Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
29 nëntor 1995
Ushtarakët akuzojnë serbët për prodhimin e shitjen e helmit “sarin” të përdorur kundër fëmijëve të Kosovës
Programi dokumentar televiziv anglez, “World in Action”, ka mbledhur të dhëna të dokumentuara se “APJ” (“Armata Popullore e Jugosllavisë)” ka prodhuar në fabrikën ushtarake në Potoci (në veri të Mostarit) përbërjen “sarin”, nga i cili prodhohet gasi nervor.
Siç dihet mjekët shqiptarë, disa ekspertë të huaj të toksikologjisë dhe ish-kryetari i ish-kryesisë së ish-Jugosllavisë, Stipe Mesiq, kanë pohuar se me këtë materie janë helmuar në pranverë të vitit 1990 disa mijëra nxënës shqiptarë.
Sipas ekipit televiziv britanik, Serbia e ka prodhuar dhe prodhon ende armë kimike, ndërsa dokumentet e konfiskuara ushtarake dëshmojnë gadishmërinë e Serbisë për të përdorur helme vdekjepruese dhe për të rrezikuar tërë rajonin.
Më 26 nëntor, opinionit britanik iu prezentuan faktet për prodhimin e mjeteve të ndaluara të vrasjes, siç ishte p.sh. mjeti i sulmit terrorist në hekurudhën nëntokësore në Tokio para disa muajsh.
Armën kimike serbe e gjurmoi dhe e zbuloi majori britanik, David Craig, ekspert pë helme ushtarake. Craig para disa kohësh vizitoi fabrikën të cilën “APJ” kishte braktisur në janar të vitit 1992 (para fillimit të agresionit në atë rajon) dhe pasi i kishte transferuar paisjet industriale në Serbi. Majori britanik, që pati rol vendimtar në luftën e Gjirit (kundër Irakut) në fushën e helmeve ushtarake, gjeti mbeturinat e substancës së prodhuar. Mostrat u hulumtuan në institutin ushtarak suedez SNDE, ku u vërtetua se fjala është për “sarinin”.
Në njoftimin që e solli dje gazeta kroate “Veçernji List” , thuhet se major Craigu ka biseduar me punëtorët e asaj ish-fabrike dhe ka mbledhur fakte të reja. Në fabrikën ushtarake në Potoci, Jugosllavia e ka prodhuar “sarinin” dhe nga ajo fabrikë i kanë shkuar dërgesat Sadam Huseinit në Irak. Në fabrikën kryesore irakiane për prodhimin e helmeve luftarake në Samarri, Sadam Huseini me ndihmën jugosllave ka prodhuar helmet që i ka përdorur në Iran kundër kurdëve. Ndihma për Huseinin në prodhimin e armës kimike ishte pjesë përbërëse e bashkëpunimi ushtarak, gjatë të cilit edhe Iraku ka ndihmuar industrinë ushtarake jugosllave (serbe) për prodhimin e përbërjes raketore “orkan”.
Më tutje në këtë shkrim thuhet se dokumentet e konfiskuara ushtarake të komandantëve serbë, të cilat i gjeti ekipi televiziv britanik dhe dëshmitë e atyre që kanë punuar në industrinë ushtarake jugosllave zbulojnë se në Serbi ekzistojnë disa fabrika për prodhimin e armës kimike. Nga dokumentet ushtarake për “mbrojtjen nga helmet luftarake” shihet gadishmëria e komandaturës serbe që të shërbehet me armët e ndaluara. Ekspertët vlerësojnë se Serbia paraqet “rrezik potencial katasrofik për paqën në rajon”.
Është posaqërisht e rëndësishme dëshmia e Stipe Mesiqit, i cili në cilësinë e kryetarit të atëherëshëm të ish shtetit të Jugosllavisë, kishte vizituar fshehtas Uashingtonin dhe Pengatonin dhe ua kishte dhënë atyre dokumentacionin për arsenalin kimik jugosllav. Mesiqi e kishte njoftuar atëherë ministrinë amerikane të mbrojtjes për bashkëpunimin jugosllavo-irakian në prodhimin e armës kimike. Për ta mbajtur në fshehtësi shkuarjen në Pentagon, Mesiqi së pari kishte udhëtuar “në vizitë private” në Australi e mandej me aeroplan në Vashington.
29 nëntor 1996
Gjendja e Nënë Terezes po përmirësohet
ATSH duke cituar agjencinë DPA njofton se gjendja e Nënë Terezës, fituese e çmimit Nobel, që gjendet në një spital në Kalkuta për shqetësime kardiake, u përmirësua pak.
Doktorët thanë se murgesha shqiptare 86vjeçare, ka kaluar një natë të qetë. Ajo zhvilloi një bisedë të shkurtër me kardiologen amerikane Patricia Aubnel.
Mjekët e Qendres Kerkimore te Zemres “B.M. Birla” ku ajo po trajtohet do të organizojnë një konsultë të premten në mbrëmje nëse krijuesja e urdhërit “Misionaret e Bamirësisë” do të mund t’i nënshtrohet një angiografie, një procedure radiologjike për të diktuar bllokimet e arterieve.
29 nëntor 1997
Bill Klinton: SHBA-të do të angazhohen që shqiptarët e Kosovës t’i gëzojnë të drejtat e veta
Presidenti amerikan Bill Klinton, me rastin e 85 vjetorit të festës së 28 Nëntorit – Ditë së Pavarësisë së Shqipërisë, i ka dërguar një mesazh të ngrohtë komunitetit shqiptar në Amerikë, dhe siç shprehet ai, të gjithë atyre që e kremtojnë këtë festë.
Në letër thuhet:
Shqiptaro-amerikanët kanë dhënë kontribute të jashëtzakonshme jo vetëm për mirëqenien e tokës së tyre shekullore, por edhe për begatinë e atdheut të tyre të ri. Gjatë gjithë viteve tepër të rënda të izolimit komunist të Shqipërisë, shqiptaro-amerikanët kanë ndiohmuar për të mbajtur gjallë luftën për liri dhe kanë ruajtur lidhjet e fuqishme midis dy vendeve tona.
Që nga viti 1991, SHBA-të kanë punuar fuqimisht për të konsoliduar demokracinë e brishtë shqiptare dhe ekonominë e tregut. Amerika do të angazhohet për ta ndihmuar Shqipërinë në rrugën e saj drejt bashkimit me familjen e vendeve demokratike.
Ne jemi të vetëdijshëm se shqiptarët në republikat e ish-Jugosllavisë, e veçanërisht në Kosovë ende luftojnë për të drejtat e tyre.
Shtete e Bashkuara të Amerikës përkrahin të drejtat njerëzore të të gjithë popujve dhe po punojnë t’u ndihmojnë shqiptarëve të Kosovës që t’i fitojnë të drejtat që i meritojnë.
Ndërsa po e shënojmë këtë përvjeteor ne në Amerikë jemi mirënjohës për kontributin e shqiptaro-amerikanëve që i japin larmisë, begatisë dhe mirëqenies së Amerikës. Angazhimi i tyre i fuqishëm për familjen, komunitetin dhe shtetin ndihmon ndërtimin e një të ardhme më të lumtur për të gjithë ne.
