UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 29 qershor 1993-1998?

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Ish-rektori i UP, dr. Ejup Statovci

 29 qershor 1993

Shtypi gjerman rreth diskriminimit racial në Kosovë

Agjencia gjermane DPA, sot në një raport nga Prishtina, njofton për ashpërsimin e masave kundër shqiptarëve në Kosovë. Kjo agjenci, njofton se dënimi i autotransportuesve shqiptarë, kryesisht bëhet për shkak të synimit të regjimit serb për të penguar furnizimin me mallëra për nevojat jetësore të shqiptarëve, të cilët janë të rrezikuar në çdo pikëpamje. Kosova, e cila banohet kryesisht nga shqiptarët, po sundohet përmes dhunës policore dhe ushtarake serbe që nga rrënimi i autonomisë së saj. Në punë të kolonizimit të Kosovës dhe me qëllim të ndërrimit të strukturës së saj etnike, është angazhuar edhe kisha ortodokse serbe, e cila stimulon natalitetin serb në Kosovë.

Gazeta e njohur “Frankfurter Allgemeine”, po ashtu shkruan se janë shpikur forma të ndrushme të plaçkitjes së shqiptarëve, siç është rasti me tarifën e veçantë doganore, sipas së cilës pronarët shqiptarë të kamionëve dënohen me nga 500 marka gjermane.

 

29 qershor 1994

Forcat serbe ndërhynë në Universitetin e Prishtinës dhe morën në pyetje drejtuesit e tij

Forcat serbe ndërhynë dje rreth orës 11:30 në Rektoratin e Universitetit të Prishtines, ndërprenë mbledhjen e Senatit të UP-së dhe morën në polici për rreth tri orë rektorin Statovci, kryetarin e Senatit të UP-së dr. Fadil Berishën dhe sekretarin e UP-së Destan Halimin.

Siç njofton sot Rektorati i UP-së, kur ndërhynë forcat serbe, në Rektorat po mbahej mbledhja e Senatit të UP-së.

Mbledhja kishte në rend të ditës shpalljen e zgjedhjeve në Universitet për rektor, për anëtarë të Senatit, për dekanë nëpër fakultete dhe për drejtorë në shollat e larta, në bazë të Dekretligjit mbi shkollimin e lartë, të aprovuar Qnga Qeveria e Republikës së Kosovës më 22 qershor 1994 dhe që ka hyrë në fuqi të njëjtën ditë.

Forcat serbe legjitimuan pjesëmarrësit e mbledhjes dhe bastisën lokalet e Rektoratit, morën dokumentacionin dhe kopjet e Dekretligjit mbi shkollimin e lartë që ishin bërë gati për t’iu shpërndarë fakulteteve dhe shkollave të larta, si edhe materiale të tjera.

Policia dërgoi në stacion rektorin Statovci, kryetarin e Senatit dr. Fadil Berishën dhe sekretarin e UP-së Destan Halimin.

Këta u mbajtën dhe u morën në pyetje prej dy deri në tri orë.

Policisë i interesonte puna përfundimtare rreth Dekretligjit mbi shkollimin e lartë, për aprovimin e tij nga Qeveria e Kosovës dhe për mënyrën e komunikimit me Qeverinë dhe personat që e bëjnë këtë. Policia interesohej edhe për bazën juridike të Dekretligjit e për zbatimin e tij, për atë se përse bëhen dhe si bëhen tash zgjedhjet në UP dhe me çka dallohen këto zgjedhje me ato të mëparshmet.

Drejtuesit e UP-së u pyetën edhe për qëllimin e mbledhjes së Senatit të UP-së dhe për punën e këtij senati tash.

Pas marrjes në pyetje ata u liruan, por rektori Statovci u paraqit sot në polici në orën 8:00 në bazë të urdhërit që iu dha dje.

Rektori u mor në pyetje rreth një orë për çështjet që ishte marrë në pyetje edhe ditën e djeshme.

Në kumtesën e Rektoratit të UP-së të shpallur sot thuhet se qëllimi i ndërhyrjes së djeshme ishte pengimi i punës së UP-së dhe frikësimi i mësimdhënësve e studentëve.

Universiteti i Prishtinës, thuhet në kumtesë, si edhe deri më tash do ta vazhdojë punën e vet me vendosmëri dhe me bazë të re, të krijuar me nxjerrjen e Dekretligjit mbi shkollimin e lartë.

Ndërhyrja e djeshme e forcave serbe kundër UP-së është e dyta gjatë këtij muaji. Në fillim të qershorit policia serbe ndërhyri kundër mbledhjes së Kuvendit të UP-së që po mbahej në Medresenë “Alaudin” të Prishtinës, me ç’rast kishte arrestuar rektorin dhe disa drejtues të lartë të UP-së.

 

29 qershor 1995

Në Podujevë vazhdon aksioni për kërkimin e armëve

Gjatë kësaj jave në Podujevë, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve ishte në shtëpinë e Kadri Hakiqit, Ramadan Osmanit të cilët në stacionin e policisë në Podujevë u maltretuan fizikisht si dhe në shtëpinë e Salih Salihut, Nazmi Podvoricës e Riza Fazliut. Gjithashtu në fshatin Bradash poicia kërkoi edhe Rexhep Hotin, i cili ditë më parë ishte maltretuar fizikisht.

Në Bajçinë policia ishte në shtëpinë e Bejtush Muçollit ku kërkuan të birin e tij Hasanin, si dhe në shtëpinë e Naip Muçollit. Preteksti ishte kërkimi i armëve, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Podujevë.

Ndërsa dje në Sfeçël policia serbe kontrolloi shtëpinë e Hetem Ajetit. Pasi që Hetemi nuk ishte në shtëpi policia iu la fleturdhëresën që të lajmërohet të nesërmen. E njëjta ekspeditë e policisë ishte sot në ora 8:00 të mëngjesit për të kërkuar sërish Hetemin, mirëpo pasi nuk ishte në shtëpi, policia bëri demolimin e orendive shtëpiake.

 

29 qershor 1998

Një burrë e një fëmijë të vrarë dhe tre fëmijë tjerë të plagosur në Drenoc të Klinës

Shaip Krasniqi (30) dhe Betim Xhevdet Fejza (12) janë vrarë mbrëmë në fshatin Drenoc të Klinës, ndërsa Fidan Rasim Agushi (12), Arben Hamzë Fejza (17) dhe Labinot Ismet Fejza (10) janë plagosur gjatë sulmit të policisë e të civilëve serbë që filloi në orën 20:00. Sulmi i furishëm në këtë fshat përskaj rrugës Prishtinë – Pejë zgjati rreth një orë. Thuhet se janë rrëmbyer Qaush Haxhi Fazlia (38) dhe Skënder Imer Ademi (51).

Fshatarët bënë një rezistencë të fuqishme me mjetet që i kishin.

Fshati vazhdon të mbahet ende në rrethim. Dega e LDK-së në Klinë tërheq vërejtjen për rrezikun nga një masakër i fshatit, pasi në të gjenden fëmijë, gra e pleq.

 

Lismir: Behar Gojnovci vdiq, Hajrullah Konjuhi në gjendje të rëndë

Behar Gojnovci (8) nga Lismiri, i cili u plagos sot në mëngjes nga forcat serbe që sulmuan fshatin, vdiq disa orë më vonë, në pamundësi të ofrimit të ndihmës mjekësore, për shkak se fshati mbahet në rrethim të plotë nga forcat serbe.

Njoftohet se është plagosur edhe Hajrullah Konjuhi (56) nga ky fshat, i cili gjithashtu është në gjendje të rëdnë, për shkak se atij nuk ka mundësi t’i afrohet ndihmë mjekësore.

Exit mobile version