UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 3 shtator 1993-1998

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

3 shtator 1993

CNN: Kosova është e okupuar nga Serbia që nga viti 1989

Pas vizitës që i bëri ditë më parë Kosovës dhe Maqedonisë, senatori amerikan Pol Kavërdell, deklaroi se prezenca ndërkombëtare në Kosovë është mëse e domosdoshme.

Në një program të CNN Kavërdell tha se politika aktuale e Perëndimit, e cila nuk po e pengon agresionin serb, “do t’i zhvleftësojë lëvizjet e mëdha demokratike që u bënë nga viti 1989 deri më 1990”, “bota e lirë duhet ta zotëroj guximin që të marrë hapa agresivë e jo sanksione, masë e cila po dëshmohet si e pasukseshme”.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, e cila është e okupuar nga Serbia që nga viti 1989, Kavërdell tha se “mbikqyrja e pjesërishme nga komuniteti ndërkombëtar do të ishte një pikë ujë në det”.

 

DPA: Në Kosovë vdes çdo e treta foshnjë

Agjencia gjermane DPA, njofton se “në Kosovën e banuar me shumicën shqiptare, sipas një organizate për të drejtat e njeriut, çdo e treta foshnjë e posalindur shqiptare, pas një kohe shumë të shkurtër vdes.

Siç njoftoi të enjten Seksioni Austriak i Organizatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, në bazës të të dhënave dhe analizave profesionale të mbështetura nga raportet e klinikave përkatëse, rezulton se vdekshmëria e foshnjave të posalindura shqiptare gjatë kësaj periudhe 6 mujore është dyfishuar në krahasim me atë të vitit të kaluar.

Rreth 63 për qind të foshnjave të posalindura vdesin për shkak të infektimit të mushkërive dhe përsëritjes së brohitisit dhe për arsye se shumica e grave shqiptare, nuk kanë guxim të shtrohen në klinikë për të lindur, sepse siç vlerësojnë përfaqësuesit shqiptarë të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Prishtinë, edhe klinikat janë të okupuara nga serbët. Vdekshmëria e foshnjeve në Kosovë, është në rritje”, thuhet në informatën e agjencisë DPA të publikuar në “Frankfurter Allgemeine”.

 

 

3 shtator 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Maslishevë: – Më 30 gusht, me preteks të kërkimit të armëve, policia ka bastisur shtëpitë e Hamdi F. Krasniqit (60) dhe Halil O. Hotit në fshatin Carrallukë. Në stacionin e policisë ata janë keqtratjruar fizikisht dhe janë udhëruar që më 1 shtator të paraqiten sërish në polici.

Po në këtë fshat, më 31 gusht janë bastisur shtëpitë e Bajram, Muharrem, Sali, Mursel e Muhamet Hotit.

Policia kërkoi djalin e Muharremit, Avniun (37), ndërsa të gjithë kryefamiljarëve dhe djalit të Muhametit, Bilallit, ua la ftesat që të paraqiten më 2 shtator në polici.

Më 2 shtator, në polici u mor Nexhmi Hoti (1950).

Më 31 gusht, policia e stacionit të Rahovecit ka bastisur shtëpinë e Selman Sh. Paçarizit (64), në fshatin Dragobil dhe i la ftesën atij që më 1 shtator të paraqitet në stacionin e policisë në Rahovec.

Po këtë ditë, në këtë fshat u bastis edhe shtëpia e Abdurrahim H. Mazrrekut, ndërsa thirrja për t’u paraqitur në polici iu la vëllait të tij, Nazmiut (29).

Ferizaj: – Më 1 shtator, një ekspeditë policore bastisi lokalet e Ndërmarrjes Gazetare Botuese “Zgjimni”, të vendosur në shtëpinë e Ali Lubishtanit. Policia konfiskoi një pako të madhe me disketa të kompjuterëve dhe mori me vete Agron Lubishtanin, Rrahim Sadikun(1955) – pronar dhe kryeredator i gazetës lokale “Zgjimi”, Enver Zhinipotokun-punëtor arsimor dhe bashkëpunëtor i gazetës si dhe Agim Abdullahun – punëtor arsimor dhe bashkëpunëtor i gazetës.

Ata u majtën në polici afër tetë orë dhe u pyetën për veprimtarinë botuese të “Zgjimit”.

Ata u liruan por duke u dhënë ftesat që sërish, më 4 shtator, të paraqiten në polici.

Prizren: –Më 2 shtator, rreth orës 14:00, një ekspeditë policore bastisi shtëpinë e Dr. Daut Mustafës, mjek i njohur për shërimin e sëmundjeve të mushkërive.

Preteksti i bastisjes nuk dihet.

Dr. Dauti është veprimtar në Këshillin komunal për pajtim të Prizrenit.

Kaçanik:- Qe disa herë mirret në pyetje Mynyr Jenuz Hysa nga fshati Stagovë. Me pretekst të armës, ai është marrë në pyetje më 8 gusht. Policia para se ta lironte, i dorëzoi thirrjen për t’u paraqitur në stacion një javë më vonë ( 15 gusht).

Por, edhe pasi u paraqit në stacion, prej tij u kërkua që të paraqitet në polici edhe më 18 gusht, kur ai u mbajt dy orë.

Prej tij u kërkua që të paraqitet në polici edhe të nesërmen, më 19 gusht, kur u mor në pyetje rreth 30 min.

Më 29 gusht, dy policë serbë, në fshatin Gajre bastisën shtëpinë e Shukri Ismajl Shahinit, me pretekst të armës. Pas bastisjes që zgjati 30 min. u policët morën me vete Shukriun dhe e mbajtën në stacion deri në orën 21:00. Prej tij policët kërkuan të paraqitet në stacion edhe të nesërmen, kur u mor në pyetje rreth 10 min.

Më 29 gusht, në fshatin Stagovë, me pretekst të armës, u bastis shtëpia e Islam Merrxhan Manit. Bastisja zgjati gjysmë ore. Pas bastisjes u mor në polici Islami, të cilin e keqtrajtuan prej orës 16:30 deri në 23:00. Prej tij është kërkuar që të paraqitet në polici edhe më 31 gusht.

Më 30 gusht, në fshatin Stagovë, dy policë serbë, me pretekst të armës, bastisën shtëpinë e Halit Sadik Brahës. Bastisja zgjati rreth gjysmë ore. Pas bastisjes, Haliti u mor në polici dhe u lirua pas një kohe të shkurtër.

Të njëjtën ditë është bastisur edhe shtëpia e Sami Sadik Brahës me pretekst të kërkimit të armëve. Samiu u urdhërua që të paraqitet në polici më 31.08.1995.

Më 30 gusht në fshatin Stagovë, me pretekst të armës, dy policë serbë bastisën shtëpinë e Musli Saqip Jahës. Pas bastisjes, Musliu është arrestuar. Nuk ka njoftime se është liruar.

 

3 shtator 1997

Pejë: Policia vrau Arsim Ramën (17)

Natën mes të hënës e të martës, rreth orës 2 e 30 minuta, në rrugën “Hasan Prishtina” në Pejë, e cila gjendet afër varrezave të vjetra, policia serbe vrau Arsim Ramën (17) nga Peja.

Siç njofton shtypi i sotëm ditor, në vendin e ngjarjes shihen mbi 13 vrima në mure dhe në kulmin e një shtëpie, kurse gjurmë gjaku vërehen edhe në largësi prej 200 metrash nga vendi ku ndodhi vrasja.

Gjyqtarin hetues serb në gjykatën e Pejës ka deklaruar se patrulla e policisë vërejti 2 persona të cilët silleshin rreth një automobili të parkuar, të cilët nisën të ikin sapo u nis policia drejt tyre. “Në thirrjen e policëve që të ndaleshin, njëri prej tyre hapi zjarr në drejtim të policëve, kështu që policët u detyruan që në vetëmbrojtje të hapin zjarr, dhe me atë rast është qëlluar njëri prej tyre, që më vonë u konstatua se ështës Arsim Rama nga Peja, i moshës 17-vjeçare. Personi tjetër që ishte me Arsim Ramën ka ikur nga vendi i ngjarjes”, shton ai në deklaratë.

 

 

Gllogoc: Në rrethana të pasqaruara u vra Liman Krasniqi

Të dielën në mbrëmje, rreth orës 22:25 minuta, në rrethana ende të pasqaruara, në fshatin Gllanasellë të Gllogocit, në shtëpinë e tij, u vra Liman Krasniqi, njofton “Koha ditore”.

Sipas pohimeve të fqinjve të tij, të shtënat ishin rafale të pandërprera automatiku. Në çastin kritik, Limani gjendej në shtëpinë e tij së bashku me dy fëmijët dhe gruan, kur nga dritarja e shtëpisë së tij, në prani të anëtarëve të familjes, u shkrepën disa rafale automatiku, nga plumbat e të cilit ai mbeti i vdekur në vend.

I ndjeri Liman Krasniqi, ishte rreth moshës 65-vjeçare, ndërsa disa vjet punoi punëtor stinor në Beograd, kurse gjatë dy vjetëve të fundit ishte i papunë dhe gjendja e tij sociale ishte e rëndë.

Gjatë ditës së djeshme forcat policore ishin të shumta në fshatin Gllanasellë dhe vëzhguan terrenin deri në orët e pasditës, por deri tashti nuk është akuzuar e as arrestuar askush.

Burime të “Kohës Ditore” bëjnë të ditur se i ndjeri ishte ndër fshatarë të rrallë që kishte armën e gjuetisë me leje. Rreth rastit, djali i tij, Shemsi Krasniqi deklaron: “Unë isha i ndarë nga ai, ai jetonte në një odë që e kemi shfrytëzuar më parë dhe në çastin e vrasjes ndodhej aty me të dy fëmijët dhe nënën. Në praninë e tyre, nga dritarja, është hapur zjarr dhe ai ka vdekur. Nuk e di se babai i ka pasur dikujt borxh apo ka qëndruar keq me dikë. Ky rast e ka goditur shumë familjen tonë dhe rastin e kam paraqitur në polici të cilëve u kam treguar se nuk qëndroj keq me askë dhe nuk mund ta akuzoj askë për këtë vrasje”.

 

 

3 shtator 1998

Sulm i gjerë i forcave serbe në rajonin mes komunave Malishevë-Klinë-Gjakovë-Rahovec

Forcat serbe kanë ndërmarrë sot nga mëngjesi një sulm të fuqishëm kundër fshatrave që gjenden në kufi të komunave Malishevë-Klinë-Gjakovë e Rahovec.

Një burim nga fshati Krushë në Prizren i tha sot QIK-ut se nga ky fshat shihej se po sulmoheshin fshatrat Drenoc, Pataçan dhe Bratkofc. Këto janë fshatra të mëdha me qindra familje, ndërsa në to janë vendosur kohët e fundit edhe një numër i madh refugjatësh.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Klinë njoftoi sot se forcat serbe po sulmojnë sot nga ora 6:30 prej pozicioneve të tyre në Dollc e Zajm fshatrat Gremnik, Çupevë e Ulët, Çupevë e Epërme, Volljakë dhe Sferkë.

Në këtë regjion kanë gjetur strehim javët e fundit dhjetëra mijëra njerëz.

 

 

Prizren: Dy të vrarë dje në Lubeçevë – vazhdon sulmi mbi fshatrat e Vërrinit

Edhe sot, që nga orët e hershme të mëngjesit, forcat serbe kanë filluar t’i granatojnë fshatrat e lartshënuara, ndërsa gjatë granatimeve të djeshme njoftohet se është vrarë nipi dhe është plagosur reja e Sali Kryeziut nga Lybeqeva.

Sot, që në orët e hershme të mëngjesit forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe me automjete të motorizuara dhe armë të rënda artilerike, kanë shkuar në drejtim të magjistrales Prizren-Kukës, ndërsa në orën 6:30, një konvoj tjetër me mbi 30 automjete të motorizuara shkoi në drejtim të magjistrales Prizren-Rahovec.

Bëhet e ditur se vetëm një orë më pas, në të njëjtin drejtim kanë shkuar mbi 40 automjete të markës “Mitsubishi”, që supozohet se ishin paramilitarë të kriminelit Arkan

Dje, forcat serbe i kanë bërë rrafsh me tokë fshatrat Lez e Lybeqevë, si dhe i kanë granatuar fshatrat Hoçë e Qytetit, Jeshkovë, Poslishtë, Kushnin, Leskovec, Vlashnje dhe Kobanjë.

I njëjti burim njofton se rreth 15 mijë banorë shqiptarë të këtyre fshatrave janë evakuar dhe pjesa dërmuese e tyre janë vendosur në qytetin e Prizrenit, por edhe në fshatrat që konsiderohen paksa më të sigurta.

Exit mobile version