UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 3 nëntor 1992-1998?

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

3 nëntor 1992

Në Suharekë planifikohet nxjerrja e 300 familjeve shqiptare nga banesat

Një përgjegjës serb, i ngarkuar me çështjet për urbanizëm në Suharekë, deklaroi në emisionin informativ të TVPsë,të shtunën, se në atë komunë është ndërmarrë një aksion i gjerë për nxjerrjen e shqiptarëve nga banesat. Ai tha se planifikohet të mirren 300 banesa. Deri më tash, tha ai, janë nxjerrë nga banesat 65 familje shqiptare, ndërsa në to janë vendosur familje serbe. Në 30 banesa janë vendosur refugjatët serbë nga Kroacia e Bosnja e Hercegovina. Ai tha se ditëve të ardhshme pritet marrja edhe e 200 banesave të tjera.

Përgjegjësit serb të instaluar nga Serbia paralajmërojnë rrëzimin e shumë shtëpive të banimit dhe të objekteve të tjera, me arsyetim se gjoja janë ngritur pa plane përkatëse.

Shtypi serb paralajmëron aksione të ngjashme edhe në komunat tjera të Kosovës.

 

3 nëntor 1993

Në Prizren policia serbe bastisi disa qytetarë shqiptarë

Komisioni për Informim i LDK-së së Prizrenit, njofton se gjatë ditës së djeshme, policia serbe bastisi një numër të konsiderueshëm qytetarësh, të cilët gjendeshin nëpër kafenet dhe çajtoret e qytetit.

Merret vesh se policët serbë gjatë tërë kohës i detyronin shqiptarët që t’i ngrejnë duart lart për gjoja kërkimin e armëve.

3 nëntor 1994

Në disa komuna të Kosovës policia në emër të tatimit plaçkiti dhjetëra dyqane e familje shqiptare

Pushteti i instaluar serb i KK të Klinës, ditëve të fundit përmes tagrambledhësve ka filluar grumbullimin e të hollave në emër të tatimit të bujqësisë e këtë po e bënë në fshatrat Kijevë, Mleçan, Pllaçicë, Bubavec, Drenoc, Llazicë, Vërmicë, Balincë, Carrallukë etj., njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Malishevë.

Një formë e këtillë e plaçkitjes po ndodh edhe në komunën e Gllogovcit, Suharekës, Rahovecit etj.

Kështu në komunën e Suharekës, janë mbyllur edhe zyrat e vendit si në fshatrat Bellanicë, Banjë etj., me ç’rast autoritetet serbe i kanë bartur librat e amzës në qendrën komunale dhe në këtë mënyrë nxjerrja e një dokumentacioni qytetarëve shqiptarë po u kushtëzohet me pagesën e tatimit të pronës bujqësore.

Ndërkaq tagrambledhësit serbë të komunës së Rahovecit, nga pronarët e firmave dhe dyqaneve shqiptare të komunës së Malishevës po i kërkojnë që t’u paguajnë gjobë edhe nga 1.900 dinarë, pa i llogaritur tatimet tjera të qarkullimit. Ka raste kur nga një pronar dyqani, policia serbe po kërkon që të paguaj edhe nga 3 mijë dinarë. Shuma e kërkuar nga ana e policisë serbe për 200 dyqane të pronarëve shqiptarë kap vlerën prej rreth 200 mijë dinarësh, pa i llogaritur plaçkitjet tjera nga ana e policisë financiare serbe.

Vlenë të theksohet se komuna e Malishevës gjatë këtij viti ishte komuna më e plaçkitur nga ana e policisë serbe. Gjatë këtij viti pothuajse çdo javë policia ndërhyri në tregun e Malishevës, me ç’rast plaçkiti sasi të mëdha devizash nga ana e qutetarëve dhe tregtarëve shqiptarë.

 

3 nëntor 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Malishevë: – Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Malishevë bënë të ditur se policia serbe edhe më tej ushtron dhunë kundër Abdyl Krasniqit dhe familjes së tij nga Drenoci i Malishevës. Familja e Abdyl Krasniqit ka dy vite që vazhdimisht bastiset nga ana e policisë serbe, si zakonisht me pretekst të dorëzimit të armëve.

Bëhet e ditur se policia serbe bastisi shtëpinë e tij edhe më 25 e 31 tetor, nga i cili kërkon që të dorëzojë një automatik. Më 25 tetor së bashku me policinë serbe, në bastisje të shtëpisë së tij mori pjesë edhe kuislingu shqiptar, Xhemajl Dysheku.

Më 24 tetor, në stacionin e policisë në Rahovec u maltretua për disa orë, Zeqir Kryeziu, kryetar i Aktivit të LDK-së në Pagarushë të Malishevës. Njoftohet se në pyetje, me pretekst të dorëzimit të armëve u mor edhe babai i tij, Ramadan Kryeziu.

Me të njëjtin pretekst është bastisur edhe familja e Hasan Kryeziut nga Pagarusha. Ai është marrë tri herë në pyetje dhe është maltretuar.

Më 31 tetor dhe më 1 e 2 nëntor, me pretekst të dorëzimit të armëve, në postkomandën e policisë serbe në Kijevë është marrë edhe Adem Krasniqi, arsimtar nga Drenoci i Malishevës. Njoftohet se Adem Krasniqi është keqtrajtuar rëndë fizikisht.

Me të njëjtin pretekst, në postkomandën e policisë në Kijevë është

marrë edhe Bilall Hoti nga Carralluka.

Vushtrri: – Dje rreth orës 11:00, një patrullë e policisë serbe, me pretekst të kërkimit të armëve ishte në shtëpinë e Salih Musliut në Dumnicë të Epërme të Vushtrrisë. Ai u urdhërua që të paraqitet sot në stacionin e policisë në Vushtrri.

Junik: – Kryetari i Komisionit për Solidaritet në Junik, Hysen Gjota, u mor më 1 nëntor në pyetje në polici, ku u pyet për aktivitetin e Degës së LDK-së në Junik, për punën e komisioneve të saj, si dhe për kuvendin e kësaj dege. Inspektorët serbë e pyetën atë edhe për vizitën e delegacionit të Ambasadës së SHBA-ve në Beograd, i cili qëndroi para nëntë muajve në Junik dhe për bisedën e zhvilluar me atë rast.

  1. Gjota u lirua me kusht që në polici të paraqitet sërish më 6 nëntor.

3 nëntor 1996

Kryepolici serb akuzon shqiptarët për sulme terroriste

Kryepolici serb Vukashin Jokanoviq në një deklaratë dhënë gazetës “Dnevni telegraf” për dy vrasjet e fundit të policëve në Kosovë i akuzoi “terroristët” shqiptarë. Ai tha se nuk përjashton mundësinë që këtë ta ketë bërë edhe “ushtria për ^lirimin e Kosovës”, e cila sipas tij “është një grup shumë ekstrem që ndërmerr edhe aksione terroriste”.

Sipas kryepolicit serb tashmë gjoja janë zbuluar “shumica e grupeve” që kanë bërë sulme “terroriste” dhe se policia serbe është duke gjurmuar pas grupeve të tjera. Jokanoviqi thotë se “ekstremistët dhe terroristët shqiptarë” së shpejti do të nxirren para gjyqit. Ai theksoi se “ekstremistët nuk kanë gjasa, sepse po bëjnë punë të liga, para së gjithash popullit të vet”.

 

3 nëntor 1997

Në Gjenevë u përurua busti i Skënderbeut

Të shtunën në Gjenevë, pas përgatitjeve paraprake, në prani të mijëra shqiptarëve u bë inaugurimi i bustit të heroit tonë të madh kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Në këtë solemnitet madhështor, pos autoriteteve shqiptare nga Prishtina, Tetova dhe Komiteti Shqiptar në Zvicër, mori pjesë edhe delegacioni shqiptar nga Tirana në krye me z. Rexhep Meidani, i shoqëruar nga autoritetet e shtetit të Gjenevës dhe ato zvicerane.

3 nëntor 1998

Malishevë: S’ka tërheqje të forcave serbe nga disa fshatra

As sot nuk ka tërheqje të forcave serbe nga shumë fshatra të komunës së Malishevës.

KI i Degës së LDK-së në këtë komunë njofton se këto forca vazhdojnë të qëndrojnë edhe më tej në Malishevë, Carrallukë, Smonicë, Kijevë e Mleçan.

Prezenca e madhe e forcave serbe pengon edhe më tej kthimin e popullatës në shtëpitë e veta, si dhe fillimin e procesit mësimor në disa fshatra.

 

Foto: Suhareka

Exit mobile version