Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Gazimestani, aty ku Serbia ndezi fitilin e luftërave
28 qershor 1993
Katër vjet pas “betejës” së Gazimestanit
Sot, bëhen katër vjet që nga dita kur afër 1 milion serbë erdhën në Gazimestan, të magjepsur me homogjenizimin dhe mitin serb rreth Kosovës. Kryetari serb Milosheviq, duke prekur në një nga fushat spekultative më të ndjeshme të popullit serb, ia doli që t’i mobilizojë qindra mijëra bashkombës për të filluar luftën e serbëve pothuaj kundër të gjithë popujve përreth. Kosova ishte hapi i parë i fillimit të kësaj lufte që u paralajmërua më 28 qershor në Gazimenstan dhe që po vazhdon edhe sot e kësaj dite, duke marrë me dhjetëra jetëra të civilëve të pafajshëm.
Nga një kodër gjysëm e zhveshur, pa shenja të mëdha dalluese për një betejë të largët, e cila nga historianët ende nuk është ndriçuar plotësisht, Milosheviqi dërgoi atëherë mesazhin e tij të krimit kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë. Po ashtu, ai asokohe ua tërhoqi vërejtjen kriptokomunistëve në të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë se i priste dora e zgjatur për t’iu bërë aleatë në projektin e tij serbomadh. Në të kundër, kërcënohej Millosheviqi, popujt e republikave të tjera do të bëhen theror i mitit serb, përkatësisht viktimë e projektit për Serbinë e Madhe. Gjatë këtyre viteve është përsëritur shpesh fjalia e Milosheviqit se ai qëllimet serbe do t’i realizojë “përmes mjeteve institucionale dhe joinstitucioonale”.
Katër vjet pas asaj feste të madhe të nacionalizmit serb, kur shqiptarët në shenjë prtoteste kundër veprimeve gjithnjë e më agresive, u mbyllën nëpër shtëpitë e tyre, sot manifestimi i kujtimit të Betejës së humbur në Kosovë nga ballkanasit dhe nga serbët, po bëhet me ca manifestime modeste dhe pa entuziazmin e atëhershëm dhe të viteve që pasuan. Përkundër kërkesave të vazhdueshme disamujore, Milosheviqi nuk erdhi në Kosovë për të paraqitur qëndrimin më të ri për Kosovën në dritën e zhvillimeve të ngjarjeve në hapësirën e ish-Jugollsavisë dhe të Ballkanit, por nuk erdhi as Qosiqi.
Qosiqi sikur bëri me dije se nga vala e ngrohtë e ëndrrave serbe për Kosovën ka mbetur pakgjë dhe se po ashtu mund të realizohet pakgjë. Abstenimi i tij po kështu lë të nënkuptohet se Qosiqi, si viktimë poltike e idesë së vet mbi Serbinë e Madhe, më në fund është i pafuqishëm të tërheq përpara ëndërrat dhe projektitet nacionaliste, të cilat objektivisht nuk mund të realizohen.
Ndërkaq, mosardhja e Milosheviqit në Kosovë duhet kuptuar edhe si pranim i dështimit të politikës së tij rreth Kosovës, si shenjë e fort e abstenimit nga politika që e krijoi vetë, pa gjetur ende zëvendësim për atë politikë.
Ndryshe nga dy të parët, Patriarku Pavle këto ditë ishte në Kosovë dhe kjo flet vetvetiu për vazhdimin e projektit shpirtëror e historik të serbëve për Kosovën si “djep të serbizmit”.
28 qershor 1994
Në procesin e montuar politik në Prishtinë dje u morën në pyetje dëshmitarët
Procesi i montuar politik në Prishtinë kundër 14 shqiptarëve vazhdoi dje me marrjen në pyetje të dëshmitarëve.
Dje u morën në pyetje dëshmitarët: Nazmi Emërllahu, Avni Neziri, Abdurrahim Islami dhe Hamit Zejnullahu. Dy të parët folën në gjuhën amtare, ndërsa të tjerët në serbe..
Në stacionin e milicisë është mbajtur 35 orë dëshmitari Avni Neziri (1961) nga fshati Doganaj i Ferizajt. Tregoi se Adem Salihajn, kryetar i Degës së LDK të Ferizajt dhe deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, e njeh pas vitit 1991, se ky asnjëherë nuk i ka folur për veprimet inkriminuese që i vihen në barrë.
– A u ka dhënë ndokush ndonjë formular për obliguesit ushtarakë? – pyeti kryetari Dragolub Zdravkoviq.
– Jo, ishte përgjigjja e shkurtër.
– A u ka dhënë ndonjë regjistër Adem Salihaj?
– Jo. Nga ai nuk kam marrë kurrfarë materiali, pasoi përgjigjja tjetër, duke shtuar se në stacionin e milicisë e thirrën “vetëm katër herë”. Ky dëshmitar foli për një regjistër tjetër, tha se është fjala për të dhënat e vashave të djelmoshave, atyre që kanë mbushur moshën 18-vjeçare përkitazi me zgjedhjet që u bënë për Parlamentin e Kosovës (1992). Kryetarët e aktivave të LDK, vuri në pah ai, kanë pasur për detyrë t’i korrigjojnë këta regjistra.
Në ç’vend është bërë korrigjimi i regjistrave? – rodhi pyetja.
– Në kafenenë “Bolero” të Ferizajt – tha dëshmitari.
Dëshmitari tjetër Abdurrahim Islami (avokat nga Ferizaj) foli për rrjedhën e një mbledhjeje të Akivit të LDK në Ferizaj. Edhe shtëpinë e Abdurrahimit e ka bastisur milicia. Për Ademin, shtoi ky dëshmitar, e di se është edhe deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, se atë e njeh vetëm nga pamja, ndërsa Ismail Mehmetin dhe Sylejman Hasanin nuk i njeh fare.
– A janë bërë listat e obliguesve ushtarakë? – pyeti prokurori Jovica Jovanoviq.
– Jo, – ishte përgjigjja e shkurtër.
Hamit Zejnullahu nga Prishtina, dikur punëtor i Sekretariatit të MP të ish-KSAK, tregoi se në fillim e kishte cilësinë e “të dyshimtit” në procedurën policore, ndërsa më vonë, pas katër ditë paraburgimi, para gjykatësit hetues (Zvonimir Maksimoviq) u mor në pyetje si dëshmitar. Disa nga mbrojtësit shtruan një sërë pyetjesh: si, kush, në ç’mënyrë Hamitin e çuan inspektorët para gjykatësit hetues, ç’foli ai para tij etj. Rrëfimi i këtij dëshmitari më tepër u përqëndrua rreth mbledhjeve, në njërën sosh, ku ishte i pranishëm edhe dr.Fehmi Agani, ku është folur për ndihmat punëtorëve të dëbuar nga Sekretariati në fjalë. Hamiti tha troç: “Me Hajzer Hajzerin nuk kemi pasur kurrfarë bisede rreth asaj që akuzohet”.
Pra, siç u dëgjua edhe në këtë mënyrë u përpiluan deklaratat e dëshmitarëve, sikundër ato të akuzuarve, që disa prej tyre e dhanë mbrojtjen në heshtje gjatë hetuesisë (rasti i Adem Salihajt, Xhelil M.Ramës etj.).
Gjykatësi i instaluar serb Dragolub Zdravkoviq i bëri me dije të pranishmit se gjykimi vazhdon nesër (të mërkurën), ndërsa fjalën përfundimtare të zëvendësprokurorit publik Jovica Jovanoviq dhe të shtatëmbëdhjetë mbrojtësve, sipas dinamikës së shqyrtimit kryesor, e parashikoi të nisë të premten, kurse shpalljen e aktgjykimit javën e ardhshme, njofton sot “Bujku”.
28 qershor 1995
Ish-policët mohojnë në tërësi aktakuzën
Në sallën e madhe të ish-Kuvendit të Kosovës, vazhdoi procesi gjyqësor kundër 72 ish-policëve të Kosovës. Para të njëjtit trup gjykues, të përbërë në tërësi nga serbët, sot u morën në pyetje Izet Ymeri, Isak Aliu, Enver Hakiu, Sylejman Berisha, Ramiz Hoxha, Reshat Maliqi dhe Kemajl Aliu.
Edhe këta të akuzuar, sipas njoftimeve të avokatëve, sikur edhe të akuzuarit e marrë në pyetje në pjesën e deritashme të këtij procesi të montuar politik, e mohuan në tërësi aktakuzën dhe veprën penale që u vihet për barrë. Ata folën në hollësi për aktivitetin e tyre sindikal, në kuadër të degës së sindikatës së ish-punëtorëve të SPB-së, në Ferizaj dhe mohuan formimin e çfarëdo “ministrie” a shërbimi të “sigurimit shtetëror” në kuadër të kësaj ministrie, për çka akuzohen.
Ish-policët, të cilët sot u morën në pyetje, në fjalën e tyre mbrojtëse rrëfyen edhe për të gjitha format e torturës që janë përdorur kundër tyre, me qëllim të nxjerrjes së deklaratave të rrejshme.
Kemajl Aliu, te gjyqtari hetues është mbrojtur në heshtje, përkundër faktit se ishte shumë i torturuar, edhe para marrjes në pyetje te gjyqtari hetues, edhe pas marrjes në pyetje.
Sylejman Berisha nuk e ka pranuar as te gjyqtari hetues se është themeluar “ministria e punëve të brendshme…” e në kuadër të kësaj nuk ka pranuar as se është formuar “shërbimi i sigurimit shtetëror” për Ferizaj.
Isak Aliu rrëfeu se së paku 25 herë është marrë në pyetje dhe gjithnjë ndaj tij është përdorur dhunë e egër fizike, duke përfshirë këtu përdorimin e shufrës së gomës, shufrës elektrike, futjen e çorapëve në gojë, goditjet me shqelma e grushta në çdo pjesë të trupit, etj. Ai pastaj rrëfeu se e kanë zhveshur dhe ashtu e kanë rrahur derisa është alivanosur, pastaj ashtu të lagur dhe të zhveshur e kanë lënë gjithë natën, e dihet se ishte kohë dimiri dhe temperaturat ishin shumë të ulëta. Pastaj atij i janë kërcënuar se do ta vrasin, se do t’ia likuidojnë familjen. Në këto rrethana, shpjegoi ai, jam detyruar të nënshkruaj deklaratën e rrejshme.
Reshat Maliqi, duke përshkruar dhunën që është ushtruar ndaj tij, theksoi se ishte i kënaqur që te gjyqtari hetues kishte arritur deri-diku ta reprodukonte deklaratën e dhënë në hetuesi. Ndaj tij është përdorur një dhunë e egër fizike, me përdorimin e të gjitha mjeteve të mundshme të ushtrimit të dhunës. Ai rrëfeu se është torturuar aq rëndë, shpesh e ka humbur vetëdijen dhe, në një moment të pashpresë, ka lënë amanet që nëse e mbysin, ta varrosin në vendlindjen e tij. Pothuaj të gjithë të akuzuarit rrëfyen se inspektorët iu kanë “bërë me dije” se hetimet zgjasin gjashtë muaj, se edhe pas dhënies së deklaratës para gjyqtarit hetues, do të merren në pyetje para tyre, duke ua përkujtuar kështu se do të pësojnë edhe më keq nëse e ndryshojnë deklaratën para gjyqtarit hetues.
Gjykimi vazhdon nesër, me marrjen në pyetje të të akuzuarve tjerë.
28 qershor 1997
Sipas mediave amerikane, “Millosheviqi përsëri e ngriti temperaturën në Kosovë”
“Millosheviqi përsëri e ngriti temperaturën në Kosovë me një fjalim nacionalist, i cili shqetësoi popullsinë shqiptare dhe opinionin ndërkombëtar, në mënyrë që pas kthimit në Beograd të ballafaqohet me rezistencën e re ndaj regjimit të tij autokrat”, njoftoi Radioja kombëtare amerikane, duke transmetuar informacionet e agjencive botërore për ngjarjet për të cilat u tha se paralajmërojnë “një verë të nxehtë dhe të gjatë politike në Serbi”.
Po ashtu ato njoftuan se në Beograd qe disa ditë po demonstrojnë invalidët e luftës me të cilët nuk deshi të takohej Millosheviqi, të cilët i kishte dërguar që ta pushtojnë Kroacinë dhe Bosnjën.
Agjencia amerikane e lajmeve Asoshieted pres nga ana e saj konstatonte se Millosheviqi në çdo mënyrë synon t’i ikë fajit për luftërat e paradokoshme në Kroaci dhe në Bosnje, si dhe akuzën eventuale të Tribunalit të Hagës, gjë që është edhe arsye e ikjes së kontakteve me invalidët e luftës.
28 qershor 1998
Një i vrarë në Shishman të Rekës së Keqe
Arsimtari Rexhep Binak Syla (55) nga Shishmani i Bokës së Rekës së Keqe u vra dje në luftimet mes forcave mbrojtëse dhe ushtrisë serbe që sulmoi këtë fshat. Varrimi i tij u bë dje.
Nga Gjakova njoftohet se edhe sot në fshatrat e brezit kufitar vazhduan luftimet, ndërsa lëvizje dhe përqendrime të forcave serbe ka kryesisht në Kodrën e Çabratit.
Gjakovë: 150 qytetarët e mbajtur peng dje, u lejuan të hyjnë në Gjakovë
Të 150 qytetarët, kryesisht gra, fëmijë dhe pleq, që u ndaluan dhe u mbajtën dje disa orë në postbllokun policor të Gjakovës, u liruan pas orës 13 dhe u lejuan të hyjnë në qytet.
Burime të LDK-së në Gjakovë bëjnë me dije se në mesin e udhëtarëve të ndaluar ishin së paku 50 fëmijë, shumë prej të cilëve u alivanosën nga qëndrimi i gjatë në autobus dhe nga temperatura e lartë.
Nuk dijet vetëm për fatin e tre prej udhëtarëve, të cilët u dërguan në stacionin e policisë në Gjakovë.
Deçan: Dihet edhe për katër të tjerë të vrarë
Në Deçan ende nuk dihet numri i saktë i të vrarëve, për shkak të bllokadës së plotë të shumë fshatrave shqiptare.
KI i Degës së LDK-së në Deçan njoftoi sot edhe emrat e katër shqiptarëve të vrarë: Halit Z. Tolaj (80), Murat Z. Tolaj (75), Mustaf Z. Tolaj (70) dhe Zize Tolaj (75), gruaja e Halit Tolajt.
Në njoftim nuk jipen të dhëna për datën dhe vendin ku janë vrarë ata.
