit të forcave serbe në fshatin Jezerc, forcat serbe kanë vrarë 7 shqiptarë, njofton Shërbimi për Informim i KMDLNJ-së.
I njëjti burim bën të ditur se në këtë fshat forcat serbe kanë vrarë Gursel Sylejmanin e Bajram Sylejmanin nga Sadovina e Jerlive, Sejdi Sejdiun nga Nerodimja e Epërme, Kemajl Hetemin nga Ferizaj, Bashkim Vishin nga Dubrava e Epërme, si dhe dy shqiptarë të tjerë, të cilët ende nuk janë identifikuar.
Suharekë: U gjetën trupat e masakruar edhe të disa civilëve shqiptarë
Informatat e sotme që vijnë nga komuna e Suharekës, dëshmojnë se forcat serbe në fshatrat e kësaj komune kanë vrarë, djegur e masakruar edhe disa civilë shqiptarë, ndërsa numri i shqiptarëve të vrarë nga terroristët serbë është shumë i madh, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Suharekë.
Njoftohet se në fshatin Greiçec është gjetur trupi i pajetë dhe i masakruar i një plaku 74- vjeçar, i cili ishte me retardime mentale. Ai është masakruar barbarisht nga paramilitarët serbë, nga të cilët edhe është varrosur.
Bëhet e ditur se pranë kufomës është gjetur edhe mjeti me të cilin plaku është masakruar, por janë gjetur edhe shiringa e barna që i kanë përdorur paramilitarët serbë.
Edhe informatat tjera që vijnë nga komuna e Suharekës, janë po aq rrëqethëse, të cilat dëshmojnë për masakra të tjera ndaj civilëve shqiptarë nga paramilitarët serbë.
Kështu në fshatin Vraniq është gjetur po një kufomë gjysmë e djegur, e cila nuk kishte mundësi të identifikohej, por dyshohet se në këtë fshat ka edhe civilë të tjerë të masakruar shqiptarë.
Ndërkaq në Budakovë, është gjetur trupi i pajetë dhe i masakruar i Rexhep Kokollarit (65) nga i njëjti fshat, ndërsa në Mohlan është gjetur kufoma e djegur e Florim Jahir Gashit (28).
I njëjti burim bën të ditur se në fshatin Grejçec është masakruar e vrarë Halim Bungu (36), kufoma e të cilit gjendet në xhaminë e fshatit Greiçec.
KI i Degës së LDK-së në Suharekë bën të ditur se disa kufoma të masakruara e të paidentifikuara nga forcat serbe janë edhe në afërsi të shtëpizës së pylltarisë mbi lagjen e Buzhalëve në Greiçec.
I njëjti burim njofton se numri i civilëve shqiptarë të vrarë dhe të masakruar në komunën e Suharekës është shumë i madh, por që terreni ende nuk mund të kontrollet për shkak se fshatrat e kësaj komune vazhdojnë të mbahen nën rrethim të hekurt nga forcat serbe.
Foto: Kiro Gligorov
