UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 29 maj – 1993-1998?

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 (Foto: Politikani Karl Bild ishte mjaft i angazhuar në çështjen e Kosovës)

29 maj 1993

Adem Demaçi në ditën e gjashtë të grevës së urisë

Në Pallatin e Shtypit, Adem Demaçi sot po vazhdon ditën e gjashtë të grevës së urisë, në shenjë kundërshtimi të masave të regjimit serb për të shkatërruar shtëpinë e vetme botuese-informative në gjuhën shqipe “Rilindja”.

Merret vesh se Adem Demaçi është i paluhatshëm për të vazhduar grevën e urisë deri në plotësimin e kërkesave. Ai nuk po i merr parasyshë këshillat e mjekëve dhe është duke përdorur vetëm ujin.

Bisedat me gazetarët i kanë ndërpre. Po ashtu, merret vesh se, edhe pas 100 orëve të grevës së urisë, është i kthjelltë dhe lexon shtypin dhe përcjell mjetet e informimit.

 

29 maj 1995

Në Prishtinë filloi procesi i montuar politik kundër 71 ish-policëve shqiptarë të Kosovës

Sot në sallën e improvizuar për gjykim të Kuvendit të okupuar të Kosovës nga forcat serbe, gjykata e instaluar serbe e qarkut në Prishtinë filloi procesin e montuar politik kundër 71 ish-policëve shqiptarë të Kosovës, të cilët akuzohen për gjoja formimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.

Para se të fillonte gjykimi të gjitha rrugët që shpienin në drejtim të Kuvendit të Kosovës ishin të bllokuara nga policia serbe për komunikacion. Ndërtesa e Parlamentit të Kosovës brenda dhe jashtë kontrollohej nga forca të mëdha të policisë.

Në sallën e madhe të Kuvendit ishin ulur mbi 400 pjesëmarrës, 60 të akuzuar shqiptarë, shumë përcjellës të tyre, nga tre anëtarë të familjeve, një numër i madh gazetarësh dhe 45 mbrojtës të të akuzuarve.

Edhe pse ishin në këtë farë gjykatoreje, derisa filloi gjyqi, të akuzuarit mbi një orë u mbajtën duarlidhur.

Trupi gjykues i të pestëve (të gjithë serbë), i kryesuar nga Dragolub Zdravkoviq, në fillim komunikoi se në gjykatore sot janë sjellë 60 të akuzuar, ndërsa 11 gjenden në arrati.

Siç dihet, për kinse formimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, akuzohen: Avdija Mehmedoviqi (1953), Jonuz Tërstena (1952), i cili gjendet në arrati, Sherif Krasniqi (1939) – në arrati, Sheremet Ahmeti (1953), Hajrullah Tërrnava (1954) – në arrati, Fadil Krasniqi (1958) – në arrati, Blerim Olloni (1956), Hizri Ahmeti (1955), Ejup Kamerolli (1952), Murat Sahiti (1956), Afrim Karaxha (1954), Hakif Latifi (1954), Ramadan Ferizi (1947), Ilmi Sylejmani (1960), Arsim Mehmeti (1960), Bajram Munishi (1956), Destan Thaçi (1954), Vesel Rexhepi (1958), Idriz Jashari (1954), Hasan Avdyli (1957), Bejtullah Alidema (1943), Haki Mehmeti (1952), Fadil Hyseni (1954), Bajram Jakaj (1948), Fadil Berisha (1956), Izet Ymeri (1949), Isak Aliu (1948), Enver Hakiu (1947), Sylejman Berisha (1958), Ramiz Hoxha (1954), Fekir Tahiri (1955), Reshat Maliqi (1960), Adem Dulahu (1957), Rexhep Kamenica (1949), Kemajl Aliu (1962), Bajram Berisha (1962), Izet Azizi (1959), i cili gjendet në arrati, Tahir Çaka (1959), Sali Bruti (1944), Fahredin Mehmeti (1956), Ilaz Gashi (1954), Sejdi Ademi (1966), Agim Gashi (1956), Açif Berisha (1955), Muhamet Hajdari (1961), Qazim Omura (1950), Rexhep Haziri (1956), Sejfullah Sahatçiu (1943), Faton Zhubi (1942), Pleurat Macula (1957), Bedri Juniku (1953), Lah Lahu (1954), gjendet në arrati, Shaban Hajredini (1945) – në arrati, Shefqet Beçaj (1957), Xhavit Osmani (1944), Xhafet Sahatçiu (1947), Muhamet Nimani (1946), Remzi Tertica (1946), Zekë Beka (1948), Tahir Bezhani (1947), Bibë Biblekaj (1946), Zenel Rama (1947), Selim Çitaku (1955), Zejnullah Shala (1938), Enver Maxhuni (1949), Afrim Olloni (1957), Bedri Tahiri (1959), gjendet në arrati, Jonuz Loshaj (1950), Hamit Peci (1946), Abdyl Doroci (1945) dhe Shefqet Budakova (1957).

Gjykimi filloi me vërejtjet e mbrojtësve: Bajram Kelmendi, Xhafer Maliqi, Nekibe Kelmendi, Azem Vllasi, Fazli Balaj, Drita Hajdari e Hysni Bytyçi. Ata kërkuan shtyerjen e gjykimit, për shkak të lëshimeve procedurale, thirrjeve të vonuara për mbrojtësit dhe të akuzuarit, si dhe për shkak të shqyrtimit të shkresave të lëndës, të cilat, avokatët nuk i morën me kohë.

Pas kësaj, trupi gjykues u kërcënua se po qe se mbrojtja nuk pajtohet me fillimin e gjykimit, atëherë ky gjykim do të shtyhet për 1 shtator të këtij viti.

Kundër këtij kërcënimi të kryetarit të trupit gjykues, Dragolub Zdravkoviq, reaguan sërish mbrojtësit dhe insistuan që të respektohen kërkesat e tyre.

Ndërkohë, meqë u dhanë edhe disa propozime të tjera, ndër të cilët edhe ai që sot të lexohet aktakuza e më pastaj të vendoset për rrjedhën e gjykimit, kryetari i trupit gjykues aprovoi këtë kërkesë të mbrojtësve.

Në vazhdim u lexua aktakuza. Pas leximit të saj, trupi gjykues bëri një pauzë të shkurtër dhe pastaj kumtoi vendimin se seanca e ardhshme gjyqësore do të mbahet më 12 qershor, në orën 9.

 

 

29 maj 1997

Karl Bilt: E tërë Evropa e brengosur për Kosovën

Prishtinë, 29 maj (QIK)

Koordinatori civil i Marrëveshjes së Dejtonit, Karl Bilt, tërhoqi vërejtjen në Hagë se “strategjia afatshkurtër e tërheqjes së forcave ushtarake” nga Bosnja dhe nga tërë Evropa Lindore “ka pasur si pasojë mossuksesin e thellë politik”.

Në takimin, që u bë në Shoqatën holandeze të çështjeve ndërkombëtare, Bilt u përcaktua për politikën afatgjate të Bashkimit Evropian që ekonomikisht, por “edhe në praninë e komponentës ushtarake”, të sigurojë integrimin brendapërbrenda këtij rajoni e njëkohësisht edhe integrimin e tërë Evropës Juglindore, shkruan “Koha ditore”.

Bilti, i cili në fillim të qershorit largohet nga ky funksion, porositi se “detyrë kyçe” e pasardhësit të tij do të jetë, jo vetëm “të mbajë të mbledhur koalicionin ndërkombëtar për Bosnjën, por edhe ta përforcojë atë, duke i pasur parasysh paqartësitë e gjata për afatin e paarsyeshëm të tërheqjes së forcave ushtarake më 1998 dhe përfundimin e periudhës së konsolidimit më 1997 dhe 1998.

Ai shtoi se “të gjitha vendet e Evropës janë të brengosura për gjendjen në Kosovë dhe lëvizjen në drejtim të dhënies së një lloj autonomie për Kosovën e parashtrojnë si parakusht për përmirësimin esencial të marrëveshjeve të tyre me RF të Jugosllavisë”.

 

 

28 maj 1998

Tre të vrarë afër fshatit Bellacerkë të Rahovecit

Mbrëmë rreth orës 21:50 forcat serbe vranë në rrugë afër fshatit Bellacerkë tre shqiptarë dhe një tjetër plagosën.

Deri më tash dihet se janë vrarë Feim Gashi nga fshati Drenoc dhe Sakib Bellaqa nga fshati Pataçan, ndërsa Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Rahovec nuk ka mundur të njoftojë ende identitetin e të vrarit të tretë dhe të të plagosurit.

Forcat serbe kryen këtë krim të rëndë në rugën e paasfaltuar Bellacerkë – Xërxë.

 

 

Snajperistët serbë vranë plakun Tahir Rrustem Kadrijaj nga Rastavica

Njoftimet nga Deçani bëjnë të ditur se gjendja në këtë qytet dhe ne fshatrat e sulmuara nga forcat serbe edhe sot është mjaft e rëndë.

KMDLNJ njofton se mbrëmë, deri në orën 19,00, nga vendi i quajtur “Kodra e Rastavicës” forcat ushtarake serbe kanë granatuar fshatin Rastavicë, ku ka pasur dëme të konsiderueshme, ndërsa nuk ka të dhëna për viktimat eventuale. Ndërkaq, snajperistët serbë të vendosur në këtë vend kanë vrarë mbrëmë Tahir Rrustem Kadrijajn, (75) nga Rastavica.

Po ky burim njofton se edhe sot, që nga orët e hershme të mëngjesit, ka të shtëna me armë artilerike në drejtim të fshatit Baballoq, ndërsa snajperistët po shtijnë në drejtim të fshatit Llukë e Epërme që nga ora 6,00 e mengjesit. Ata shtinë sot edhe në disa vetura në fshatin Beleg, me të cilat po largoheshin fëmijët e Deçanit. Për fat të mirë në këtë sulm nuk pësoi askush.

Exit mobile version